Retorika ambigue e shkëlqesisë së tij.

Po përse shkëlqesia e tij na përmend një e dy që Shqipëria nuk është myslimane por është evropiane? Kush ia ka futur në mendje shkëlqesisë së tij se Shqipëria është myslimane? E vërteta është që Republika e Shqipërisë është një republikë laike, që i trajton fetë në mënyrë të barabartë dhe që pranon lirinë e besimit dhe shprehjes. Kështu që asnjë nga vendet e BE nuk mendon që Shqipëria është myslimane apo jo.

Xhabyni

Pasi kishe fituar zgjedhjet në Shqipëri, kryeministri Rama filloi një tur vizitash në krah të kryeministrit turk. Aq e madhe ishte dashuria e kryeministrit tonë ndaj atij turk sa që kur shkoi në Ankara ai mori me vete dhe ekipin e ardhshëm qeveritar për t’ia prezantuar Erdoganit. Kulmin e gjithë kësaj dashurie dhe miqësie e pati Tetori i vitit të shkuar ku kryeministrat e Kosovës, Shqipërisë dhe Turqisë u puqën në Prishtinë për inaugurimin e aeroportit “Adem Jashari” dhe më pas në Prizren për të përkujtuar Lidhjen e Prizrenit.

Të dëgjoje asokohe fjalimet e kryeministrit Rama për një vëllazëri me turqit, për lidhje të historisë apo edhe të shihje se si ky i fundit kundronte gjithë endje dhe dashuri kryeministrin turk teksa fliste fuqishëm si një patriark bijve të tij. e gjithë kjo skenë, e cila po të bëhej nga Berisha do ta kryqëzonin, ngeli thuajse në heshtje nga ana e ruajtësve të identitetit oksidental. Këto të fundit do ta kishin kryqëzuar për së gjalli Berishën apo këdo tjetër nëse do i kish thënë këto fraza. Por, siç pritej llogoristët e identitetit oksidental që gjuajnë me goditje të urdhëruar edhe asnjëherë pa shenjë e sinjal, heshtën. Shpërblimi për këtë heshtje ishte emërimi i tyre nëpër poste të ndryshme.

Disa muaj më vonë, Shqipëria për të disatën herë ngeli në klasë sepse statusin nuk ia dhanë. Ta shohësh objektivisht opozita e djeshme ishte fajtore që ngelëm në klasë, mirëpo ato mënuan që t’ia hedhin fajin më të dobëtit në shoqërinë tonë. Pra, fajin e kishte Konferenca Islamike e për rrjedhojë Berisha që na futi në konferencë. Burimi i kësaj batute ishte çuni flori të cilin e kapën me presh në dorë njerëzit e tij. por ai veten nuk e sheh fajtor, fundja në shoqërinë e horrave që jetojmë gjykata e shpalli të pafajshëm, a mund t’i vësh faj xhanëm për pafajësinë e tij?

Që nga dhjetori i vitit të shkuar e deri në qershor, mazhoranca e përdori si mos më mirë të gjitha alibitë për mos marrjen e statusit. Natyrisht që ideologjia që Evropa duhet të na dojë, që ajo s’ka ku shkon pa ne, që Evropën ne nuk e duam me mik por do ta marrim vetë e kështu me radhë ishin vetëm për përdorim të brendshëm. Kjo politikë menefregizmin ishte e sigurt që do të funksiononte në kahun e Ramës, përse?

Duke qenë se Shqiptarët kanë vite me radhë që ushqehen me ideologjinë e BE-së dhe arritjes së saj atëherë do të ishte e udhës që kjo ideologji të kthehej në invers. Pikërisht që edhe në një rast eventual dështimi të marrjes së statusit qeveria të kishte një farëlloj alibie. Kështu  shpikën termat e rikthimit të fashistëve në Evropë, urrejtjes ndaj myslimanëve, identiteti mysliman e kështu me radhë.

E gjitha kjo ishte e mirë studiuar sepse për asnjë moment nuk u përhap në rangje historianësh apo llogoreve të artikullshkruesve. Rama dhe ekipi i tij propagandistik e ruajtën këtë alibi (që kurrën e kurrës nuk është përdorur publikisht nga anëtarët e BE kundër Shqipërisë) në mënyrë që të mos sulmoheshin nga opozita.

Siç e dimë as fitorja plebishitare e ekstremistëve të djathtë në Evropë dhe as intervistat e shëmtuara të Ramës në radiot franceze të shoqëruara me një alibi të pabesueshme nuk ia mohuan statusin Shqipërisë. Arsyet, pra nuk paskan qëndruar askund në këto fjali që Rama ka lëshuar si kryeministër.

Mbrëmë në darkë, kryeministri i vendit kishte vendosur të bënte një mbrëmje gala. E çuditshme se si mund të bësh një mbrëmje gala kur një nga drejtorët ekzekutivë të njërës prej bankave të nivelit të dytë, një “çun Tirone” siç e quajti shkëlqesia e tij kryeministër, vritet nga një atentat mafioz. Shkëlqesia e tij duket se e kish marrë veten dhe prandaj përfitoi nga rasti që të lëshonte një tjetër batutë ku përcaktonte se Shqipëria nuk është myslimane por evropiane.

Po përse shkëlqesia e tij na përmend një e dy që Shqipëria nuk është myslimane por është evropiane? Kush ia ka futur në mendje shkëlqesisë së tij se Shqipëria është myslimane? E vërteta është që Republika e Shqipërisë është një republikë laike, që i trajton fetë në mënyrë të barabartë dhe që pranon lirinë e besimit dhe shprehjes. Kështu që asnjë nga vendet e BE nuk mendon që Shqipëria është myslimane apo jo.

Të vjen çudi në fakt se si sheh që kryeministri Rama nga një vëlla e bir i Erdoganit që nuk e kish për turp të quante vëlla Erdoganin, sot ndjehet i sikletosur aq shumë sa që në çdo fjalim përsërit që Shqipëria është evropiane. Ky kryeminstër më ngjan më së shumti me një gazetar holandez, i cili erdhi në vendin tonë gjatë ditëve që do merrnim statusin.

Pasi qëndroi disa ditë në Tiranë ai u shpreh i habitur për vendin e vet dhe stereotipin që kishte krijuar për Shqipërinë, gjithashtu ai qe habitur se si Rama kartën e një vendi thellësisht mysliman e kishte hedhur në tavolinë. Ndërkohë që në Shqipëri ka mysliman si në çdo vend tjetër të Perëndimit, pra nuk ka asnjë arsye për të krijuar alarm për diçka që nuk ekziston.

Por moralin më të bukur për retorikën e shëmtuar të shkëlqesisë së tij z. Kryeministër e mori nga një koleg i tij shqiptar. Ndërsa e pyeti nëse Shqipëria rrezikohej nga terrorizmi apo fundamentalizmi islamik ky i fundit iu përgjigj “Shqipëria është vendi më Islamofob në Evropë”.

You may also like...