Protestuesit triumfojnë, Rama i thotë JO! SHBA-së

Shqiperia jemi ne! Qytetaret!

Shqiperia jemi ne! Qytetaret!

Pas 48 orëve tension, të rinjtë protestues realizojnë qëllimin e tyre final, kryeministri dorëzohet

Gjergj Erebara

Një betejë dramatike mes protestuesve dhe kryeministrit Edi Rama përfundoi pasditen e djeshme me dorëzimin e këtij të fundit përballë kërkesës së protestuesve. Protestuesit kërkuan refuzimin e kërkesën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pranimin e armëve kimike të regjimit diktatorial sirian në Shqipëri, kërcënuan me mosbindje civile dhe bllokuan rrugët e sheshet e Shqipërisë në mënyrë që të siguroheshin se fjala e tyre do të dëgjohej.

Protestat vijuan pa ndërprerje për më shumë se 48 orë. Në bulevardin para selisë së Kryeministrisë, gocat dhe çunat e Fakultetit të Mjekësisë, Çunat e Tirona Fanatics e shumë të tjerë qëndruan përgjatë të gjithë natës duke bërtitur dhe kënduar. Në mëngjes herët, ato u shtuan nga mijëra të tjerë, më së shumti të rinj që braktisën shkollat dhe protestuan.

Disa prej protestuesve qëndruan në shesh për më shumë se 40 orë. Pasdreke, protesta mori nota thelbësisht antiqeveritare, pasi studentë të ndryshëm morën mikrofonin për të kërkuar JO! ose rrëzimin e kryeministrit Edi Rama. “Mua më mjafton buka me djathë! Nuk i dua paratë e armëve kimike”, tha një adoleshente në mikrofon duke shkaktuar emocione të forta ndërsa protestuesit thërrisnin JO! JO! JO!

Përgjatë të gjithë ditës së djeshme pati një luftë nervash të trefishtë mes protestuesve në shesh dhe tri krahëve të politikës shqiptare, si dhe gjërat e përzjera.

Qeveria duket se mati pulsin e opinionit publik minutë pas minute, me shumë informacione të rreme që qarkulluan, herë duke sinjalizuar JO!-në dhe herë PO!-në. Në të njëjtat tonalitete qe edhe fjalimi i kryeministrit, i cili përgjatë 28 minutave herë sinjalizoi PO!-në e herë JO!-në, duke hutuar njerëzit që  prisnin me ankth. Vetëm një eksperte gjuhësie, nga mesi i fjalimit vuri re përdorimin instiktiv të të shkuarës së pakryer në fjalimin e kryeministrit për të krijuar bindjen se fjala finale qe JO!

Në mesditë, u dha lajmi se agjencia e OKB për ndalimin e armëve kimike pati nisur një mbledhje që e pati lënë përgjysmë pa dhënë afat të ri për rifillimin. Pastaj u tha se një zyrtar amerikan qe nisur për në Tiranë dhe qe kthyer në gjysmë të rrugës.

Ndërkohë në Tiranë çdo grupim shoqëror u angazhua në mbështetje të protestës. Xhamitë e Tiranës mbyllën faljen e së Premtes dhe shkuan në bulevard, krahas aktivistëve për të drejtat e romëve dhe egjiptianëve, komuniteteve fetare katolike, e protestante njerëzve me aftësi të kufizuar si dhe aktivistëve të të drejtave LGBT. Të gjithë treguan një akt të rrallë uniteti kombëtar, megjithëse pati raste kur mosmarrëveshjet e vjetra u rishfaqën edhe në shesh.

Politikanë të ndryshëm filluan të shprehen gjithnjë e më shumë të pavendosur apo refuzues të kërkesës amerikane ndërsa në shesh e nëpër televizione filloi gara për marrjen e meritave për organizimin e protestës, e cila, nisi me një njoftim të shkurtër në një blog dhe përfundoi me çuarjen e Shqipërisë pranë mosbindjes civile pa dhunë.

Dje, ndërsa rrugët e Tiranës bllokoheshin shpesh dhe trafiku qe i rënduar, lajme për protesta pati nga Durrësi, ku njerëzit bllokuan hyrjen e portit për shumë herë, Vlorë ku pati marshime, Shkodër ku u protesta te pedonalja, e qytete të tjera, ku protestat më energjike duket se u shfaqën në Elbasan, qytetin e masakruar nga industria e rëndë pa standarde mjedisore, ku besohej se mund të përfundonin edhe armët kimike të Asad.

Njerëzit u shtuan në orët e pasdrekes para Kryeministrisë në pritje të fjalimit të kryeministrit, të lajmëruar për orën 17.00. Policia krijoi një gardh mes protestuesve dhe kryeministrisë, gjë që u interpretua nga protestuesit si një shenjë e keqe. Në minutat pas fillimit të fjalimit, një protestuese publikoi foto që tregonin punonjësit e gardës duke shtruar tel me gjemba përreth Kryeministrisë.

Protestuesit u zemëruan edhe më shumë nga tensionimi dhe nga fakti që nuk qenë në gjendje të dëgjonin fjalimin e Ramës, njoftimet në mediat sociale qenë, ndoshta po, ndoshta jo, deri sa në fjalën e fundit të fjalimit 28 minutësh, Rama tha se Shqipëria e sheh të pamundur të pranojë kërkesën e SHBA-ve për përdorimin e territorit të saj për shkatërrimin e armëve kimike të Asad.

Shqiptarët shpërthyen në brohoritje, njerëzit në shesh përqafuan njëri-tjetrin dhe filluan të festonin nëpër rrugë dhe nëpër lokale, fundin e një beteje aktivistësh që në thelb qe spontane dhe me një numër të pafund udhëheqësish, ku shqiptarët u shfaqën të barabartë dhe në respekt të ndërsjelltë për njëri-tjetrin pavarësisht dallimeve.

Prirja antiestabilishment e protestuesve bëri që shumë figura publike të nivelit të lartë apo të ulët, të poshtëroheshin, ku kulmi u shënua me poshtërimin e Berishës dhe Bashës.

Beteja për JO!-në u mbyll në orën 5.30 për t’i lënë vend një beteje më të mërzitshme të humbësve dhe fituesve politikë nga kjo ngjarje e madhe e aktivizmit publik dhe politik në Shqipëri.

You may also like...