Pse proporcionali i LSI në zgjedhjet vendore nuk ka kurrfarë rëndësie

Historia e paktë na mëson se vota të tilla nuk japin pushtet real dhe as nuk përbëjnë parashikim për zgjedhje të përgjithshme.

vitin 2000, në zgjedhjet e tetorit për pushtetin vendor, Partia Socialdemokrate e Skënder Gjinushit mori mbi 7.11 për qind të votave të proporcionalit, duke shfrytëzuar faktin që Partia Socialiste i pati dhënë disa ministri të rëndësishme, të cilat qenë përkthyer në një numër të punësuarish në të gjithë vendin dhe rrjedhimisht, në vota proporcionale. Në Vorë, gara në balotazh për zgjedhjet vendore u bë mes kandidatit të PS dhe kandidatit të PSD. Për pak muaj, u duk se Gjinushi me partinë e tij po bëhej faktor kyç në qeverisjen e vendit. Me sistemin elektoral të asaj kohe, maxhoritar i korrigjuar me proporcional kombëtar me lista të hapura ose të mbyllura dhe me këtë rezultat, Gjinushit i binte të merrte shumë deputetë dhe të bëhej aleat përcaktues për PS, siç është sot LSI.

Tetë muaj më pas, në zgjedhjet e qershorit 2001, partia e Gjinushit mori rreth 3 për qind të votave, më pak se gjysmat e suksesit elektoral të realizuar pak muaj më herët. Gjinushi u ankua se Partia Socialiste e pati sabotuar. Pak kohë më vonë, Fatos Nano vendosi t’ia heqë Gjinushit serumin e pushtetit, duke e nxjerrë nga qeverisja, duke ia hequr “drejtorët” nga puna e duke e nisur drejt funeralit politik. Largimi i Gjinushit nga PS krijoi disa terma politik si “parti taksi”, nofkë kjo që ia vuri Fatos Nano, me argumentin se një parti e tillë është si taksi, kur të nevojitet, i hipën, pastaj zbret.

Natyrisht që LSI sot me proporcionalin e saj në shkallë të gjerë, është një PSD në kub, dmth shumë herë më e madhe dhe, ndryshe nga Gjinushi në kohën e Nanos, ka pozicion në maxhorancën e socialistëve.

Por LSI është edhe partia që, pavarësisht votave të shumta të proporcionalit, mori edhe goditjen më të rëndë qytetare të zgjedhjet e së dielës. Kandidatët e saj u refuzuan nga votuesit nga jugu në veri të vendit, duke i dhënë fitoren kandidatëve të PD-së në zona të paimagjinushme si Mallakastra, si dhe duke rrezikuar pushtetin e të majtës në zona që deri dje ishin të padiskutueshme si Berati. Në këtë kuadër, pavarësisht përqindjes së votave në proporcional që LSI ka marrë në zgjedhjet e së dielës në Shqipëri, asaj i mungon vetëm heqja e serumit të pushtetit nga Rama që të nisë rrugën e funeralit politik.

Marrja e 15 apo 20 për qind të votave nga LSI në proporcionalin e zgjedhjeve për pushtetin vendor është reflektim i pjesës disproporcionale të pushtetit që kjo parti kontrollon Shqipëri dhe kjo ndodh për shkak se PS për momentin nuk ka guximin të përballet me këtë parti në zgjedhje.

Sa i përket rezultateve të proporcionalit të arritur nga partitë politike në zgjedhjet e vitit 2015, duhet të kemi parasysh se zgjedhjet për pushtetin vendor kanë sjellë në Shqipëri larmishmëri votash. Pushteti vendor është më i shumtë se sa pushteti qendror. Deri në zgjedhjet e vitit 2011, në Shqipëri votohej për mbi 6400 poste këshilltarësh bashkiakë e komunalë dhe mbi 373 poste kryetarësh komunash e bashkish. Sasia e lartë e posteve për këshilltarë dhe numri shumë i lartë i pjesëmarrësve në garë, pasi çdo parti politike duhej të kandidonte 6400 vetë në të gjithë Shqipërinë, bënte që votat të shpërndaheshin në shumë parti politike.

Por pavarësisht se votat në zgjedhje vendore shpërndahen, fakti është që rezultatet paraprake të vitit 2015 tregojnë se Partia Socialiste më shumë dhe Partia Demokratike më pak, kanë arritur të ruajnë një përqindje të respektueshme votash në proporcionalin e vet.

Të dhënat paraprake tregojnë se PS mund të ketë marrë 26 për qind të votave në zgjedhjet e së dielës ndërsa PD mori rreth 18 për qind. Krahasimi nuk është shumë i vlefshëm për shkak të rënies me pesë herë të numrit të këshilltarëve për këshillet bashkiake.

Në zgjedhjet e vitit 2007, PS pati marrë 23 për qind të votave ndërsa në ato të vitit 2011, 27 për qind.

Në zgjedhjet e vitit 2007, PD pati marrë 21 për qind ndërsa në ato të vitit 2011, mori 20 për qind. PD është gjithashtu një forcë në rënie të mëtejshme edhe në krahasim me vitin 2015, i cili, supozohej se qe tabani nga ku PD nuk mund të binte më poshtë. Kandidatët e saj morën 664 mijë vota në rang kombëtar më 2015 nga 681 mijë vota që pati marrë koalicioni i djathtë në vitin 2013. Largimi i PDIU nga rradhët e opozitës vështirë se shërben si justifikim në këtë rast. Por PD përfitoi nga fakti që një pjesë e votuesve të PS të 2013 vendosën të mos shkojnë në votime kësaj here. Kjo solli që në përqindje, PD të dalë më mirë, por vetëm si përqindje.

Pyetja është se nga kanë dalë votat e LSI për proporionalin. Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje duhet të shohim peshën që do të kenë partitë jashtë grupit të pesë apo gjashtë partive të mëdha. Në tërësi, nuk ka asgjë të pazakontë.

Në total, LSI duhet të konsiderohet e humbura e madhe e këtyre zgjedhjeve. Populli duket se është ndërgjegjësuar, PD po e konsideron armiken kryesore dhe baza e PS po reziston sa te mundet. Problemi i PS është se i mungon guximi. Ajo i ka votat për të qeverisur e vetme. PD është tmerrësisht e dobët dhe LSI është një forcë e menaxhueshme.

Nga zgjedhjet e vitit 2013 deri në zgjedhjet e vitit 2015, rreth 200 mijë shqiptarë vendosën të mos votonin. Përmbledhtazi mund të thuhet se këto mosvotues i ka humbur si PS ashtu edhe PD. Por më së shumti i ka humbur Rama. Kryeministri refuzoi ta shohë këtë mosvotim duke argumentuar se në zgjedhjet për pushtetin vendor pjesëmarrja është gjithmonë “më e ulët”. Kjo nuk e zhbën faktin se 200 mijë vota janë aty, por ato nuk mund t’i marrë dot kush. Imagjinoni, 200 mijë vota janë më shumë nga sa Meta mund të ëndërrojë.

Arsyeja kryesore se pse këto vota i mungojnë PS është aleanca që kjo parti ka me LSI. Reformat vështirë se mund të kenë pasur këtë efekt. Rama e ka mundësinë që t’i rimarrë këto vota në rast se do. Por vijimi i aleancës me LSI thjeshtë sa do ta rrisë numrin e bojkotuesve të PS.

You may also like...