Retorika e vjetër në gjuhën e re

Xhabyni

Ajo që vëren më së shumti në retorikën e përditshme është mos ndryshimi i saj edhe pse brezat ndryshojnë. Tendenca për të ruajtur të njëjtën strukturë të ndërtimit të fjalive, të përçudnimit të tjetrit, të linçimit me apo pa argumente tregojnë një farsoj edhe mos pjekjen e shoqërisë sonë.retorika-e-politikaneve-ne-kosove-

Politika është mediumi përmes së cilës njerëzit kanë mundësinë të shprehin mendimet dhe opinionet e tyre mbi çështje që prekin shoqërinë tonë. Këtu tek ne politika ka një konotacion tjetër, madje unë do propozoja që edhe në fjalor të bëhej një shtesë ku të shtohej që “është mjeti përmes së cilës ti pasurohesh apo mbron pasurinë tënde pa qenë nevoja të bësh politikë”.

Perceptimet e filozofëve dhe shkencëtarëve të politikës nuk janë shumë të rëndësishme për politikanët tonë që duket se kanë mbetur në gjuhën e drunjtë, kështu që pak herë kemi parë edhe gjeste të vërteta të politikanëve madje për të qenë të sinqertë as që i kemi parë këto gjeste e nëse kemi parë ndonjë grimcë të vockël jemi lumturuar aq shumë sa që e kemi hiperbolizuar gjestin. Fjala vjen, kështu bëmë para shumë vitesh për një takim kokë më kokë mes Nanos dhe Berishës duke e quajtur historik edhe pse ishim po ne që qarkullonim barsoletat se të dy këta ulen e pijnë për qejf e bëjnë teatër.

Po aq larg është parlamenti nga koncepti klasik i parlamentit, si një vend ku oratoria dhe argumenti zënë vend dhe jo linçimet, dosjet familjare (kujdes jo dosjet e komunizmit) dhe anatemimet kanë vendin kryesor. Mund të ketë qetë dhe vendi i përleshjeve dhe vazove ose fjala vjen vendi i kërcënimeve por shumë pak herë kemi dëgjuar një retorikë të hajrit në atë që presupozohet të jetë hambari i njerëzve më të ditur dhe më të mirë të këtij vendi.

Mirëpo, nëse në vitet e hershme ish e kuptueshme kjo gjuhë urrejtje (ah sikur të qe për çështje ideologjike fjala vjen anti komunistët godisnin komunistët e djeshëm) e mbushur jo vetëm me dhunë verbale por edhe me dhunë fizike sot e kësaj dite kur dhe brezat kanë ndryshuar gjuha e gangsterit në parlament mbetet e njëjtë. Të shikosh fjala vjen komisionet parlamentare arrin të kuptosh që kaq aq pak ekspertë të një fushe dhe shumë gangsterë të cilët kanë ardhur aty si kaubojsa për të ruajtur nderin e liderit.

Liderët e rinj por edhe prurjet e reja janë gjithnjë e më të lidhur me mitet dhe paradigmat e liderit të shkuar. Ramistët mund të thonë që kjo nuk është e vërtetë për Ramën i cili e bëri hasha të parin e tij, dakord por varet se cili është i pari për Ramën, Nano apo Meta? Ndërkohë që reflektojmë mbi përgjigjen e kësaj pyetje nuk mund të rri pa vëzhguar dhe shënjuar se ish-organizatorët e shoqërisë civile (e jo vetëm) janë imituesit par excellence të gjuhës, gjesteve dhe madje qëndrimit të liderit. Imitimi i retorikës deri në pikën e imitimit të gjestikulacionit është një farë lloj idhujtarie dhe nënshtrimi që nuk vjen nga respekti por nga depersonalizimi i individit karshi njëshit. Ajo që e ndryshon retorikën e socialistëve, në krahasim me atë të demokratëve, është se ato e mbulojnë retorikën sulmuese me forma fjalie, paragrafësh të stiluara duke u përpjekur të shuajnë akuzat dhe sulmet vulgare gjithashtu duke u përpjekur të minimizojnë daljet në skenë edhe të ushtarëve të vijës së parë.

