Pushimet nga puna, protesta të gabuara nga njerëz të gabuar

Edhe një herë shqiptarët po trajtohen si viktima të rëndomta dhe të parëndësishme të sistemit të grabitjes dhe sërish duket se po reagojnë në mënyrën e gabuar. E kam fjalën për fushatën e pushimeve nga puna të demokratëve e socialistëve nëpër poste të ndryshme në administratën shtetërore, e cila këtë herë duket se ka marrë përmasa të jashtëzakonshme në krahasim me ndryshimet e tjera të pushtetit si dhe për shkak se si demokratët, ashtu edhe socialistët, janë viktima (jo të pafajshme), të krimit të organizuar të quajtur LSI. “Zgjedhjet i ka fituar LSI dhe socialistët po pushohen nga puna njësoj si demokratët,” më tha njëri nga Lezha, të cilin ia pushuan babain (socialist) nga puna në shërbimin pyjor.

Në Korçë, na thonë se në protestë kanë dalë jo demokratët, por socialistët. Në shërbimin pyjor janë pushuar mbi 500 vetë nga puna nën argumentimin e reformës. Këta punonjës, në një pjesë të konsiderueshme duket se janë në ato vende pune prej vitesh, dmth nuk është se janë demokratë. Një miku im u detyrua të hyjë mik te LSI për të ruajtur vendin e punës së nënës së tij, që është dy vjet larg moshës së pensionit, prej 30 vjetësh në të njëjtin vend pune. Te posta shqiptare u pushua nga puna një punonjëse me 30 vjet eksperiencë dhe, nga eksperienca ime personale, punonjësja më e aftë dhe më e mirësjellshme që kam hasur në këtë institucion.

Pushimet nga puna raportohen gjithkund dhe ndodhin para së gjithash nëpër zyrat e kontrolluara nga LSI, e cila duket se ka marrë gati gjysmën e shtetit. Pushimet janë bërë një infeksion që ka rrëmbyer demokratë e socialistë.

Reagimet e njerëzve ndaj kësaj situate janë të papërputhshme me shkaqet. Disa po organizohen nga Partia Demokratike për të protestuar, jo kundër Metës, por kundër Ramës. Disa që e ndjejnë veten socialistë, po i lëpihen deputetëve impotentë socialistë për t’i mbrojtur, por ata nuk i mbrojnë dot. Një pjesë thjeshtë sa janë dorëzuar përballë situatës. Shqipëria është një vend ku grabitja është ligj. Urime të pushuarve demokratë nga puna që po keqpërdoren për llogari të Lulit apo të atyre socialistë që po u lëpihen deputetëve të vet. Ky vend nuk mund të bëhet nga Ju!

You may also like...