Shpërthen lufta civile në Tiranë
Ruritania News Agency – 19 tetor 2013
Tiranë – Ndërsa qytetarët e papërgjegjshëm të këtij vendi qenë duke rrëkëllyer birra pas birrash nëpër klubet e natës, në periferi të Tiranës shpërtheu ajo që ia kishim frikën të gjithë. Lufta Civile! Casus Belli për këtë përleshje u bënë llamarinat e shitësve të zarzavateve me formë perpendikulare si dhe ato të frutave ekzotike, të cilët sfiduan dhe provokuan hapur Lulzim Bashën duke ngritur një ngrehinë pa leje. Pas përleshjeve në mesditën e së premtes mes tregtarëve dhe policëve të Lulit, ky i fundit mësoi se tentoi një operacion kardinal në orët e para të mbrëmjes duke angazhuar të gjitha armatimet e rënda në dispozicion, karrotrecë, sharra portabël krahu me korrent dhe Florenc Hoxhën.
Por në çastin kur po hynin në aksion, dikush dekonspiroi. Policia e Shtetit reagoi menjëherë duke përdorur arsenalin e saj me makina të vjetra për të bllokuar rrugët dhe shtigjet drejt llamarinave të tregut. Situata vijon të mbetet e ngrirë.
“Ma bëj edhe një Caipiroska me fruta pylli mua,” tha një zonjushë e papërgjegjshme te blloku ndërsa fatet e vendit qenë duke u ndarë vetëm disa kilometra më tutje.
Skeda e betejës së parë
Vendndodhja: Ish-Uzina Dinamo
Casus Belli: Llamarinat mbi tregtaret e kastravecëve, patëllxhanëve, specave dhe frutave ekzotike
Palët ndërluftuese:
Bashkia Tiranë e njohur edhe si PërPara
Policia e Shtetit: E njohur edhe si RiRiRiLindje
Rezultati: Fitore madhore taktike e Policisë së Shtetit, dështimi i Florenc Hoxhës për të shembur llamarinat