Qeveri e madhe
(Koncepti shqiptar) Kur kryeministri e ndjen veten të pafuqishëm në maxhorancën e vet parlamentare, krijon sa më shumë ministri të jetë e mundur për të patur sa më shumë ministra. Kulmi u arrit me qeverinë Meta 3, kur u krijuan mbi 20 e kusur poste ministrore, ku disa ministra nuk kishin as zyra dhe as funksione, por kishin titullin ministër. Dritani Prifti qe në atë kohë Ministër i Energjetikës, një ish-agjenci që kishte për detyrë të hartonte strategjinë energjetike të vendit. Puna e tij më e madhe si ministër qe një studim që tregonte se matur me kalori, elektriciteti qe një burim energjie më e lirë se sa nafta në Shqipëri. E tillë pritet të jetë qeveria 2013-2017. (Koncepti ndërkombëtar) Kur qeveria beson se shteti duhet të jetë si një baba për të gjithë qytetarët, mbledh shumë taksa dhe kryen shumë funksione publike, përfshirë shërbime të mirëqënies shoqërore. Fjalorthi Politik Shqiptar