Putin po drejton ngjarjet në Ukrainë, tashmë është koha që Perëndimi të reagojë

soldiers block a road to military airport BelbekNë kërcënimin më të madh për sigurinë që nga luftërat e Ballkanit, udhëheqësit perëndimorë po tregohen të dobët në ngjarjet që po shpalosen me shpejtësi

The Guardian

Një nga tiparet alarmuese të krizës në gadishullin e Krimesë në Ukrainë është vetëbesimi habitës me të cilin Vladimir Putin po ndjek axhendën e vet atje dhe në Ukrainën lindore.

Me shpejtësi, trupat Ruse nga flota e Detit të Zi – siç është pranuar tashmë nga kryeministri pro-rus i Krimesë – ka kapur aeroportet dhe vendet e tjera strategjike, përfshirë ndërtesat e qeverisë dhe qendrat televizive.

Sabotuesit kanë dëmtuar kabllot me fibra optike që lidhin Krimenë me Ukrainën. Ka raporte të pakonfirmuara për përpjekje për të kapur një bazë me raketa të mbrojtjes ajrore dhe për zbarkimin e ushtarëve me mjete amfibe. Të shtunën, dhoma e lartë e parlamentit të Rusisë votoi unanimisht për të miratuar një ndërhyrje që sakaq kishte filluar.

Për ata që janë të njohur me strategjinë politike dhe ushtarake të Rusisë, lëvizjet e fundit janë të njohura dhe kanë ndodhur shpesh në të shkuarën, janë si të thuash, lëvizje të nxjerra nga manualet e ushtrisë së vjetër të Rusisë – ka një theksim të manipulimit, surprizës dhe provokimit përmes të cilës krijohet një ndjesi krize e pasuar nga një thirrje për ndihmë.

Nëse kjo do të ndjekë ngjarjet e Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë, ku paqëruajtësit rusë pushtuan dhe efektivisht aneksuan territore, kjo është pika e referencës në një gadishull me popullsi të madhe rusisht-folëse dominuar si nga baza e Flotës së Detit të Zi në Sevastopol ashtu edhe nga bazat e mëdha të komandës jugore të Ushtrisë së Rusisë përgjatë kufirit në Krasnodar dhe në Rostov mbi Don. Duket se ky (aneksimi) është qëllimi aktual.

Është pikërisht për këtë arsye – kombinuar me karrigen e Rusisë në këshillin e sigurisë dhe statusin e saj si fuqi bërthamore – që Putini ka hapësirë të madhe për të manovruar në Krime. Sanksionet potenciale kundër Moskës janë të kufizuara te gjëra simbolike, veçanërisht tashmë që lojërat olimpike dimërore kanë përfunduar.

Ajo që i vë kapakun për qeverinë e re të Ukrainës në Kiev dhe për Bashkimin Europian, është dëshira për të shmangur një zgjerim të konfliktit, i cili mund të ndodhë në kufijtë e Europës.

Realiteti është që një Ukrainë sakaq e dobët dhe e ndarë nuk mund të rrezikojë një konfrontim me Moskën, paradoksalisht fuqinë që supozohej të garantonte sigurinë e kufijve të saj pasi Ukraina hoqi dorë nga armët bërthamore kur Bashkimi Sovjetik u rrëzua. Në të vërtetë, për t’i kujtuar Kievit se çfarë është në lojë, ministria e energjisë së Rusisë – e cila është përdorur nga Putini më herët si një mekanizëm i fuqishëm ekonomik kundër Ukrainës – lëshoi një kujtesë të qartë se sa shumë Kievi i detyrohet në fatura të prapambetura Gazpromit për importet e gazit.

Rivendosja e ndikimit të Rusisë mbi Krime, edhe nëse ndalon në këtë pikë, plotëson dy funksione të mbivendosura. Ajo thekson interesin afatgjatë strategjik të Moskës atje dhe pengon qeverinë e re të Ukrainës në përpjekjen për të vendosur autoritetin e vet në lindje në vendit, veçanërisht në prag të zgjedhjeve të 25 majit.

Sakaq aksionet në Krime kanë shkaktuar reagim të pashmangshëm në qytete të tjera si Donetski në lindje, ku ndjenjat e fuqishme pro-ruse janë të dukshme.

E gjitha kjo do të thotë se në terma afatshkurtra, nga kjo krizë do të dalë një Ukrainë e copëtuar, e ndarë dhe gjithnjë e më e varfër, e ndoshta politikisht dhe ushtarakisht impotente. Kjo e gjitha i shkon për shtat Putinit. Ajo që është e vështirë të parashikohet, është se si do të reagojnë SHBA-të dhe BE-ja përtej shprehjes së zemërimit dhe shqetësimit, pasi janë anashkaluar me kaq efikasitet përgjatë dy ditëve të fundit. Po kaq është e qartë se kur institucionet politike perëndimore janë përpjekur të penetrojnë fqinjët e Rusisë – sugjerimi i zgjerimit të NATOs në Gjeorgji psh, apo integrimi më i madh i Ukrainës në BE, Moska ka shkelmuar fort në të dyja rastet.

Përpjekja e vetme konkrete deri tani ka qenë kërcënimi i Barack Obama për të bojkotuar samitin e tetë vendeve më të industrializuara G8, në Soçi në qershor, dhe për të mbështetur sekretarin e përgjithshëm të OKB-së Ban Ki-moon në angazhimin e të dërguarit të tij të posaçëm Rober Serry në Krime për të kërkuar një zgjidhje me bisedime. Deri tani Serry është refuzuar.

Një gjë është e sigurtë: kriza aktuale përbën kërcënimin më të madh për sigurinë në Europë që nga luftërat e Ballkanit dhe udhëheqësit perëndimorë, përfshirë Obamën dhe David Cameron (i cili ka folur në telefon me Putinin), nuk kanë qenë mbresëlënës në përgjigjen e tyre, duke demonstruar dobësi gjatë shpalosjes së ngjarjeve. Për tani, Putin është përpara në lojë. Është koha që bashkësia ndërkombëtare të rikuperojë disavantazhin.

You may also like...