Referendumi: Arma ‘demokratike’ e Hitlerit për të farkëtuar një diktaturë

Referendumi është një mjet politik demokratik kur ai ushtrohet anash partive politike. Por referendumi i kryer pas realizimit të faktit, rezulton gjithashtu si mjeti i parapëlqyer i diktatorëve për të legalizuar një situatë të paligjshme. Historia politike e Hitlerit na mëson diçka në këtë drejtim.

Banderole per referendumin e vitit 1934. Thuaj "po" per kapjen e postit te presidentit nga kryeministri, ose thjeshte, thuaj po per Fyrherin

Banderole per referendumin e vitit 1934. Thuaj “po” per kapjen e postit te presidentit nga kryeministri, ose thjeshte, thuaj po per Fyrherin

Marrë me shkurtime nga Steve Douglas

Kaosi që quhej Veimar

Pasi Gjermania u mposht në Luftën e Parë Botërore, qeveria perandorake u shpërnda dhe një sistem parlamentar i Republikës së Veimarit u imponua. Traktati i Versajës, i cili i dha fund Luftës së Parë Botërore, përcaktoi se Gjermania qe përgjegjësja e vetme për shpërthimin e luftës; asaj iu kërkua të paguajë 33 miliardë dollarë ose 132 miliardë marka ari te Aleatët: rajoni i Rinelandit duhej të demilitarizohej; Saarlandi duhej të shkëputej nga Gjermania; Ushtria e Gjermanisë nuk duhej të kishte më shumë se 100 mijë ushtarë; kufijtë e Gjermanisë u rishkruan etj. Shkurt, kushtet e pamëshirshme të Traktatit garantuan shpërthimin e konfliktit të ri.

Kaosi ekonomik dhe financiar pasuan shpejt. Marka gjermane, e cila kishte vlerën 4 marka = 1 USD më 1919, ra në 75 marka për USD më 1921 dhe 400 më 1922. Në fillim të vitit 1923 duheshin 7 mijë marka për dollarë. Nga 1 korriku u deshën 160 mijë. Në gusht, 1 dollar kushtonte 1 milionë marka ndërsa në nëntor u deshën 4 miliardë! Qe në mes të këtij kausi që Nazistët ndërmorrën një tentativë të pasuksesshme për grusht shteti në shtetin e Bavarisë më 1923. Gjatë qëndrimit të tij të shkurtër në burg, Hitleri doli në konluzionin se përpjekjet e tij për pushtet diktatorial do të qenë të suksesshme vetëm në rast se ai vepronte – ose së paku dukej sikur vepronte – përmes mjeteve të ligjshme të praktikës politike.

Kështu nddhi që Partia Naziste hyri në një fushatë elektorale që synoi t’i hapte rrugën drejt pushtetit. Në zgjedhjet për Reishtagun më 1928, Nazistët morën vetëm 810 mijë vota se 12 deputetë. Ata qenë partia e nëntë dhe më e vogël e kombit në atë kohë. Sa për krahasim, Komunistët fituan 3.3 milionë vota dhe 54 deputetë. Në shtator 1930, një vit pas kolapsit të bursës së Uoll Stritit, një vit depresioni ekonomik botëror dhe gjashtë muaj pas masave brutale të shkurtimit të shpenzimeve nga regjimi i Kancelarit Heinrich Bruning, nazistët shpërthyen në skenën elektorale. Në zgjedhjet për parlament, Hitleri mori 6.4 milionë vota dhe 107 deputetë duke u bërë partia e dytë më e madhe në vend.

Ndërsa papunësia u rrit në mbi 6.5 milionë njerëz ose 25 për qind e forcës së punës, të ardhurat e familjeve ranë me 40 për qind në krahasim me nivelin e tyre në vitin 1929, nazistët arritën fitore fenomenale kur më 1932 morën 13.7 milionë vota dhe 230 vende në parlament. Në këtë pikë nazistët qenë partia më e madhe ndërsa socialdemokratët qenë me 133 deputetë në vend të dytë.

