Rusia shton trupat në kufi me Ukrainën, frikë për luftë

A Russian soldier guides a Ukrainian tank in northern CrimeaPërqendrimi i trupave të ushtrisë së Rusisë pranë kufirit me Ukrainën ka arritur në mbi 400 mijë, vlerësuan zyrtarët amerikanë, ndërsa Uashingtoni shprehu shqetësim dhe i bëri thirrje Moskës t’i tërheqë ato .

SHBA-të vlerësojnë se mes 35 mijë dhe 40 mijë trupa ruse janë tashmë gati për të sulmuar Ukrainën dhe duket se ato janë shtuar  ndjeshëm gjatë javës së fundit.

Përqendrimi i trupave ka rritur shqetësimin për faktin se Rusia mund të jetë duke u përgatitur për një ndërhyrje të re në Ukrainë pasi pushtoi pa gjak Krimenë.

“Mundësia e një ndërhyrjeje tjetër të Rusisë është real”, tha një zyrtar i shërbimeve të informimit në SHBA për agjencinë Reuters. Ky përqendrim trupash sipas burimeve amerikane përfshin edhe krijimin e linjave të furnizimit dhe nxjerrjen në fushë të një game të gjerë forcash ushtarake.

Aty gjenden milici apo njësi speciale të përbërë nga luftëtarë rusë të veshur me uniforma pa flamuj kombëtarë të ngjashme me forcat ruse që pushtuan Krimenë më herët këtë muaj.

Pentagoni deklaroi se nuk ka të dhëna që të sugjerojnë se këto forca janë duke kryer ndonjë lloj stërvitjeje pranverore, shpjegim ky i dhënë nga Moska si arsye të përqendrimit.

Presidenti Barack Obama e cilësoi përqendrimin si jashtë të zakonshmes.

“Kemi parë një gamë trupash që po përqendrohen përgjatë kufirit nën kamuflimin e një stërvitjeje ushtarake,” tha Obama për median ndërsa gjendej për vizitë në qytetin e Vatikanit. “Por këto nuk janë gjëra që Rusia bën zakonisht.”

Obama tha se lëvizjet mund të mos kenë synim tjetër veç frikësimit të Ukrainës, por mund të jenë edhe përgatitje për veprime të mëtejshme.

“Ndoshta ata kanë plane shtesë,” tha ai për rrjetin televiziv CBS.

Qeveria e Ukrainës i ka vendosur në alarm luftarak forcat e veta shumë më të pakta e të keqpajisura ushtarake e frikësuar nga një sulm i mundshëm i Moskës në territoret e veta lindore.

Vlerësimet ukrainase thonë se trupat ruse në kufi mund të jenë deri në 100 mijë. Ajo çfarë ka në plan të bëjë presidenti i Rusisë Vladimir Putin për momentin mbetet e panjohur.

Disa zyrtarë amerikanë thonë se Putin nuk duket se ka një arsyetim të lexueshëm pas veprimeve që po kryen.

You may also like...