Shifra e pamundur e mrekullisë ekonomike të pandodhur

Përpos deklaratave pompoze për tejkalim plani të ardhurash tatimore e doganore për periudhën tremujore janar – mars të këtij viti, kishte një statistikë mes shumë të dhënave që binte në sy. Sipas bilancit të publikuar nga Ministria e Financave javë të shkuara, të ardhurat nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, për këto tre muaj u rritën me 20 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo qe edhe shifra që përcaktoi rezultatin final, atë të rritjes së të ardhurave buxhetore me 8.2 për qind në krahasim me tre muajt e parë të vitit 2013. Kulmi u shënua në mars, me rritje 24 për qind. Dukej se diçka tepër e mirë për t’u besuar pati ndodhur gjatë këtij muaji.

TVSH-ja përbën një të tretën e të ardhurave buxhetore dhe më shumë se gjysmën e të ardhurave që sigurohen nga tatimet dhe doganat. Për këtë arsye, rritja me 20 për qind jep efekt të konsiderueshëm.  Konkretisht, të ardhurat nga TVSH u rritën me 4.8 miliardë lekë ndërsa të ardhurat totale të buxhetit u rritën me 6.2 miliardë lekë.

Që nga dita kur u shpall ky sukses i jashtëzakonshëm i qeverisë, në fillim të prillit (jo tamam ditën e rrenave) deri më 26 prill kur u publikuan të dhënat e detajuara të Ministrisë së Financave, burimi i mrekullisë mbeti një enigmë e pazgjidhur. Nja dy hipoteza qenë të pambështetura në fakte. (Ndoshta bizneset i ka zënë frika e po paguajnë shumë më tepër taksa. Ndoshta ka patur shumë importe, ndoshta nën ethet e krizës qeveria po punon seriozisht për mbledhjen e taksave.)

Pyetja qe se nga se është krijuar gjithë kjo rritje. Arsyetimi i parapëlqyer i qeverisë normalisht është lufta kundër evazionit fiskal dhe mirëadministrimi, dy terma iluzivë. Dihet se nëse lufton evazionin fiskal siç duhet, qeveria i ka shanset t’i rrisë të ardhurat së paku për një vit me 30 apo 50 për qind.

Por, dardha na e paska patur gjithmonë bishtin prapa. Një shënim në tabelat e statistikave të publikuara nga Ministria e Financave te fleta (sheet) me titull TVSH_ne_terma_bruto_dhe_neto tregon se çfarë ka ndodhur se si është krijuar kjo “mrekulli”. Në fakt, ajo menjëherë bëhet një “jomrekulli”. Menjëherë kuptohet që buxheti i shtetit nuk është se u përmirësua shumë në krahasim me vitin e kaluar. Të dhënat e kësaj tabele thonë tre gjëra:

1. TVSH e rimbursuar këtë vit është katër herë më e vogël se sa në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

2. Administrata tatimore ka rimbursuar gjithsej 473 milionë lekë këtë vit, nga 1.9 miliardë lekë që qenë rimbursuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

3. Jo vetëm kaq, por tabela ka një shënim shumë shpjegues në fund: “Të gjitha pretendimet për rimbursim TVSH-je të bëra deri më 31 dhjetor 2013 dhe të gjitha tepricat kreditore të TVSH-së të krijuara para asaj date, edhe nëse pretendimi për rimbursim është bërë pas kësaj date, konsiderohen “detyrime të prapambetura” dhe klasifikohen në një zë tjetër të buxhetit, te zëri “detyrime të prapambetura fiskale” të buxhetuara në masën 20 miliardë lekë për të gjithë vitin 2014.”

Kuptuat gjë?!

Ministria e Financave raporton të ardhurat NETO nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar. Nëse mblidhen 10 lekë TVSH dhe rimbursohen 2 lekë për TVSH të paguar më tepër, raportohet se janë mbledhur 8 lekë. Por qeverisë nuk i pëlqeu kjo formulë vitin e kaluar, kur hartoi buxhetin. Meqënëse kishte ndër mend të rimbursonte 20 miliardë lekë TVSH të prapambetur nga vitet e shkuara, zbritja e kësaj shume nga TVSH-ja bruto e mbledhur këtë vit do ta nxirrte TVSH neto shumë të ulët. Për këtë arsye u vendos që rimbursimi i TVSH që mos zbritej nga TVSH e arkëtuar bruto, por të klasifikohej veçmas te shpenzimet, kategoria Shpenzime Kapitale.  Kjo bëri që të dhënat e tremujorit të publikuara si “të ardhura nga TVSH” të jenë bruto dhe jo neto. Kjo krijon një rritje të bollshme dhe të rreme. Një rritje që ka një borxh të fshehtë, njësoj siç bënte qeveria paraardhëse, e cila, për të fshehur krizën nuk rimbursoi TVSH ose rimbursoi shumë pak, duke krijuar “zinxhirin e borxheve” të cilën, qeveria aktuale premtoi se do ta luftojë.

Në total janë tre elementë që shpjegojnë mrekullinë e pandodhur të të ardhurave buxhetore: 1. riklasifikimin e TVSH-së së rimbursueshme të para 31 dhjetorit 2013 te zëri “Shlyerje detyrimesh të prapambetura”; 2. Rimbursimi i një sasie minimale TVSH-je gjatë tremujorit të parë; 3. Rritja e afatit ligjor për rimbursimin e TVSH nga 30 në 60 ditë, gjë që mund të ketë ulur sasinë e TVSH-së së rimbursueshme në muajin mars.

Që të treja këto elementë krijojnë përshtypjen e të ardhurave të bollshme dhe fundit të krizës, gjë që në fakt nuk ka ndodhur. Rritja e të ardhurave është shumë e paktë nëse merret parasysh rritja e taksave të kryera me buxhetin e ri. Në rast se nuk ka ndonjë përmirësim të konsiderueshëm apo ndonjë mrekulli për pjesën e mbetur të vitit, buxheti 2014 ka shumë gjasa do të ngelë në provimin e FMN-së. Provimi i parë do të jetë në qershor për të dhënat e tremujorit të parë. Por më problematikja është se duke fshehur realitetin përmes mosrimbursimit të TVSH-së apo duke riklasifikuar rimbursimin e TVSH-së si “investime publike”, qeveria po refuzon të pranojë realitetin dhe rrjedhimisht të mendojë për diçka konkrete për daljen nga kriza.

 

Deklarata e tatimeve: http://tatime.gov.al/gdt/default.aspx

Deklarata e doganave: http://www.dogana.gov.al/node/744

Të dhënat finale të Ministrisë së Financave: http://www.financa.gov.al/al/raportime/programimi-ekonomiko-fiskal/raporte-dhe-statistika-fiskale-mujore/statistika-fiskale-mujore

You may also like...