Ndërsa numri i deputetëve nazistë në Reishtag u rrit, disfuksionaliteti i parlamentit u rrit gjithashtu. Mes viteve 1920 dhe 1930, ligjvënësi u mblodh mesatarisht 100 herë në vit. Mes tetorit 1940 dhe shkurtit 1931, Reishtagu u takua vetëm 50 herë dhe seancat u shkatërruan nga demonstrata të koordinuara të organizuara nga partia Naziste. Në këtë mënyrë, i njëjti Hitler i cili në fjalimet e tij denonconte “politikanët që shikonin interesin e tyre si përgjegjës për paralizimin e qeverisë,” po drejtonte deputetët e tij që të kryenin të njëjtën paralizë. Në shkurt 1931, Reishtagu vendosi që të mos mblidhej për gjashtë muaj për shkak se partitë e ekstremit të majtë dhe të djathtë protestuan ndaj rregullave që synonin ta bënin më të vështirë për to që të pengonin funksionimin e parlamentit në tërësi. Mes marsit 1931 dhe fitores tjetër zgjedhore të nazistëve në korrik 1932, Reishtagu u takua vetëm 24 herë; dhe mes gushtit 1932 dhe ngjitjes së Hitlerit si kancelar më 30 janar 1933, parlamenti u mblodh vetëm tre herë.

Diktatura njëpartiake

Hitler këmbënguli menjëherë pasi u bë kancelar për zhvillimin e zgjedhjeve të reja parlamentare me shpresë se Partia Naziste do të siguronte një shumicë dërrmuese. Përgjatë fushatës, Hermann Goring, ortaku kryesor i Hitlerit dhe pasardhësi i tij i paracaktuar, i cili njëkohësisht qe kreu i aparaturës policore të shtetit të Prusisë, në mënyrë sekrete organizoi një sulm me zjarr duke i vënë flakën Reishtagut më 27 shkurt dhe deklaroi se ky qe një komplot i komunistëve për të përmbysur qeverinë.

Presidenti Hindenburg firmosi Notverordnung, një akt që i dha fuqi Hitlerit të sundonte me dekrete emergjence. Megjithatë, pavarësisht të gjitha kësaj, Partia Naziste fitoi vetëm 44 për qind të votave. Hitleri e thirri Reishtagun e ri më 21 mars 1933, me synimin e vetëm për të miratuar një ligj që do t’i jepte atij të drejtën të sundonte përmes dekreteve. (Sot në Shqipëri ne kemi një instrument të ngjashëm të quajtur Akt Normativ). Partitë parlamentare jo-naziste dhe anti-naziste, të cilat sërish kishin shumicën në parlament, ranë në gabimin idiot të pranimit të negocimit të kërkesës me shpresë se do ta shmangnin miratimin e saj duke përdorur kleçka procedurale. Megjithatë, pak ditë pasi Reishtagu u rimblodh, ligji i kërkuar nga Hitleri u miratua dhe ai u konfirmua si “diktator i ligjshëm” i Gjermanisë, ndërsa sërish shërbente nominalisht nën autoritetin e presidentit. Brenda katër muajve që pasuan, Hitleri dekretoi shpërndarjen dhe nxjerrjen jashtë ligji të të gjitha partive të tjera, të cilat u shpallën si “të shpërndara vullnetarisht”. Më 14 korrik 1933, Gjermania formalisht u bë një diktaturë njëpartiake, kur Hitleri dekretoi një ligj ku shkruhej: “Partia Nacional Socialiste e Punëtorëve Gjermanë” përbën të vetmen parti politike në Gjermani.

“Kushdo që krijon dhe mban një strukturë organizative të një partie tjetër politike apo krijon një parti tjetër politike do të dënohet me punë të detyruar për tri vjet ose me burgosje nga gjashtë muaj deri në tri vjet, në rast se vepra e tij nuk është njëkohësisht një vepër tjetër penale më e rëndë.”

Hitleri realizoi kështu fitoren e shumicës absolute në Reishtag. Çfarë bëri ai me këtë? Reishtagu u mblodh vetëm 12 herë mes marsit 1933 dhe 1 shtatorit 1939, kur Hitleri hyri në Luftën e Dytë Botërore duke sulmuar Poloninë. Parlamenti miratoi gjatë këtyre viteve vetëm katër ligje; ajo nuk zhvilloi debate dhe nuk dëgjoi kurrë fjalime përveç fjalimeve të Hitlerit.

Reishtagu gjithsesi tejkaloi veten më 26 prill 1942, kur, vetëm gjashtë muaj pasi Hitleri i pati shpallur luftë Shteteve të Bashkuara dhe më pak se një vit pasi pati sulmuar Bashkimin Sovjetik, i dha Fyhrerit fuqi absolute mbi jetën dhe vdekjen e çdo gjermani, dhe thjeshtë pezulloi të gjitha ligjet që mund ta pengonin.

