Reforma në drejtësi me fjalë të thjeshta
Ose, çohu hoxhë, të ulet prifti
- Ne duhet të kemi një president që duhet të jetë i pavarur, burrë i mençur e i ndershëm, i cili mbikëqyr sistemin e drejtësisë si babaxhan. Por ky president zgjidhet nga politikanët, të cilët e zgjedhin të varur, aspak të mençëm dhe shumë besnik ndaj udhëheqësit politik. Rrjedhimisht ai nuk e mbikëqyr sistemin e drejtësisë. Reforma konsiston që ne ta zëvendësojmë këtë president me një “quasi-president” të veçantë për sistemin e drejtësisë.
- Ne kemi presidentin që duhet të zgjedhë gjykatësit kushtetues dhe gjykatësit e lartë si personat më të mirë e më të ndershëm në vend. Këto që zgjedh presidenti, duhet t’i “pëlqejë” parlamenti. Problemi është që presidentin na e kanë zgjedhur politikanët dhe rrjedhimisht ai zgjedh gjykatës kushtetues e të lartë sipas dëshirës së politikanëve që kanë zgjedhur presidentin. Reformë do të thotë që ne të zgjedhim gjykatësit e lartë me një “quasi-president” dhe një “quasi-parlament” tjetër.
- Ne kemi parlament ku teorikisht duhet të ulen më të mençurit e kombit. Ky parlament duhet të zgjedhë kryegjykatës të aftë dhe të ndershëm. Problemi është që deputetët na i zgjedhin politikanët kryetarë partish, dhe shpesh na i zgjedhin me ose pa shkollë, të ose të pandershëm, të fortë ose palluqe, etj. etj. etj. Për rrjedhojë, ne krijojmë një institucion që do të përzgjedhë para se të përzgjedhin deputetët, kandidatët për kryegjykatës.
- Ne kemi prokurori të centralizuar, të kontrolluar nga një kryeprokuror. Problemi është se kryeprokurori zgjidhet nga parlamenti, (nënkupto: kryetarët e partive të maxhorancës parlamentare) dhe rrjedhimisht ai mundet ose mundet të mos i fusë në burg ata që e kanë zgjedhur. Reforma: e bëjmë prokurorinë të decentralizuar ku çdo prokuror është kryeprokuror dhe i merr vendimet vetë.
Tani, me ose pa reformë në drejtësi, kryetarët e partive janë po ata. Janë po ata që do të duhet të zgjedhin quasi-presidentin dhe quasi-parlamentin që do të zgjedhin kryegjykatësit.
Ps. Ndoshta ne na duhen kryetarë partish normalë, jo anormalë.