Punësimi i plotë

Objektiv i politikave makroekonomike në shumë vende të botës, përfshirë Shqipërinë e viteve 1945-1990, që sugjeron ndërhyrjen e shtetit në ekonomi për të siguruar kërkesën e nevojshme për punë përmes kontrollit të konsumit në kurriz të inflacionit.

Në ekonomiksin klasik, punësimi i plotë qe i garantuar nga forcat e tregut, për sa kohë nuk kishte kufizime ligjore mbi nivelin e pagave (si p.sh. pagë minimale) dhe që njerëzit ishin të gatshëm të pranonin çfarëdolloj pagese për punën e tyre që tregu ofronte.

John Maynard Keynes argumentoi se në fakt, ekujlibri i supozuar mes kërkesës dhe ofertës në tregun e punës nuk garantonte punësim të plotë për shkak se konsumi mund të mbetej i dobët për periudha shumë të gjata kohore. Zgjidhja e propozuar nga Keynes qe menaxhimi i konsumit nga ana e qeverisë, konkretisht përmes shtimit të shpenzimeve të qeverisë.

Rrjedhimisht, ndërhyrja e shtetit në ekonomi përmes shpenzimeve publike garantonte punësim të plotë në mënyrë më efikase se sa kërkesë-oferta e pakontrolluar e tregut të lirë.

Milton Friedman e plotësoi këtë teori duke sugjeruar se qeveria ka limitet e veta në shpenzimet publike, të cilat, nëse shtohen me tepri, në vend që të shkaktojnë punësim të plotë, shkaktojnë inflacion. Në bazë të teorive të tij, Punësimi i Plotë u zëvendësua si objektiv kryesor i qeverive në shumë vende të botës me objektivin e Stabilitetit të Çmimeve.

Në Shqipëri, Punësimi i Plotë qe objektivi kryesor politik deri në vitin 1992 kur ra komunizmi. Por megjithëse objektivi i qeverisë qe Punësimi i Plotë, të dhëna të ndryshme sugjerojnë se në kohën e komunizmit, veçanërisht në vitet 1980, një pjesë e konsiderueshme e popullsisë qe efektivisht e papunë, pavarësisht këtij objektivi.

Aktualisht punësim i plotë nënkupton situatën ku papunësia është diku pranë zeros por mbi zero, me supozimin se në çdo rast, një numër punëtorësh në ekonomi janë duke u zhvendosur nga një punë në tjetrën dhe janë përkohësisht të papunë. Fjalorthi Ekonomik

You may also like...