Por ajo rrotullohet

Afera CEZ dhe pastrimi i Metës

Që pas daljes në dritë të dokumentit të dytë nga BIRN, Ilir Meta ka vazhduar që përmes mediave të ndryshme të përhapë një dizinformim mbi të dhënat dhe faktet që janë paraqitur. Problemi i gjithë kësaj alibie që ai po përpiqet të ndërtojë mbi veten e tij, si një person që nuk e kupton dot qartësisht se nga se dhe ku do ta shpjerë kjo plagë e vjetër e hapur, ai ka nisur të krijojë teori të ndryshme që kanë filluar të qarkullojnë në media.

Në qëllimin e këtij shkrimi nuk është që të merret me teoritë që përfliten lart e poshtë, prandaj nuk do të jetë në qëllim të këtij shkrimi arsyetimi se përse kjo nuk ka lidhje me atvrasje frojdiane, as me ndonjë sulm të përgatitur nga biznesmenë të fuqishëm ndaj një personi që shkatërroi partitokracinë. Madje as nuk ka për qëllim të merret me investigime që bëjnë kapërcime ylberësh dhe spekullime diletantësh, duke nëpërkëmbur seriozitetin e investigimeve të tjera dhe njëkohësisht kolegët e tyre.

Ky shkrim ka për qëllim të ndërgjegjësoj, sadopak mbase, një pjesë të shqiptarëve që duhet të përpiqen të shohin faktet dhe të ndajnë shapin nga sheqeri. Përndryshe, të gjitha këto përpjekje do të jenë rezultat i një retorike më së paku politike dhe më së shumti barsaletash.

Duke kryqëzuar gjithëfarsoj teorish që përfliten, mund të bie ndërmend se historia e CEZ është një rrëmujë e atillë që mirë është të mos i futesh se nuk i dihet se ku del. Megjithëse, një sy i vëmendshëm mund të bëjë lehtësisht dallimin e atij që ndërton një teori për alibi dhe atij që fakteve u jep gojë për të thënë të tyren.

Në pak fjalë gazetaria investigative është kjo e dyta ndërkohë që gazetaria propagandistike dhe që ndërtohet në bazë të funskionit “Kërkesë-ofertë” politike anon më së shumti nga e para.  Prandaj duhet pasur parasysh ky parim i rëndësishëm në logjikën e cilitdo kur përballë ka faktin se dëshmia e Jozef Hejsek përflet një ish ministër të Jashtëm që ka shkuar deri në Pragë për të bindur CEZ të marrë si person të tretë Kastriot Ismailaj. Ballafaquar me faktin tjetër që është Vilson Ahmeti ai ish kryeministër i cili na paskërka lidhur një kontratë me CEZ për interes të DIA-s.

Fakti i parë na vërtetohet nga dokumenti i paraqitur nga BIRN ndërkohë që fakti i dytë na aludohet e spekulohet sipas dokumentave (që ende s’i kemi parë) dhe ndër të tjera sipas një lidhje në një kompani ku Petrit Ahmeti dhe Kastriot Ismailaj janë ortak në një kompani softesh. E sipas kësaj alibie kjo është prova kryesore që Ahmeti dhe Ismailaj janë një dhe kanë ndikuar që ky i fundit të jetë mbledhësi i parave. Kështu me një skenar hollivudi, Vilson Ahmeti (që në Shqipëri  70% e shqiptarëve as që e dinë se kush është) futet në skenë për të mbushur vendin vakant të Kryeministrit që është akuzuar për korrupsion. Të gjithë mund të jenë fajtorë përpos njërit…

Mjafton të lexosh këtë investigim të ndërtuar mbi fakte spekulative dhe mbi një ortakëri kompromentuese për të kuptuar se ku ka shkuar kërkesë-pferta mediatike, në atë pikë sa të zhvlerësosh provat. Kjo i ngjan një  rasti ku zaptuesi i një shtëpie nuk ka asnjë dokument tapie ama pretendon se edhe pse pala tjetër ka dokumenta ato janë të falsifikuara. Ja kështu, investigimet që përpiqen të denigrojnë dhe të quajnë farsë këtë ngjarje nuk janë vetëm se një betejë me mullinjtë e erës. Një inskenim mediatik për të dizinformuar një publik dhe për të detyruar të tjerë nën efektin e valixhes së zezë të tërhiqen. Edhe pse, Toka vazhdon të rrotullohet!

You may also like...