Qeveritë ‘disfunksionale’ të Ballkanit pengojnë demokracinë

albaniaSinisa Jakov Marusic BIRN, Shkup

Një raport i ri nga Shtëpia e Lirisë (Freedom House) e renditi Kosovën, Bosnjën, Shqipërinë dhe Maqedoninë në vendet e fundit në rajon sa i përket standardeve të demokracisë.

Kosova u konsiderua si vendi më i keq në rajon me vlerësim për demokracinë në masën 5.14 në një shkallë nga 1 në 7 ku 1 përfaqëson nivelin më të lartë të progresit demokratik dhe 7 përfaqëson autoritarizmin më të keq.

Kosova u përshkrua si një “regjim autoritar gjysmë i konsoliduar”, por Freedom House vërejti përmirësime në proceset elektorale si dhe mes shoqërisë civile.

Me 4.43 pikë, Bosnja dhe Herzegovina u përshkrua si një vend që ka “një qeverisje tranzicionale, ose regjim hibrid”. Bosnja ka mësuar rënie në standardet e qeverisjes demokratike atje.

Shqipëria vijon të konsiderohet si një regjim “hibrid” me 4.18 pikë të arritura në demokraci. Raporti vëren disa përmirësime në procesin elektoral.

Maqedonia mori notën 4. Raporti vëren një rënie të vazhdueshme të pavarësisë së medias dhe luftës kundër korrupcionit, gjë që i dha këtij vendi përshkrimin e një regjimi “tranzicional” drejt të qenit “hibrid”.

“Ballkani shënoi disa zhvillime pozitive gjatë vitit, përfshirë anëtarësimin e Kroacisë në Bashkimin Europian dhe marrëveshjen historike mes Kosovës dhe Serbisë.”

Gjithsesi, “qeveritë disfunksionale vijojnë të çojnë poshtë vlerësimin e demokracisë në rajon në përgjithësi,” thuhet në raport.

Raporti Kombe në Tranzicion është një studim që publikohet çdo vit nga Freedom House dhe mat zhvillimin demokratik në 29 vjende post-Komuniste nga Europa Qëndrore deri në Euroazi.

Raporti i këtij viti përfshin zhvillimet gjatë vitit 2013 dhe mat progresin në bazë të shumë indikatorëve, përfshirë proceset elektorale, shoqërinë civile, pavarësinë e medias dhe qeverisjen demokratike kombëtare, qeverisjen vendore, kuadrin ligjor dhe pavarësinë e gjykatave si dhe korrupsionin.

Mali i Zi, Kroacia, Serbia, Rumania dhe Bullgaria janë renditur më lartë në listë dhe përshkruhen si “demokraci gjysmë të konsoliduara”.

Mali i Zi mori 3.86 pikë, Kroacia, 3.68, Serbia 3.64 dhe Rumania 3.46 pikë. Bullgaria u rendit më e mira në rajon me 3.25 pikë.

Jashtë rajonit të Ballkanit, Freedom House përmendi ndikimin jodemokratik të Rusisë mbi fqinjët e vet si një nga faktorët për rënien e përgjithshme të demokracisë në shumë vende.

Rusia përshkruhet si “regjim autoritar i konsoliduar” dhe mori notën 6.29.

 

Vlerësimi për Shqipërinë

Vlerësimi i përgjithshëm për Shqipërinë u përmirësua këtë vit nga 4.25 në 4.18 pikë. Sipas Freedon House, Shqipëria shënoi përmirësime të ndjeshme gjatë viteve 2006-2007, por filloi të humbasë nga demokracia pas vitit 2009, (zgjedhjet e atij viti, Gërdeci etj) deri sa filloi të rrëshqasë drejt autoritarizmit në vitet 2011 dhe 2012. Në vitin 2012 u shënua niveli më i keq që nga viti 2005 dhe më 2013, falë ndryshimit të qeverisë, u përfitua një përmirësim.

You may also like...