Plebishitet e Hitlerit

Qe në këtë kontekst të përgjithshëm që Hitleri kreu plebishitet e tij, apo referendumet. Ai i përdori këto referendume si një mënyrë për të mbajtur iluzionin e procesit demokratik, kur, në realitet, një diktaturë njëpartiake dhe një shtet policor sundonin vendin. Plebishitet ofronin gjithashtu një mjet përmes të cilit Hitleri mund të çimentonte lidhjen e tij psikologjike dhe emocionale me popullsinë, duke i mobilizuar ato mbi çështje të caktuara. Një plebishit apo një referendum, për nga përkufizimi është një votim po ose jo, mbi një çështje të caktuar. Në këtë kuptim, ajo është “demokraci” përmes turmës. Në një referendum, populli nuk nxitet të mendojë për çështje komplekse, probleme të ndërlidhura apo të gjykojë aftësitë konjiktive të një numri kandidatësh që konkurrojnë për një zyrë në një qeveri prfaqësuese: ata nxiten thjeshtë të votojnë “po ose jo” në një çështje të caktuar. Kështu, nuk është surprizues që plebishitet janë mjetet e parapëlqyer në Perandorinë Romake. Në fakt, një lloj plebishiti praktikohej çdo ditë në Koloseumin e Romës, kur spektatorët votonin “gishtin lartë” apo “gishtin poshtë” – ‘po ose jo’ për të përcaktuar nëse kristianët apo gladiatorët do të jetonin apo vdisnin pas një përleshjeje. Nuk është surprizë që diktatori fashist adhurues i Cezarit, Napoleoni, qe personi që e rigjallëroi përdorimin e plebishitit në kohët moderne, kur ai e shpalli veten Konsull të Parë të Francës më 7 shkurt 1800. Në atë rast mbresëlënës demokratik, 3 milionë vota në Francë thanë ‘po’ për Napoleonin si sundimtar i tyre i ri (diktator) dhe 562 thanë ‘jo’.

Hitleri nuk e gëzoi kurrë në fakt këtë nivel “mbështetjeje”, por iu afrua. Pati katër referendume të mëdha të organizuara nga Hitleri. I pari qe më 12 nëntor 1933, kur populli gjerman u thirr për të ratifikuar vendimin e Hitlerit për t’u tërhequr nga Konferenca e Çarmatimit të Gjenevës dhe nga Lidhja e Kombeve. Nëntëdhjetë e gjashtë për qind e votuesve të regjistruar dolën të votojnë dhe 95 për qind e tyre e ratifikuan tërheqjen. Madje u raportua se edhe 2,154 nga 2,242 të burgosur në kampin e përqendrimit të Dakau votuan ‘po’ për tërheqjen!

Referendumi i dytë u zhvillua më 19 gusht 1934, kur tema qe ratifikimi i uzurpimit të paligjshëm naga ana e Hitlerit të postit të Fyrherit, pas vdekjes së Presidentit Hindenburg. Hitleri rrëmbeu pushtetin e presidentit duke bashkuar postet e kryeministrit dhe presidentit dhe vetëm pasi e bëri këtë, refuzoi të zhvillojë zgjedhje për president por thirri për referendum. Nëntëdhjetë e pesë për qind e votuesve morën pjesë dhe 90 për qind e tyre, mbi 38 milionë njerëz, votuan ‘po.’ Kjo, natyrisht qe shumë më ndryshe nga rezultati që Hitleri pati siguruar vetëm 18 miaj më parë, kur nazistët e tij patën marrë vetëm 17 milionë vota ose 44 për qind. Votat më të tepërta të fituara në referendum qenë si pasojë e faktit se Hitleri nuk po konkurronte përballë një kundërshtari, siç patën vepruar nazistët më 5 mars 1933. Një referendum nuk mandaton, as nuk kërkon as nuk lejon një opozitë politike të organizuar – ajo thjeshtë kërkon ‘po ose jo’. Plebishiti i tretë u zhvillua më 29 mars 1936, me synimin e ratifikimit të pushtimit ushtarak të Rinelandit nga ana e Hitlerit. Pushtimi qe kryer tashmë duke shkelur Traktatin e Versajës por gjermanët u thirrën për të miratuar faktin e kryer. Nëntëdhjetë e nëntë për qind e votuesve të regjistruar morën pjesë dhe 98.8 për qind votuan “pro” pushtimit.

Plebishiti i katërt u zhvillua më 10 prill 1938, për të ratifikuar aneksimin e Austrisë nga Gjermania. Edhe kjo qe kryer para referendumit. Mbi 99 për qind e votuesve votuan ‘po’.

You may also like...