Protesta në Prishtinë, për çdo gjë me përjashtim të varfërisë apo papunësisë

Ditari i Tiranës

Ka një si tip legjende që tregohet gojë më gojë në Shqipëri. Në Gjirokastër, një gangster kishte gjetur një të dashur, e cila qe studente. E dashura i kërkon gangsterit 5 mijë lekë të rinj sepse i duhej të korruptonte pedagogun në universitetin e Gjirokastrës për të marrë provimin. Gangsteri e peshoi çështjen për një sekondë dhe tha:

–   Pse duhet t’i japim lekët?! Mund të shkojmë t’i vëmë pistoletën në kokë dhe rrjedhimisht e marrim provimin pa paguar…

Pak më vonë, në zyrën e profesorit, hekuri i pistoletës ftohu tëmthin e pedagogut. Nën kërcënimin për jetën e vet, pedagogu e peshoi shpejt situatën dhe zbuloi se ka shumë gjasa që gangsteri nuk do ta vriste për 5 mijë lekë. Ai rezistoi. Në fund, gangsteri futi në brez pistoletën, nxorri pesë mijë lekët, i la mbi tavolinë dhe iku. E dashura e mori provimin.

***

Shumëkush po shtron pyetjen këto ditë se çfarë me të vërtetë i shtyn studentët e Prishtinës të përleshen me policinë gjatë protestave të tyre kundër një rektori, i cili akuzohet se ka marrë postin duke bërë dokumente false për siguruar titullin e “philosophiae doktor” PHD, në mënyrë të rrejshme. A thua mjafton një diplomë e rrejshme për t’i bërë njerëzit të gatshëm të përleshen me policinë? Sipas gazetës Koha Ditore, rektori Ibrahim Gashi ka plotësuar kushtet ligjore për doktoraturën e tij duke publikuar tri artikuj në një revistë në Indi. Por gazeta vërtetoi se në këtë revistë mund të publikosh çfarë të duash përkundrejt pagesës prej 80 eurosh. Kjo qe çfarë ndezi protestat.

Ne këtu në Tiranë thjeshtë na vjen për të qeshur. Imagjinojmë morinë e titujve akademikë fals, numrin e stërmadh të librave universitarë që janë plagjaturë, apo numrin e pafundëm të rasteve kur pedagogët as nuk e marrin mundimin të lexojnë provimet, i kërcënojnë nxënësit për t’i kërkuar para për provimin e paudhësi të tilla. Logjika ta do që studentët shqiptarë do ta kishin djegur tashmë në mënyrë të përsëritur universitetin, por kjo gjë nuk ka ndodhur. Çdo student duket sikur po punon me mish e me shpirt nga pedagogët se si të bëhet edhe ai pelivan i sistemit. Aktualisht alarmi është dhënë se Shqipëria po prodhon mbi 1500 profesordoktorë në vit, shpesh nëpër universitete kioska që nuk vlejnë as 5 mijë lekëshi i korrupsionit. Sot kemi politikanë që kanë blerë rrugën e tyre deri sa janë bërë anëtarë të Akademisë së Shkencave, por Akademia nuk është përballur ende me protesta.

Për disa, kjo e Prishtinës është protesta e zakonshme politike anti-estabilishment politik, ku diploma e rektorit Ibrahim Gashi është vetëm fitili i pakënaqësisë më të gjerë. Disa po e lidhin këtë protestë me faktin që aktualisht nuk ka vende pune për të rinjtë kosovarë, vendi është tmerrësisht i varfër dhe i korruptuar. Megjithatë, ata që dalin në protesta, nuk është se janë ngushtësisht të varfër. Në shumicën dërrmuese te rasteve, protestat nxiten dhe organizohen nga shtresa e mesme. Të varfrit, ata që kanë çështje ekzistenciale të bukës së përditshme, janë shumë të zënë duke kërkuar bukën. Shtresa e mesme ekonomike dhe shoqërore është ajo që del në shesh. Kjo shtresë e mesme mund të ndjekë biznesin e vet e të mos e vrasë mendjen për varfërinë e të tjerëve. Por të qenit pjesë e një vendi të mjerë, është më keq se sa të qenit i varfër. Kjo ndjesi nuk krijohet te super të pasurit, të cilët krijojnë një distancë me realitetin duke jetuar praktikisht të segreguar. Krijohet te shtresa e mesme që është njëkohësisht në kontakt rastësor me të pasurit dhe të varfrit. Një protestë e shkaktuar nga varfëria apo papunësia vështirë se i qëndron logjikës.

Studentët dhe të tjerët në Prishtinë kanë dalë kundër atij sistemi vlerash të kontrollit politik mbi të gjithë jetën e vendit, për përcaktimit të suksesit nga lidhjet politike me të parin e vendit, ku posedimi i titullit PHD është vetëm një procedurë burokratike në rrugën për kapjen e një posti pushteti të përcaktuar nga pushteti politik që më herët.

You may also like...