Romët kundër romëve
Reagimet negative ndaj protestës së romëve janë përgjithësisht stereotipa, pjesërisht justifikime për mosmbështetje dhe pjesërisht justifikime për racizmin që gjendet brenda nesh, njëfarë mospëlqimi a mospranimi të të ndryshmit
Gjergj Erebara
Një protestë modeste u organizua dy ditë më parë në Bashkinë e Tiranës. Disa familje romësh, të fuqizuar nga zhurma institucionale e largimit të tyre nga një kamp barakash për te një kamp tjetër barakash, vendosën ta ngrenë parkun e tyre jo në ndonjë cep të padalluar të Tiranës, por te sheshi “Skënderbej”.
Disa reagime të fcb-istave më ranë në sy: 1. Romët janë nga natyra dembelë, për këtë arsye janë në atë gjendje që janë, pra është çështje gjeni. 2. Romët janë të paqëndrueshëm, atyre u dha shoku Enver katet e para të pallateve por i shitën dhe shkuan të bëjnë jetën e tyre nomade. 3. Shoqatat që organizuan protestën kanë marrë miliona euro dhe nuk janë të shqetësuara aq shumë për romët se sa për të bërë projektin e radhës. 4. Shqipëria ka shumë të varfër dhe po aq shumë të pastrehë. Pse romët duhet të trajtohen me prioritet?
Në shumë raste, komente të tilla janë në formatin ku komentuesi është më i rëndësishëm se sa vetë komenti.
Shqipëria ka shumë halle dhe çdo shqiptar ka hallet e tij. Por janë dy halle që i përmbledhin të gjitha: politikë jollogaridhënëse përballë qytetarëve dhe qytetarë individualistë (shoqëri e atomizuar) jollogarikërkues. Ky halli i parë është pasojë e hallit të dytë, pra shoqëri e atomizuar secili me hallin e vet, e cila prodhon institucione të kalbura dhe këto të fundit prodhojnë mungesë besimi shoqëror. Mungesa e besimit sjell mungesë demokracie dhe sundimi ligji… kjo na kthen pikërisht te kryehalli: shoqëri e atomizuar, individë të izoluar secili te halli i vet.
Reagimet negative ndaj protestës së romëve janë përgjithësisht stereotipa, pjesërisht justifikime për mosmbështetje dhe pjesërisht justifikime për racizmin që gjendet brenda nesh, njëfarë mospëlqimi a mospranimi të të ndryshmit. Këtë racizëm nuk e kemi të kufizuar kundër romëve. Në shkallë të ndryshme e kemi në formatin qytetar-fshatar, verior-jugor, shqiptar-kosovar, stereotipa pa fund për krahina të ndryshme. Kemi bezdi apo mospëlqim praninë në shoqërinë tonë të grave me ferexhe apo burrave me mjekër, kemi njëfarë mendimi negativ fashist për çdo gjë që vjen nga Lindja; nuk na pëlqejnë homoseksualët kur ata deklarohen hapur si të tillë.
Për fat të mirë kemi më shumë llogje se sa vepra. Stereotipizimi dhe fobitë e llojeve të ndryshme nuk i kemi të shoqëruara me akte dhune, ose më saktë, ka një disproporcionalitet mes agresivitetit verbal që është në nivel shumë të lartë dhe atij fizik, që është në nivel shumë të ulët. Në thelb jemi një joshoqëri ku të gjithë janë kundër të gjithëve, askush nuk është i besueshëm, as si udhëheqës, as si anëtar i shoqërisë.
Romët që u përzunë nga kampingu i tyre me baraka nuk kanë humbur ndonjë gjë të madhe. Do të dinë të mbijetojnë në ndonjë kamp tjetër me baraka, siç kanë bërë gjithmonë përgjatë shumë dekadave. Por protesta e tyre, e cila duket se doli nga udhëheqësia e OJQ-ve me reputacion kaq të keq, ishte një gur drejt llogarikërkimit.
Shqetësimet për milionat e dhëna nga BE teorikisht për romët, por që këto të fundit nuk i kanë parë kurrë, janë reale.
Kjo nuk e zhbën faktin që romët janë një pjesë e shoqërisë shqiptare e segreguar nga shumica për shkak të ngjyrës së lëkurës. Ka shumë të varfër në Shqipëri që nuk janë romë, por kjo varfëri vjen nga mungesa e përfaqësimit politik, llogaridhënies dhe llogarikërkimit. Ky nuk mund të shërbejë si argument për të dalë kundër romëve, të cilët nuk kanë nevojë për ndonjë armik më të madh se sa fakti që janë romë. Shumica përdor stereotipa për të justifikuar këtë segregim, siç përdor stereotipa për të justifikuar të gjitha llojet e tjera të segregimit, distancimit, mosreagimit, mungesës së llogaridhënies dhe llogarikërkimit. Në këtë kuptim, të gjithë shqiptarët janë romë. Romë në atë kuptimin negativ që ne zakonisht e përdorim këtë fjalë.