Pse refuzimi i Shqipërisë për armët kimike është shenjë e demokracisë

1119-oalbania_full_600Peter Geoghegan, Christian Science Monitor

SHBA-të i kërkuan Shqipërisë të pranojnë dhe shkatërrojnë armët kimike të Sirisë. Qytetarët thanë jo’ – dhe qeveria e Shqipërisë bëri diçka të rrallë: dëgjoi.

Shqiptarët do të festojnë Pavarësinë e tyre më 28 nëntor, por disa aktivistë në këtë shtet të vogël të Adriatikut po bëjnë thirrje për krijimin e një dite të re kombëtare pushimi më 15 nëntor.

Por jo pse kjo ditë qe e premtja e kaluar, sepse qeveria e Shqipërisë refuzoi kërkesën nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët për të pritur shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë. Më shumë kjo është sepse, duke refuzuar kërkesën amerikane, qeveria bëri diçka që shumë rrallë është parë në Shqipëri: iu bind vullnetit të popullit.

Në një fjalim televiziv, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, tha se “është e pamundur për Shqipërinë të marrë pjesë në këtë operacion.” Njoftimi u përshëndet nga brohoritjet e mbi 2 m ijë protestuesve që patën dalë me parrulla dhe këndonin “jo armëve kimike” jashtë zyrës së Ramës në kryeqytetin e vendit, Tiranë.

“Unë nuk mbaj mend në dy dekadat e fundit të shihja një protestë paqësore në Shqipëri ku qeveria dëgjoi njerëzit, [dhe] më pas çdokush festoi e shkoi në shtëpi. Mendoj se kështu duhet të jetë; është ajo që ne patëm shpresuar përgjatë 20 viteve të fundit,” thotë Besar Likmeta, redaktor me bazë në Tiranë i Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Investigative.

“Rama respektoi premtimin e tij për të dëgjuar zërat e njerëzve.”

SHBA-të ofruan mbështetje ndërkombëtare financiare dhe teknike për Shqipërinë për shkatërrimin e armëve kimike të Presidentit të Sirisë Bashar al Asad në territorin e saj. Shqipëria së fundmi shkatërroi rezervat e veta të armëve kimike por ka një të shkuar shumë të dobët sa i përket sigurisë: në mars 2008, një eksploziv në një fabrikë municionesh afër Tiranës shkatërroi një fshat të tërë duke vrarë 26 njerëz e duke plagosur mbi 300 të tjerë.

Kjo e bëri publikun e Shqipërisë të shqetësohej për pranimin e ofertës amerikane.

“Kërkesa amerikane i provokoi njerëzit. Njerëzit u ndjenë të poshtëruar se po përdoreshin si një kosh plehrash, si koshi i plehrave të Europës dhe SHBA-së,” thotë Likmeta. Demonstratat publike praktikisht ia lidhën duart Ramës dhe qeverisë së tij socialiste që ka dy muaj në pushtet.

Shkalla e protestave – të cilat u zhvilluan jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytete më të vogla në të gjithë vendin – dhe suksesi i tyre janë të paprecedent në një vend që ka vuajtur me tranzicionin drejt demokracisë që nga rënia e komunizmit të ashpër më 1991.

Në janar 2011, policia hapi zjarr në një manifestim të madh të mbështetësve të opozitës në qendër të Tiranës, duke vrarë tre njerëz. Por kësaj here qe ndryshe. Protestuesit u mblodhën pas lajmit të kërkesës së SHBA-ve për Shqipërinë që u publikua nga televizioni shtetëror i Norvegjisë dhe forcat e sigurisë i lejuan të mblidhen lirisht e të shprehnin qëndrimin e tyre pa frikësim.

Protestë e gjerë

Protestuesit u organizuan më së shumti përmes medias sociale, fillimisht mes të rinjve dhe popullatës urbane që përbënë zemrën e mbështetjes për socialistët dhe Ramën.

“Dikush futi idenë në Facebook për të lënë shkollën e për të shkuar në protestë,” thotë Jurgen Pashuku, një student i zhvillimit rural në Universitetin e Tiranës. “Ne u ndjemë të lirë të protestonim, askush nuk na shqetësoi. Qe sikur ne po merrnim vendimin tonë, qe ndjenjë shumë e mirë.”

Protestat qenë spontane dhe në thelb, pa udhëheqës. Politikanët u përpoqën të hyjnë, por u diskurajuan nga demonstruesit. Sali Berisha, një i fortë i politikës shqiptare që prej dy dekadash deri sa u mposht në zgjedhje këtë verë, e gjeti veten të fërshëllyer kur u përpoq të bashkohet me protestën në Tiranë.

“Kur studetët i dhanë Berishës gishtin poshtë, kjo qe diçka që nuk e mendoja kurrë se do ta shihja në jetën time,” thotë Likmeta. “Kjo tregon shumë se si po ndryshojnë gjërat.”

Shpresa tashmë është se suksesi i protestës mund të shkaktojë veprim politik më organik në një vend që ka të shkuar demokratike të dobët dhe një histori regjimesh autokratike.

“Kjo protestë do të na ndihmojë ne të protestojmë për problemet e tjera që kemi, është si të jetë thyer akulli,” thotë Pashuku. Problemet me të cilat përballet vendi, ekonomia, vendet e punës, korrupsioni janë në sytë e shumë shqiptarëve.

“Model për demokracinë?’

Jo të gjithë të rinjtë shqiptarë janë me kaq besim për një ndryshim drejt një demokracie më të fortë. “Kjo qe me të vërtetë e madhe, por unë mendoj se do të duhet ca kohë deri sa shqiptarët të ngrihen për të drejtat e tyre,” thotë shkrimtarja Davjola Ndoja, e cila qe mes protestuesve në kryeqytet javën e kaluar.

Arsyeja se pse demonstratat qenë kaq të suksesshme, thotë Likmeta, është se ajo kombinoi një problem për të cilën njerëzit janë të shqetësuar – armët kimike – me rritjen e zemërimit me gadishmërinë e Shqipërisë përballë kërkesave amerikane.

Një anëtar i NATO-s që nga viti 2009, Shqipëria mbështeti luftërat në Irak dhe Afganistan dhe ofroi strehë për të burgosurit Ujgurë etnikë nga Guantanamo por SHBA-të nuk mund t’i riatdhesonin në Kinë. Më herët këtë vit, Shqipëria ofroi azil për 210 anëtarët e një grupi disident iranian, Muhaxhedin-e Khalq, nën presion nga SHBA.

“Kishte një ndjesi që ne po thonim ‘po’ për çdo gjë pa kuptuar se për çfarë,” thotë Likmeta.

“Por nuk mendoj se kjo do të kthehet në anti-amerikanizëm. Ne shohim ende nga SHBA si model i demokracisë. Kjo nuk do të ndryshojë” – shton ai.

You may also like...