Pretendimet e Ramës për standardet zgjedhore dhe raporti i vëzhguesve
Ka pasur gjatë ditëve të fundit një fushatë të gjerë disinformimi mbi zgjedhjet. Ndoshta një krahasim i asaj që tha OSBE dhe asaj që tha Rama ju ndihmon të qartësoni idetë.
Edi Rama: Në 21 qershor, Shqipëria ishte një vend normal, që kaloi krejt normalisht një proces zgjedhor pa probleme serioze, që nga Tropoja deri në Konispol.
ODIHR: Klima e fushatës ishte paqësore, përveҫ incidenteve të izoluara.
Edi Rama: Qeveria bëri që për herë të parë në një proces zgjedhor në Shqipëri;
Të mos detyrohej asnjë punonjës i administratës që të futej në kuadratet e shesheve të mitingjeve me listë, me apel dhe me firmë, siç ndodhte deri në 2103-n;
Të mos ushtrohej presion mbi asnjë punonjës të shtetit, për të dorëzuar kartën e identitetit, apo për të sjellë votën e fotografuar ditën e hënë, për të vazhduar punën, siç ndodhte deri në 2013-n;
ODIHR: Pati akuza të shumta për presion mbi votuesit, të cilat së bashku me raste të vëzhguara në ditën e zgjedhjeve, ngritën shqetësime mbi aftësinë e votuesve për ta hedhur votën e tyre të lirë nga frika për ndëshkim.
Edi Rama: Të mos implikohej asnjë forcë xheniere e ushtrisë, për të hedhur çakëll elektoral për vota për kandidatët e shumicës, siç ndodhte deri në 2013-n;
ODIHR: Një numër zyrtarësh të lartë nga partitë më të mëdha qeverisëse përdorën ceremony dhe burime shtetërore për qëllime fushate, përfshirë shpërndarjen e certifikatave të legalizimit, të cilat errësuan ndarjen mes shtetit dhe partisë, gjë që është në kundërshtim me angazhimet e OSBE-së.
Edi Rama: Të mos sigurohej asnjë mbështetje nga policia për të “fortët e fshatit” në funksion të ushtrimit të presionit mbi zgjedhësit për llogari të pushtetit, siç ndodhte deri në 2013-n.
ODIHR: U vërejtën shqetësime mbi frikësimin e mundshëm nga grupet e aktivistëve partiakë brenda dhe përreth qendrave të votimit.
Edi Rama: Nuk ka ndodhur as prekja tradicionale e rezervave të shtetit, për të blerë varfërinë me fasule dhe me çizme në këmbim të votës, çka ndodhi për turpin e gjithë botës në 2013-n.
ODIHR: Një numër zyrtarësh të lartë nga partitë më të mëdha qeverisëse përdorën ceremony dhe burime shtetërore për qëllime fushate, përfshirë shpërndarjen e certifikatave të legalizimit…