Shkolla e plepave
Zyrtarisht “Kursi i Përshpejtuar i Fakultetit të Drejtësisë,” qe një kurs gjashtëmujor i zhvilluar gjatë vitit 1994 në mjediset e ish-kampit të Pionierëve në zonën e njohur si Plepa, Durrës dhe që prodhoi afërsisht një të tretën e të gjithë gjykatësve aktualë në Shqipëri. Qeveria e kohës e shpiku kursin e plepave si një mënyrë për të zëvendësuar gjykatësit e kohës së komunizmit, të cilët akuzoheshin me shumë të drejtë për shkelje masive të të drejtave të njeriut në vendimet e tyre të dhëna para rënies së regjimit, me një numër gjykatësish të rinj, por në të vërtetë, kursi i plepave shërbeu për të kontrolluar sistemin e drejtësisë përmes një numri gjykatësish thellësisht të paaftë dhe në disa raste, në mënyrë spektakolare të korruptuar. Me kalimin e viteve, kursi i plepave u bë sinonim i një gjykatësi të paaftë. Në fillim të viteve 2000, një program asistence nga Bashkimi Europian synoi që së paku të nxjerrë nga sistemi gjykatësit e konsideruar të paaftë, duke organizuar një provim aftësish. Dy gjykatës u kapën gjatë provimit duke kopjuar në banjo por rezultatet e provimit nuk shërbyen për asgjë pasi gjykatësit ankimuan çështjen në Gjykatën Kushtetuese, e cila konkludoi se vetë provimi qe anti-kushtetues. Që nga ajo kohë, Shkolla e Plepave dhe Gjykatës Plepash nënkupton gjykatës kasapë, të cilët japin vendime pa lidhje. Fjalorthi Politik Shqiptar