Qeveria e Shqipërisë dështon të mbajë premtimet për ish-të përndjekurit

Gjergj Erebara, BIRN

Qeveria e Shqipërisë ka propozuar në parlament një ndryshim në ligjin për kompensimin financiar të ish të burgosurve të regjimit komunist, por ndryshimet e propozuara nuk përmbushin asnjë nga premtimet elektorale të Partisë Socialiste të dhëna para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013.

Projektligji i ri synon të lejojë qeverinë të dëmshpërblejë fillimisht ish-të përndjekurit që janë gjallë duke përqendruar fondet e pakta në ndihmesë të të mbijetuarve në moshë të thyer ndërsa lë për më vonë dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve që nuk i kanë mbushur ende 70 vjeç apo trashëgimtarëve të të përndjekurve.

Ligji i vjetër i ndante fondet në dispozicion të ish-të përndjekurve në mënyrë të barabartë mes të gjithë aplikantëve ndërsa ligji i ri sanksionon që 70 për qind e fondeve t’u jepen ish të përndjekurve të moshuar ndërsa pjesa tjetër të ndahet për më të rinjtë si dhe trashëgimtarët e të përndjekurve.

Ministri i Mirëqënies Sociale Erjon Veliaj, debatoi së fundmi në parlament me ish-ministrin e Financave Ridvan Bode duke deklaruar se qeveria paraardhëse i përdori fondet në dispozicion të të përndjekurve për fushatë elektorale, duke iu referuar disbursimit të këtyre fondeve në muajt para zgjedhjeve, ndërsa Bode tha se qeveria e sotme nuk i ka mbajtur premtimet elektorale.

Në programin e saj elektoral, Partia Socialiste pati premtuar dëmshpërblimin brenda vitit të parë të qeverisjes të të gjithë ish të përndjekurave femra që kanë moshën mbi 70 vjeç dhe të gjithë ish të përndjekurve meshkuj që kanë moshën mbi 75 vjeç.

Në projektligjin e ri argumentohet se përmbushja e këtij detyrimi kërkon një fond prej afro 80 milionë dollarësh, ndërsa fondi i vënë në dispozicion nga qeveria aktualisht është 18 milionë dollarë.

Pyetur nga BIRN mbi premtimet elektorale për ish të përndjekurit, një zëdhënës i Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë në Tiranë tha se projektligji i ri synon t’i hapë rrugë shpërndarjes së fondit të mbetur të këtij viti prej 18 milionë dollarësh ndërsa shtoi se shpresonte që për vitin 2015 fondi të rritet.

Para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013, Partia Socialiste publikoi një listë të gjatë premtimesh për ish të përndjekurit, mes të cilave, mbylljen e dëmshpërblimit brenda katër viteve të mandatit të vet qeverisës, rishikimin në rritje të masës së dëmshpërblimit, krijimit të monumenteve në përkujtim të vuajtjeve si dhe ndihmë ligjore për gjetjen e varreve të të zhdukurve.

Mes tyre, çështja më e prekshme, ajo e mbylljes së dëmshpërblimit, mbetet e paplotësuar.

Pyetur për premtimet e tjera të programit elektoral, Ministria e Mirëqënies i tha BIRN se “këto premtime nuk janë objekt i ndryshimeve ligjore aktuale” dhe se një grup pune është krijuar për t’i shqyrtuar ato.

Mbi 21 mijë viktima të regjimit komunist aplikuan për dëmshpërblim financiar prej 20 dollarësh për çdo ditë të kaluar në burg për arsye politike në vitin 2008. Qeveria shqiptare llogarit se do të nevojiten rreth 450 milionë dollarë për të kryer dëmshpërblimin, por ka dhënë aktualisht jo më shumë se 18 milionë dollarë në vit dhe shqetësimi është se shumica e të mbijetuarve nuk do të arrijnë të përfitojnë kompensim për sa kohë janë ende gjallë.

You may also like...