Pse listat e hapura 100% dhe kuotat gjinore 30% janë tërësisht të mundshme

Ajo që nisi si një lëvizje taktike dhe jo shumë e sinqertë e njërës palë politike, ka potencialin të kthehet në një ndryshim real në sistemin zgjedhor shqiptar. Por janë dy alibi të dhëna deri tani që të bezdisin: E para që sugjeron se listat e hapura favorizojnë gangsterët dhe oligarkët, dhe tjetra, që listat nuk mund të hapen tërësisht për shkak se na mbetet parlamenti pa gra. Të dyja këto nuk kanë pse të qendrojnë.

Gjergj Erebara, BIRN, Tiranë

Tetë muaj më parë, dy udhëheqësit kryesorë të politikës shqiptare, Edi Rama dhe Lulzim Basha u deklaruan prerazi kundër hapjes së listave. Kur palët ranë dakord për t’u ulur në një tryezë për kompromis më 15 janar, marrëveshja e tyre paraprake ishte mbi atë çfarë të dyja palët nuk dëshironin të ndodhte: një reformë e modelit zgjedhor të caktuar nga Edi Rama dhe Sali Berisha më 2008. Në atë kohë, Basha deklaroi se hapja e listave dhe modeli duhet të jenë pjesë e një debati të gjerë publik në të ardhmen. Disa demokratë të tjerë shkuan më tutje duke bërë shkrime nëpër media, të cilat shpallnin me një logjikë jo shumë bindëse se listat e hapura favorizojnë oligarkët.

Në një ndryshim drastik pozicioni, sot, të dyja palët politike aktualisht në fushëbetejë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare e kanë pranuar tashmë që listat e hapura janë “dëshirë e popullit”. Rama vijoi të këmbëngulë duke shpallur se në opinionin e tij, listat e hapura “nuk do të përmirësojnë cilësinë e parlamentit”. Ai shkoi më tutje duke deklaruar se vendi ka nevojë të hapë listat pjesshëm për të ruajtur “kuotat gjinore”, konkretisht, pasjen në përbërjen e parlamentit të së paku 30% gra.

Të dyja këto alibi, ajo e demokratëve që besojnë se listat e hapura mbështesin oligarkët dhe ajo e Ramës për kuotat ligjore duket se janë të pavlefshme përballë realitetit. Por para se të mbërrijmë këtu duhet të merremi me një gjë tjetër, atë që problemi i krijuar nga parlamenti me lista të mbyllura nuk është vetëm një çështje e shijes së popullit por është një rrezik i përhershëm për demokracinë. Në vendet demokratike janë parlamentet ato që shërbejnë si kontroll, kufizim dhe balancë ndaj pushtetit ekzekutiv ndërsa me sistemin e listave të mbyllura, në Shqipëri u krijuan kushtet që kryeministri të kontrollonte parlamentin duke e kthyer këtë të fundit në një zyrë noterie të udhësive dhe paudhësive të kryeministrit dhe jo në një institucion që ka fuqinë të emërojë, t’i kërkojë llogari, t’i shqyrtojë, ndryshojë, miratojë apo rrëzojë propozime për ndryshime ligjore dhe në fund, edhe ta shkarkojë kryeministrin. Asgjë e tillë nuk ka ndodhur në këto dymbëdhjetë vjet. Përkundrazi, në katërvjeçarin e fundit, deputetët socialistë kanë dëshmuar në mënyrë të përsëritur tredhjen totale nga kryeministri, duke mos shënuar asnjë rast kundërshtie publike pavarësisht se sa kontroverse mund të kenë qenë politikat e kryeministrit. Në këtë kontekst, fakti është që Kuvendi i Shqipërisë ka hequr dorë nga funksionet e veta kushtetuese si kontrollues dhe kufizues i ekzekutivit, gjë që është rrjedhojë e drejtpërdrejtë e sistemit aktual zgjedhor.

