Protestë te padroni i Fullanit, jo te Fullani!

Fullani for PRESIDENTKësaj here duket se mjafton vetëm zemërimi i shqiptarit të zakonshëm i shprehur në median sociale për t’i shkaktuar panik qeverisë. Pak ditë pas shpërthimit të skandalit të vjedhjes së vazhdueshme për katër vjet me rradhë në thesarin e Bankës së Shqipërisë, aludohet, nga një punonjës i thjeshtë, mund të shohim se si luzma e disinformacioneve të prodhuara nga qeveria dhe opozita të marra sëbashku me synimin për të zhvendosur vëmendjen nga skandali nuk po ia dalin të zbusin zemërimin e qytetarit shqiptar.

Ngjarja që filloi me një njoftim të thjeshtë për ndodhjen e vjedhjes, u pasua nga qëndrim indiferent i partive politike për ditë me rradhë, ndërsa pak gazetarë dhe shumë qytetarë u përpoqën të theksonin përmasat e problemit. Kur cënohet siguria e një banke nga brenda, cënohet besueshmëria e saj. Dhe përgjegjësia për besueshmërinë e institucionit fillon në majë e mbaron te vjedhësi dhe jo anasjelltas.

Është Fullani përgjegjës për procedurat, njerëzit, inspektimet, kontrollet e inspektuesve, emërimet dhe shkarkimet. Për rrjedhojë ai është përgjegjës.

Por nga ana tjetër, ndonëse fodullëku i tij i pashoq e ka vënë në shënjestër të opinionit publik, ai nuk është më shumë përgjegjës se një numër i madh zyrtarësh të lartë, të cilët, duket se i ka korruptuar deri sa të heshtin. Fullani është pjesë e kastës dhe nëse ai do të bjerë, kjo do të ndodhë vetëm në rast se kasta do ta konsiderojë një barrë të tepërt për ta mbajtur.

Kjo shpjegon arsyen se shumë ditë pas skandalit, një numër i konsiderueshëm gazetash dhe opinionistësh të lidhur ngushtë me Ramën janë hedhur në kritika të pakompromis kundër Fullanit, duke sugjeruar se Rama ka mbërritur në pikën kur i duhet ta peshojë problemin Fullani në llogarinë e tij personale përballë publikut.

Por ndërsa pjesa Socialiste e qeverisë duket se po peshon gurët në lojë për të vendosur nëse Fullani duhet braktisur apo mbështetur, pjesa LSI-ste e qeverisë duket se e ka ndarë mendjen të mbrojë sivëllain e vet. Në fund të fundit, nëse bie Fullani, të tjerët si ai kanë arsye të mos ndjehen të sigurtë. Por nëse Fullani mbijeton, siç mbijetoi Meta para tij, atëhere gjërat konsolidohen në të mirë të klikës.

Nga Partia Demokratike kemi tentativa hileqare për të kaluar situatën në emër të “stabilitetit” siç tha Berisha, njeriu më antistabilitet në historinë e Shqipërisë, duke mos konsideruar Fullanin përgjegjës pëër ngjarjen por duke ia lënë “prokurorisë”. Moria e deklaratave të pafundme të ditëve të fundit nga Partia Demokratike duket se synojnë thjeshtë të heqin vëmendjen nga problemi.

Nga ana tjetër, Fullani, simbol i fodullëkut të pushtetarit shqiptar në kohën tonë, është kthyer papritur në një kërmë politike ku shumë sorra po sulen për t’u ushqyer. Dhe kështu hyn në lojë Kreshnik Spahiu, një njeri që duhet rrëzuar po aq shumë sa Fullani, duke organizuar protesta.

Personi që e ka në dorë fatin e Fullanit duket se është Edi Rama. Ai mund të nisë procedurë parlamentare inspektimi dhe shkarkimi. Është e qartë se ai nuk dëshiron të merret me Fullanin. Por do të merret me të vetëm në rast se zemërimi publik do ta cënojë atë vetë dhe jo Fullanin.

Për këtë arsye, nëse ndokush ka ndër mend të organizojë protesta për shkarkimin e Fullanit, bën mirë që këto protesta t’i drejtojë kundër Ramës, si njeriu që ka në dorë fatin e Fullanit dhe si njeriu që do të veprojë vetëm në rast se zemërimi i qytetarëve zbrazet ndaj tij. Përndryshe, ka gjasa që Fullani të kthehet në një kërmë politike në shërbim të shumë korbave politike të tipit të Kreshnikut, ndërsa shqiptarëve do t’u shkojë zemërimi dëm.

Dhe pasi të rrëzohet Fullani (nëse do të rrëzohet), duhet të mos harrojmë se lista e pushtetarëve për t’u rrëzuar është e gjatë.

You may also like...