Pse miratimi i reformës në drejtësi ka rëndësi vendimtare për Shqipërinë

Nëse Partia Demokratike në opozitë nuk detyrohet të miratojë reformën në drejtësi, gjasat janë që do të humbasë, përballë një qeverie që nuk do të fitojë. Por përtej llogarive të ftohta politike, ne shqiptarët kemi shumë për të humbur dhe kjo është arsyeja pse duhet të reagojmë.

DiaryofTirana

Knut Fleckenstein raportohet se ka thënë se nuk arrin ta kuptojë pozicionin e Lulzim Bashës, kryetarit të Partisë Demokratikë në opozitë, në lidhje me refuzimin e tij të vazhdueshëm për të miratuar, atë që duket, çfarëdolloj reforme për drejtësi që të jetë e mundshme dhe kompensimin e këtij refuzimi me propozime të cilat, në thelb, synojnë në fund që reforma në drejtësi të mos bëhet ose të mos funksionojë në mënyrën që synohet të funksionojë, ose të mund të bllokohet në çdo kohë nga opozita sipas dëshirës së saj në të ardhmen.

Unë besoj se e kuptoj Bashën. Refuzimi i tij nuk është i palogjikshëm, siç sugjeron komenti i Fleckenstein. Refuzimi i Partisë Demokratike është produkt i drejtpërdrejtë i realitetit politik në Shqipëri dhe llogarive politike, të cilat, në një vend pa sundim ligji e pa zgjedhje të lira e të ndershme si Shqipëria, janë të ndryshme nga llogaritë politike që mund të bëhen në Europë. Duket qartë se Basha është në situatën “humb-humb”. Nëse reforma miratohet, ajo do të jetë një sukses i madh dhe i pamohueshëm për Ramën, pavarësisht se Basha nuk do të humbasë gjë. Por nëse nuk miratohet, Basha do të humbasë dhe Rama nuk do të fitojë gjë. Nëse nuk miratohet, Rama do të duhet të dalë para shqiptarëve në fushatë nga shtatori i ardhshëm dhe do të vuajë të argumentojë në mënyrë bindëse se ka bërë ndonjë gjë të vlefshme përgjatë katër viteve të fundit, përveç diskutimeve pa fund për reformën në drejtësi, e cila dështoi.

Basha vështetë do të humbasë pasi do të dalë në sytë e shqiptarëve si njeriu që bllokoi edhe për shumë vite aspiratat e shqiptarëve për normalitet, por ai gjithsesi i humbur është.

Kjo është lllogaritja që mund të bëjnë palët politike. Por ka një llogari tjetër, të cilët duhet ta bëjnë shqiptarët. Të njëjtët shqiptarë që, sipas disa sondazheve, mbështesin në shumicë reformën në drejtësi, pavarësisht kompleksitetit të formulave të propozuara të cilat vështirë se mund të kuptohen nga shumica dërrmuese e jona.

Llogaria për shqiptarin e zakonshëm është humbje totale dhe rraskapitëse nga mosmiratimi i kësaj reforme.

Për ne shqiptarët e thjeshtë, nuk ka rëndësi se cila nga palët politike humb më shumë apo më pak nga mosmiratimi i reformës në drejtësi. Udhëheqësit do të vijojnë të kenë zyra, para e makina pavarësisht se sa humbasin. Ne jemi ata që do të paguajmë humbjet dhe kjo, për shumë arsye:

E para, dështimi i reformës në drejtësi do të bindë gjykatësit dhe prokurorët aktualë se janë të paprekshëm dhe se çfarëdolloj gjëje që kanë bërë në të shkuarën apo do të bëjnë në të ardhmen, nuk i rrezikon, për sa kohë nuk kapen me presh në duar apo janë çmendur sa të kërkojnë seks me gratë që paraqiten për divorc në gjykatë, siç qe rasti i gjykatësit të Beratit. Me kaq shumë raste gjykatësish milionerë me pasuri dukshëm të pajustifikuar, pasuri që nuk është cënuar nga sistemi aktual i gjykimit të drejtësisë, pikërisht këta gjykatës dhe prokurorë ka gjasa do të kenë më pak skrupuj në të ardhmen nga sa kanë pasur në të shkuarën. Në mungesë të reformës në drejtësi dhe sistemit të vetingut, gjërat do të shkojnë vetëm në përkeqësim.

E dyta, nëse Shqipëria sot ka drejtësi të keqe, nesër efektivisht nuk do të ketë kurrfarë drejtësie. Një vend pa sistem drejtësie, vështirë se mund të ketë ekonomi.

E treta, lidhja ekzistuese formale dhe informale mes gjykatësve e prokurorëve nga njëra anë dhe politikës nga ana tjetër, ka gjasa që do të forcohet, duke e shtuar nivelin e pandëshkueshmërisë ndaj krimit të zyrtarëve të lartë.

E katërta, me sistemin aktual të drejtësisë, ku çdo gjë është në shitje, Shqipëria, e cila aktualisht është një parajsë për krimin që mund të shijojë frutet e aktiviteteve të paligjshme pa pasur kurrfarë frike që Shqipëria të mund të bëhet ndonjëherë një vend i aftë për të identifikuar dhe konfiskuar paratë e krimit. Me lidhjen politikë-drejtësi-krim që ekziston aktualisht dhe që pritet të fuqizohet më shumë në të ardhmen, Shqipëria do të jetë efektivisht një vend i pabanueshëm për njerëz normalë.

Problemi është se përgjatë këtyre dy viteve të diskutimeve mbi reformën në drejtësi, ne shqiptarët kemi fjetur mendjen me shpresë se faktori ndërkombëtar do të bënte presion mjaftueshëm për të realizuar reformën. Ky presion ndërkombëtar aktualisht nuk duket se po funksionon. Tani rradhën e kemi ne shqiptarët, pikërisht ne që do të dalim të humbur pavarësisht llogaritjeve të politikës.

You may also like...