Dhjetëra studentë kërkojnë ndalimin e reformës universitare të qeverisë

Dhjetëra studentë dhe pedagogë të universiteteve publike të Tiranës dolën në një protestë sot për të kërkuar anulimin e projektit të reformës së financimit të universiteteve të propozuara nga një grup këshillimor i krijuar nga kryeministri.

Protestuesit akuzuan qeverinë se ka ndërmarrë reformë vetëm në favor të universiteteve private dhe akuzuan universitetet private se po përpiqen të rrëmbejnë fondet që buxheti i shetit akordon për arsimin e lartë në vend si dhe bënë thirrje për arsim publik.

“Universiteti është i universitarëve dhe jo i tregtarëve”, bërtitën protestuesit ndërsa mbanin pankarta të shumta në duar kundër privatizimit të sektorit të arsimit të lartë.

“Ne po protestojmë kundër rritjes se tarifave, kundër kredive studentore, kundër financimit të bizneseve private me para publike, kundër moralit të Komisionit, por edhe diskutojmë se si duhet të realizohet një reformë në arsim, nga vetë studentët dhe pedagogët”, tha Jani Marka, pedagog dhe aktivist i organizatës Politike, një grup rinor i së majtës.

Studentët akuzuan se komisioni i reformës i organizuar nga kryeministri Edi Rama është i krijuar në fakt nga universitetet private, të cilat synojnë të rrëmbejnë përmes kësaj reforme një pjesë të fondeve që buxheti i shtetit shpenzon për arsimin e lartë. Studentët hodhën parrulla kundër universiteteve private. “Ne jemi studentë dhe jo klientë” thirrën protestuesit ndërsa marshuan nga Korpusi i Universitetit Politektik të Tiranës deri te selia e Kryeministrit.

Komisioni i Reformës së Arsimit të lartë u krijua më herët këtë vit me porosi të Kryeministrit Edi Rama me synimin për të prodhuar një dokument politikash para se një ligj i ri mbi arsimin e lartë të miratohet në korrik. Pas kundërshtimeve nga studentët dhe universitetet publike, Kryeministri Rama deklaroi pak ditë më parë se do ta shtyjë për më vonë diskutimin ndërsa protestuesit kërkojnë shkrirjen e Komisionit të Reformës dhe nxjerrjen të pavlefshme të raportit të parë të Komisionit publikuar në muajin prill.

Raporti i parë i Komisionit të Reformës rekomandon ndarjen e fondeve publike për financimin e kërkimit shkencor të universiteteve private si dhe për financimin e mësimdhënies në universitetet private në rast se këto të fundit e transformojnë veten në fondacione jofitimprurëse. Raporti rekomandon edhe ndarjen e strukturës administrative nga struktura akademike nëpër universitetet publike, rritjen e tarifave të shkollimit dhe kredi shtetërore për studentët.

Protestuesit thonë se Komisioni i Reformës është një nismë e maskuar e universiteteve private të cilat kërkojnë përmes Reformës të justifikojnë përfitimin e fondeve publike nga këto universitete.

Gjatë protestës, nën shënjestër të posaçme u vu Henri Çili, pronar i Universitetit Europian të Tiranës dhe një nga mbrojtësit e Reformës. “Si në Kili, paguan populli, fiton Çili,” shkruhej në një prej parrullave të protestuesve.

You may also like...