Populli shqiptar po trajtohet si romë!*

Mos mendoni se populli shqiptar po trajtohet më mirë sesa komuniteti rom. Dje, disa njerëz të fuqishëm, me para dhe lidhje të forta, arritën të na marrin vendin ku jetojmë, sepse në Shqipëri ligjin e bëjnë ata. Nesër e keni rradhën ju!

Reagim i te rinjve romë dhe egjiptianë

Të dashur bashkëqytetarë të Shqipërisë,

Të dashur shqiptarë,

Ne e dimë se dëbimi i romëve nga mjediset e Ish-Artistikes ka indinjuar disa prej jush. Por jo të gjithë ju. Ndoshta jo të gjithë shqiptarët ndihen të indinjuar. Ndoshta jo të gjithë shqiptarëve u intereson se ku do ta gdhijnë natën disa romë. Ndoshta jo të gjithë shqiptarët mendojnë se ka ndodhur diçka kaq e keqe. Ndoshta, një pjesë e shqiptarëve në Shqipëri mendojnë se kush ka para dhe pushtet fiton gjithmonë. Ndoshta dikush nuk mendon se romët në Shqipëri vlejnë po aq sa shqiptarët.

Të dashur  bashkëqytetarë të Shqipërisë,

Ne i jemi mirënjohës Avokatit të Popullit, të cilit njerëzit shpesh i thërrasin “Avokati i Romëve”. Ne mendojmë se i gjithë populli shqiptar ka nevojë për një avokat. Mos mendoni se populli shqiptar po trajtohet më mirë sesa komuniteti rom. Por, në mënyrë të gabuar, shumë shqiptarë mendojnë se nuk ka diskriminim, nëse të gjithë diskriminohen njësoj.

Të dashur bashkëqytetarë!

Prej vitesh kemi parë që në Shqipëri askush nuk ndihmon askënd. Nëse një shtresë në nevojë shkelet me këmbë, shtresat e tjera në nevojë nuk i vijnë në ndihmë. Secili sheh hallin dhe nevojën e tij, dhe të gjithë bashkë nuk shohim hallin e askujt.

Edhe sa kohë do të vazhdojmë kështu?

Të dashur bashkëqytetarë të republikës së mjerë të Shqipërisë,

Dje, disa njerëz të fuqishëm, me para dhe lidhje të forta, arritën të na marrin vendin ku jetojmë, sepse në Shqipëri ligjin e bëjnë ata.

Nesër, të njëjtët njerëz do t’ju marrin lulishtet, ku luajnë fëmijët tuaj,

Pasnesër, po këta njerëz do t’ju marrin plazhet, ku lahen fëmijët tuaj,

Dhe, një ditë tjetër të njëjtët njerëz, do t’ju marrin çdo pronë publike që e kanë ndërtuar prindërit tuaj.

Atëherë juve ndoshta do t’ju kujtohen romët.

Por të jeni të sigurt se askush nuk do të kujtohet më për ju.

Tiranë, 14 gusht 2013

Titulli është i redaksisë

You may also like...