Sa i përket shqetësimit të disa demokratëve se listat e hapura favorizojnë oligarkët, kjo duket se injoron faktin se, pavarësisht nëse bëhet fjalë për lista të hapura apo lista të mbyllura, kandidatët për deputetë në këto lloj zgjedhjesh përcaktohen nga partitë përkatëse. D.m.th., vendi nuk rrezikon të favorizojë “oligarkë” në zgjedhje për sa kohë partitë që kanë shanse elektorale, dmth., PS, PD dhe LSI, nuk kandidojnë oligarkë në zgjedhje. Nëse këto parti kandidojnë të tillë, atëhere po, mund të thuhet se në lista të hapura, një oligark ka avantazhe përkundrejt jooligarkëve. Por edhe në këtë rast, listat e hapura duket se janë më pozitive se sa listat e mbyllura. Fjala vjen, në rastin e listave të mbyllura, një oligarku që ka ambicie politike i nevojitet të korruptojë proceset elektorale brenda partisë përkatëse (efektivisht i mjafton të korruptojë kryetarin), në mënyrë që të vendosë emrin e tij në krye të listës së mbyllur. Nga ana tjetër, në rastin e listave të hapura, oligarkut, përveçse që të paguajë te kryetari për të kandiduar veten në një listë partie, i nevojitet gjithashtu të korruptojë edhe një numër jo të vogël votuesish që të mund të zgjidhet. Me një fjalë, lista e hapur ia vështirëson jetën politike oligarkut dhe nuk ia lehtëson.

Në fund fare, kuotat gjinore, d.m.th., nevoja për të pasur gra në parlament, nuk ka pse të garantohet me propozimin aktual të Ramës, atë të hapjes së listave për kandidatët humbës. Ajo mund të garantohet edhe me hapje të listave në masën 100%. Për shembull, gratë dhe burrat e kandiduara të secilës parti renditen në dy lista të veçanta sipas numrit të votave të marra dhe përcaktimi i deputetëve fitues bëhet një-burë-një-grua deri sa të plotësohet kuota 30% gra dhe pas kësaj vijon renditja jogjinore. Rezultati i kësaj është që ne të kemi në parlament gra që kanë marrë më pak vota se sa burrat, por ama, pavarësisht kësaj, gratë e secilës parti do të duhet të konkurrojnë si me burrat ashtu edhe me njëra-tjetrën për të marrë më shumë vota nga elektorati. Kjo natyrisht që do të ndihmonte për të pasur politikanë dhe politikane përfaqësues/e të popullit në parlament dhe jo përfaqësues/e të kryetarit mashkull te elektorati, siç i kemi aktualisht. Dhe kjo do të ndihmonte gjithashtu, së paku teorikisht, që politikanet të kishin një fije dinjitet dhe të kundërshtonin nganjëherë kryetarin mashkull në vend që të jenë, bashkë me deputetët meshkuj, shërbyes besnikë të kryetarit.

Në fund, hapja e listave nuk është mirë që të shikohet si ndonjë shpëtim i madh për demokracinë sepse nuk është i tillë. Në kushtet kur partitë politike kanë zero demokraci të brendshme, si nga kuptimi i institucioneve demokratike në formën e zgjedhjeve, ashtu edhe në formën e kulturës demokratike në formën e tolerancës ndaj mendimit kritik, mundësia për të zgjedhur mes dy apo më shumë kandidatëve të përcaktuar nga i njëjti kryetar, nuk përbën ndonjë zhvillim domethënës në demokratizimin e vendit. E njëjta gjë ndodh edhe me atë punën e oligarkëve, të cilën e kishin si shqetësim demokratët. Nëse votuesit do të kenë mundësi të zgjedhin mes dy oligarkëve që ka kandiduar kryetari, kjo vështirë se përbën lajm pozitiv.

Marrë me leje nga Reporter.al

You may also like...