Rilindja përballë të fortëve me targa CD
Një nga premtimet e Edi Ramës përmes të cilit arriti që në qershor 2013 të siguronte së paku të njëjtën përqindje votash të vitit 2009, ishte se Qeveria e Rilindjes ndryshe nga Qeveria e shërbimeve dhe shërbesave, nuk do vihej në funksion të më të fortëve por përkundrazi nuk do linte asnjë të fortë mbi ligjin.
Për qytetarët që nuk kanë funksione të larta në administratë publike apo në sektorin privat është disi e vështirë të kuptojnë në ç’masë po mbahet ky premtim, pasi nuk mund të vrojtojnë çdo tenderim me fond publik, punësim në administratë publike, punësim në sektorin e arsimit publik, kontroll tatimor, zhdoganim, licensim dhe të tjera procese në të cilat qeveria duhet të provojë se vërtet nuk do t’ia dijë për të fortë dhe mbi ligjin nuk po vendoset askush.
Një nga hapësirat publike ku qytetarët mund të pikasin lehtësisht qasjen e qeverisë në zbatimin e ligjit janë pikërisht rrugët e qyteteve. Në këto rrugë qytetarët qofshin këmbësorë, çiklistë, shoferë automjetesh, udhëtarë autobusësh, etj, ditë pas dite mund të dallojnë lehtësisht nëse qeveria përmes policisë po zbaton apo jo ligjin njësoj për të gjithë.
Ditën e Premte, 21 shkurt 2014, ashtu si çdo muaj një grup prej rreth 200 qytetarësh të lirë protestuan për rreth dy orë në rrugët e Tiranës kundër bllokimit të korsive të biçikletave nga makinat e parkuara në mënyrë të jashtëligjshme. Ashtu si është bërë traditë tashmë në këto protesta aktivistët (të vegjël, të rinj, të rritur e të moshuar) kur pikasin automjete të parkuar në rrugën e biçikletave ndalen dhe njëzëri i drejtohen shoferit (kudoqoftë dhe kushdoqoftë) me thirrjen “hiqe, hiqe”. Deri më sot kam parë rreth 20 shoferë makinash që të gjendur në këtë situatë, kanë rendur drejt automjetit dhe me buzëqeshje të turpëruar e kanë larguar menjëherë automjetin nga rruga e biçikletave. Në disa raste pranë shoferëve është paraqitur edhe ndonjë punonjës i policisë që në çast i ka prere fletë gjobe për parkim të paligjshëm.
Në protestën e ditë së premte na panë sytë një ndodhi shumë të ndyrë. Duke ecur nëpër korsinë e biçikletave nga qendra deri tek blloku, pasi pastruam rrugën nga dy automjete të kompanisë Albtelecom të parkuara në korsinë e biçikletave, rreth orës 18.00, në hyrje të bllokut, bërballë lokalit Buka Franceze, rrugën e biçikletave e kishte bllokuar një automjet me targa CD-42-011, për të cilin më vonë morëm vesh se kishte për shofer Freddy Austli, Zv. Drejtor i UNDP në Shqipëri.
Ishte interesante të shihje se për pak çaste aktivistët mbetën disi të hutuar, me shumë gjasa sepse nuk e prisnin që një i punonjës i trupit diplomatik, cilido që të ishte, të kishte bërë këtë veprim që shkon tërësisht kundër me atë çka jemi mësuar të dëgjojmë nga goja e kanakarëve të trupit diplomatik, të cilët zakonisht i çajnë televizionet dhe sallat e hoteleve, duke na thënë me stil se ne shqiptarët jemi popull primitiv, kaotik në trafik e ndotës të mjedisit.
Pas kalimit të çastit të hutimit, aktivistët të gjithë njëzëri nisën thirrjen “hiqe, hiqe”, por edhe pse thirrja vazhdoi për rreth 5 minuta (historikisht koha më e gjatë e kësaj thirrje) nuk u paraqit askush për të lëvizur atutomjetin nga korsia e biçikletave. Të vetmet përgjigje erdhën nga punonjësi i policisë që ruan mjediset e ambasadës zvicerane, i cili me bindjen e eksperiencës i thoshte protestueve “kot e keni”. Edhe pse ishin të pranishëm disa punonjës të policisë që shoqëronin vazhdimisht protestuesit, askush prej tyre nuk ndërhyri për të bërë diçka në lidhje me këtë shkelje.
Pasi panë se as shoferi as policia nuk po bënin gjë për të lëvizur automjetin, protestuesit vendosën që t’a shtynin atë për t’a nxjerrë në mes të rrugës. Punonjësi i trupit diplomatik (në vijim Austli), nga brenda lokalit Buka Franceze, ku mesa duket po pinte një kafe për shtatë palë qejfe, i vuri re këto tentativa, doli nga lokali dhe me arrogancë të skajshme nisi të bërtasë anglisht duke thënë “çfarë problemi ka”.
Protestuesit ia kthyen po anglisht, se kishte parkuar në mënyrë të paligjshme në korsinë e biçikletave dhe se duhet ta lëvizte automjetin nga aty. Atëherë Austli duke injoruar tërësisht protestuesit që vazhdonin të thërrisinin “hiqe, hiqe” iu hakërrua punonjësit të policisë që ruante mjediset e ambasadës zvicerane, duke i kërkuar atij të shporrte protestuesit. Pasi punonjësi i policisë me atë buzëqeshjen e servilit të nënshtruar ngriti duart lart duke treguar se nuk kishte ç’të bënte, Austli me arrogancën e gjuhës së trupit u tregoi protestuesve se nuk kishte ndërmend ta lëvizte automjetin. Protestuesit vijuan thirrjet për largimin e automjetit dhe pas pak çastesh Austli i trembur nga irritimi i protestuesve e gjeti veten të detyruar të largohej.
Ajo që u vu re haptazi ishte se shteti u dorëzua para arrogancës së pushtetit imagjinar që i është veshur punonjësve të organizatave ndërkombëtare apo ndërqeveritare, të cilët vijnë në Shqipëri për të zbatuar politikat zhvillimore të qeverive të vendeve të zhvilluara, por të cilët përfundojnë në pushtetarë të pazgjedhur që nuk zbatojnë ligjet e vendit, të shpërblyer me paga 40 deri 60 fish më të larta se paga mesatare e shqiptarëve, të përjashtuar nga pagesa e taksave dhe tatimeve dhe që japin mend lart e poshtë mbi rrugëtimin e qytetërimit të shqiptarëve.
Qeveritë shqiptare duhet të shkëputen nga mendësia që privilegjon zyrtarët qytetarë të vendeve perëndimore që punojnë në Shqipëri, duke bërë shtetin shqiptar qesharak dhe këta zyrtarë të huaj të paprekshëm. Kështu fakti që Freddy Austli është shtetas norvegjez nuk duhet t’a bëjë atë defakto imun ndaj ligjeve shqiptare, duke hamendësuar se shtetasit norvegjezë janë të qytetëruar dhe nuk mund të përbëjnë rrezikshmëri për shoqërinë shqiptare. Shembulli i njohur gjerësisht i veprimtarisë së Anders Breivik tregon qartazi se çdo shoqëri ka devijantët e saj të cilët duhen trajtuar sipas ligjit kudo që jetojnë. Qeveria e Rilindjes duhet të tregojë se e ka seriozisht kur thotë se ligji do zbatohet njësoj për të gjithë ose do përfundojë shumë shpejt si qeveria e shërbimeve dhe shërbesave.