Rruga në Shqipëri matet me orë, jo me kilometra

U nisëm këtë javë për në Qeparo nga Tirana, me synimin për të mbërritur sa më parë, por pa rrezikuar ndonjë përplasje. Makina qe relativisht e fuqishme. Dolën nga Tirana për në drejtim të Elbasanit, me mendimin se kështu mund të shmangim trafikun e zakonshëm në dalje të Tiranës nga Durrësi.

32615_10151449274436750_1331297505_n

Ne Qeparo, ku nje hotel ka perdorur kopeshtin e luleve per te mbjelle zarzavate

Me hapjen e tunelit shumë dhjetëramilionë eurosh të Krrabës, distanca nga Tirana në Rrogozhinë është shkurtuar në më pak se 70 kilometra nga afro 90 kilometra që qe më parë, e njëjta distancë në kilometra po t’i biesh nga Durrësi.

U nisëm në orën 6.05 të mbrëmjes dhe ecëm shumë mirë deri në hyrje të Rrogozhinës. Gjithsej një orë. Pastaj, në Rrogozhinë, një kombinim i gropave të stërmëdha në rrugë me disa maune të linjës së Maqedonisë me Durrësin, na mbajtën në trafik. Për pesë kilometra a diçka e tillë, u humbën 20 minuta.

Pasi kaluam këtë grykë shishjeje vijuam në jug, ku u përballëm me trafikun në Fier, e në fund në Vlorë. Vlora është vetëm 140 kilometra larg Tiranës dhe me një shpejtësi mesatare prej 70 kilometrash në orë teorikisht bëhet brenda dy orësh. Por ne e bëmë për dy orë e gjysmë me shpejtësi mesatare prej pak më shumë se 50 kilometra në orë. Mund të konsiderohet turp për një shofer kjo shpejtësi, por në fakt, nëpër pjesët me autostradë timonisti ynë i dha edhe me 120 km/orë, (përtej limitit ligjor 110 km/orë) ndërsa në dy segmente të shkurtra, pra në Rrogozhinë (5 kilometra) dhe në Fier (rreth 10 kilometra), shpejtësia ra.

Pasi kaluam trafikun në plazhin e Vlorës hasëm edhe një segment ku mbi rrugën e re qenë hapur në të dyja krahët kanale për të shtruar tuba uji, gjë që e kishte ngushtuar rrugën nga dy korsi në një korsi. Rrjedhimisht nja 5 kilometra të tilla deshën nja 30 minuta të tjera. Segmenti Vlorë-Qeparo është gjithsej nja 90 kilometra, por për shkak të këtyre rrugëve të hapura, vështirë se mund të bëhet për një orë e gjysmë, siç duhej bërë teorikisht.

Duhet shtuar këtu se në fillim të Llogarasë, ka gjithmonë rrëshqitje rruge. Rrëshqitjet në shumicën e rasteve mbeten pa riparuar për muaj dhe vite, por autoritetet  nuk e marrin mundimin as të vendosin tabela paralajmëruese. Kështu që duhet të ecësh ngadalë që të kesh kohë të frenosh në rast se aty ku duhej të qe rruga të shfaqet papritur ndonjë gropë 30 centimetra e thellë, e mjaftueshme për të shkatërruar çfarëdolloj makine.

Tiranë-Qeparo është gjithsej 240 kilometra dhe me shpejtësi breshke prej 60 kilometrash në orë, duhet të mjaftojnë katër orë. Por kjo nuk ndodh. Pasi vendi ka shpenzuar qindra milionë euro për të ndërtuar autostrada të reja, mungesa e parave për të mbyllur gropat, pra mungesa e mirëmbajtjes së zakonshme, bën që qindramilionët dhe autostradat e reja fringo të mos sjellin ndonjë përmirësim në shpejtësinë mesatare.

Kur u ktheva nga Qeparoi, mora autobuzin e linjës në orën 7.30 të mëngjesit. Nga ora 8 autobuzi mbërriti në Himarë, pak kilometra më tutje, ku bëri një pushim. Të gjatë…. të gjatë…

Në Vlorë mbërritëm në orën 11 pa pak. Shpejtësia mesatare nuk qe as 30 kilometra në orë.

Në Vlorë mora një furgon që më demonstroi se si mund të bëhet rruga Vlorë-Tiranë brenda dy orësh, pra me shpejtësinë mesatare prej 70 kilometrash në orë. Për të rekuperuar kohën e humbur në Fier e në hyrje të Tiranës, furgonisti ynë trim e shkeli gazin deri në 140 kilometra në orë nëpër autostradë. Eci me këtë shpejtësi edhe në segmentin Rrogozhinë – Durrës, ku autostrada është e papërfunduar, pa mure mbrojtëse e me copa e pashtruar. Kjo e furgonistit nuk është një mënyrë shoferllëku e vlefshme për ne të tjerët, që nuk mund të njohim rrugët e papërfunduara në detaje e as nuk na shkon ndër mend të ecim me 140 aty ku tabela shkruan 90-110.

Shkurt, në Shqipëri rrugët maten me orë, jo me kilometra.

You may also like...