Thua 100 mijë Euro për Preshevën janë pak?
Nuk është aspak e vërtetë – Raporton nga Prizreni korrespondenti ynë Arbër Kacidhja
Dashakeqësit mund t’i konsiderojnë 100 mijë eurot e akorduara nga dy qeveritë shqiptare për Preshevën si një pikë uji në oqeanin e nevojave të shqiptarëve të Luginës. Nuk është kështu. “Realiteti na thotë se ato janë as më shumë, as më pak, por plot 100 mijë pika ujë”, shprehet Dom Mark Antoni, përfaqësues i minoritetit katolik në gjirin e minoritetit shqiptar me shumicë myslimane të Luginës së Preshevës. Në fakt, “Fondi për Luginën”, një paralele me Fondin serb në veri të Kosovës, është simbolikë e qartë e një vullneti të hekurt shqiptaro-shqiptar.
Vëmendja e posaçme ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës ishte një lajm akoma më i mirë, si riparim i një harrese të gjatë të Tiranës e Prishtinës ndaj bashkëkombësve. Mbledhja e dy qeverive në Prizren i ngjante pikërisht asaj dallëndyshes së parë, e cila vjen në folenë e saj, duke mbajtur në sqep çekun e shumëpritur.
Flet Agim Çeku:
“100 mijë Euro? Ju duken pak? Po ata të gjithë bashkë as 450 Euro nuk i kishin!”
Sado e papritur të duket kjo deklaratë, veçanërisht duke patur parasysh prezencën opulente të Behgjet Pacollit në tryezën bilaterale ndërqeveritare gjithëshqiptare të Prizrenit, ajo i përgjigjet plotësisht të vërtetës. Dashakeqët duhet të kuptojnë se kohët e fundit, Pacolli ka investuar 100% të parave të tij për ndërtimin e “Swiss Diamond Hotel” në Prishtinë, ndërsa Edi Rama nuk ka trashëguar asnjë fond nga paraardhësi i tij i shquar.
Dialogu sublim gjatë Lidhjes së Dytë të Prizrenit
“Më jep dy Euro”, i tha nën zë Bledi Cuci fqinjës së tij të armatosur deri në dhëmbë, ministres Kodheli, të ulur në cep të tryezës bilaterale ndërqeveritare, “ka ardhur kamarieri dhe kërkon lekët e kafes”.
Në fakt, mbledhja historike gjithëshqiptare zhvillohej në “Hotel Theranda” Prizren, i cili është tërësisht i privatizuar. Për shkak të një harrese protokollare, Qeveria e Tiranës nuk u njoftua se pas një proteste të qeverisë serbe dhe një auditi të Eulex-it, mbështetur në paragrafin 3 pika dy të rezolutës 1244, kostot e ujit dhe kafes nuk mund të mbuloheshin nga Qeveria e Kosovës. Ndërsa qeveritarët e Tiranës grindeshin me rojen e parkingut privat ngjitur me hotel Therandën që nuk pranonte t’u ruante autobusin, Ministri i Financave të Kosovës luante i dëshpëruar në Eurolloto-n ngjitur, me shpresën se do fitonte 300 Euro nga ndeshja Chelsey – Manchester United, mjaftueshëm për të paguar qeranë e sallës…
Atëherë, si u gjetën 100 mijë Euro?
Heshtja solemne e mbledhjes historike Shqipëri-Kosovë, e ndërprerë nga ndonjë kërcitje sporadike zorrësh u ndërpre përfundimisht në orën 14.30, nga brohoritja:
“I gjeta, i gjeta”,
Zëri vinte andej nga s’e prisnin: ishte pikërisht Ministri Beqja, i cili përplasi në tavolinë çekun e jashtëzakonshëm, ku shkruhej: 100 mijë Euro (minus paratë e taksisë). “Dhe mos më pyesni ku i gjeta” iu drejtua hareshëm Beqja Behgjet Pacollit, i cili po gëlltitej, duke qenë se nuk kishte parë ndonjëherë një shumë të tillë të gjithën në një vend…”po hajt se po iua them…Munda në poker Fatos Nanon.”
Tiranë/Prizren 12 janar 2014