Ana tjetër e skenës tonë politike, pra opozita, duket se nuk ka ndryshuar aspak. Ajo vazhdon të jetë një imitim i retorikës së vjetër, gjithnjë e më shumë degraduese, bajate, e lodhshme. Askush në atë parti nuk duket se ka ndërmend të ndryshojë, as edhe të bëjë një ndryshim vizual pra të sjellë një ngjyrë pak më të çelur se sa bluja e fortë. Asgjë! Retorika mbetet po e njëjta, madje tani tenton të krijojë një gjuhë të fortë për të krijuar një autoritet të ri në popull. Endet përmes retorikës në një situatë që nuk kuptohet, hera herës thotë që zgjedhjet i humbëm për fajin tonë dhe herë të tjera niset në sulmin se votat tona u blenë nga kundërshtarët. Një retorikë sulmuese nga kjo opozitë që më shumë të bën të qeshësh se sa të trembesh, jo pak herë edhe mazhoranca për të shmangur diskutimet me peshë dhe me rëndësi “thërret” në interpelancë Berishën duke i dhënë mundësinë që të shpalosë talentin e tij në retorikë. Pikërisht një nga arsyet se përse kjo parti u mund kaq thellë ishte dhe retorika agresive, boshe, hera herës jashtë realitetit që fillonte nga mitingjet e shpeshta deri tek aulat parlamentare. Por edhe pse Berisha u largua nga drejtimi i partisë retorika e vjetër jo pak herë është ri-dëgjuar këto muaj nga ana e kryetarit të ri por edhe është mbështetur fuqimisht nga opinionistë që vazhdojnë të kritikojnë në të njëjtën gjuhë vetëm se me muzikalitet të ndryshëm.

Kështu shihet një ndryshim fare i vogël, për të mos thënë i pallogaritshëm nga ana partisë opozitare, për veshin e qytetarit i cili jo më pak se sa 8 muaj më parë i bëri të ditur që besimi i tij për këtë qeveri ka përfunduar.

Arsyet e mbetjes në vendnumëro e retorikës nga ana e politikanëve tonë lidhet si me mjedisin socio-kulturor që këto persona janë rritur dhe krijuar ashtu edhe në psikologjinë nënshtruese që shihet partia. Së pari mjedisi socio-kulturor ka krijuar adhurimin nda njëshit, i ka dhënë jetë frymës dhe kulturës të mos kritikës jo vetëm kur forca politike është e fituar por edhe kur ajo del e humbur nga një betejë politike. Së dyti, jo pak herë qasja ndaj një problemi nga ana e retorikës së partive politike është e ngurtë dhe vetëm e njëanshme. Thënë më shkoqur, politikanët kanë tendencë të njohin vetëm një të vërtetë atë të klanit të tyre (në mund të flasim kështu), për to të vërtetat e tjera janë larg realitetit dhe nuk përmbushin fare kushtet e vërtetësisë madje akoma më keq nuk ekzistojnë. Ky lloj perceptimi e kthen gjuhën e folur nga ana e tyre gjithnjë e më të drunjtë, askush nuk hap rrugë, askush nuk pranon kritikën e tjetrit dhe në fund kemi një kakofoni e cila jo pak herë degjeneron në sherr banal.

Këto dy sëmundje nuk i shohim të shëruara nga shumica dërrmuese e politikanëve të rinj të cilët ose vazhdojnë në heshtje diskursin politik të liderëve që i kanë rritur me duart e tyre ose nga ana tjetër mundohen të bëjnë një ndryshim që është thjesht në formë dhe jo në përmbajtje.

Kjo mungesë e ndryshimit në retorikë, kjo mungesë e ndryshimit në politikë dhe pengu që i mban lidhur me të shkuarën e vonë apo atë të hershme ka krijuar një klimë mosbesimi së pari tek shteti dhe fuqia e tij së dyti tek alternativa opozitare që sapo bie nga pushteti kërkon revolta për të ri hipur në të. Ka krijuar mungesën e mendimit të lirë, mendimit kritik dhe nënshtrimit total ndaj miteve, historive që dëgjojmë nga lideri pa mundur të analizojmë e më pas të pranojmë apo refuzojmë atë. Mungesa e një retorike të re apo qoftë edhe përpjekjes për një retorikë të re edhe nga brezi i ri në politikën tonë të krijon një situatë trishtimi për të ardhmen. Një situatë që kupton se nuk ka më të rinj në këtë politikë, por ka vetëm njerëz që lindin para dhe ato që lindin pas.

You may also like...