Shpresa për heqjen e vizave shton vuajtjet për emigrantët e paligjshëm

Reportazh

Gazeta “Shqip” ndjek rrugën e emigrantëve në Korçë, Gjirokastër, Konispol e Igumenicë

Botuar  me prill 2010

Gjergj Erebara

“Gjatë dy javëve të fundit tentova tre herë të kaloj kufirin por në të tre rastet më kapi policia greke,” – tregon Admiri, një gjashtëmbëdhjetë vjeçar nga Fieri ndërsa del nga qendra e detencionit të policisë shqiptare në pikën kufitare të Kakavijës, pranë Gjirokastrës.

“Është bërë shumë e vështirë,” – tregon ai. Pasi ka shpenzuar të gjitha paratë e disponueshme, tregon se 10 mijë lekët e vjetra, të fundit që i kishin mbetur, ia kishte dhënë ryshfet një polici shqiptar për ta liruar pasi qe riatdhesuar nga policia greke. Ai është  vetëm një nga 50 mijë shqiptarët që kapen çdo vit pa dokumente në Greqi dhe riatdhesohen. “Kur ika për herë të parë në Greqi isha në klasë të gjashtë,” – tregon ai, ndërsa tani është një adoleshent që refuzon t’i përgjigjet pyetjes: Çfarë do të bëhesh kur të rritesh.

Për shkak të statusit të paqartë ligjor, emigrantët e paligjshëm duket se kalojnë në çdo hap vuajtje pa fund. Nga ana e Korçës, emigrantët detyrohen shpesh të ecin deri në një javë apo më shumë në këmbë për të arritur në një qytet të madh grek ku mundësia për t’i shpëtuar policisë është më e madhe. Zyrtarisht, kalimi ilegal i kufirit dënohet me gjobë deri në tre vjet burg. Por zyrtarët në të gjithë vijën kufitare, pranojnë se zbatimi i ligjit në këtë rast është i pamundur. “Kemi patur 13 mijë emigrantë të kthyer gjatë vitit 2009. Nuk mundemi t’i përndjekim penalisht apo t’i fusim në burg që të gjithë,” – thotë një zyrtar në Korçë, duke shpjeguar se puna e tij është përqendruar në zbulimin e rasteve të trafikut të organizuar. Por kjo vijë e hollë mes veprës penale të dënueshme dhe veprës penale të padënueshme, është shumë e paqartë. Në Gjirokastër e Sarandë, shumë emigrantë tregojnë se nën presionin e policëve janë detyruar të japin para për t’u liruar, shpesh, paratë e fundit të mbetura në xhep.

Kontrolle të shtuara

Gjatë viteve të fundit, policia shqiptare ka fuqizuar strukturat për kontrollin e kufirit me shpresë se ulja numrit të kalimeve ilegale të kufirit, do të lehtësojë heqjen e vizave. Policia është pajisur me dylbi me nxehtësi për të monitoruar kufirin gjatë natës si dhe me makina të reja. Megjithatë, pak qindra policë të vendosur përgjatë kufirit nuk kanë shumë çfarë të bëjnë. “Zyrtarisht, me ligjet aktuale, shqiptarët mund të shkojnë kudo që duan, deri te lapidari i kufirit dhe askush nuk mund t’i ndalojë. Ndoshta më shumë se gjysma e shqiptarëve e kanë bërë të paktën një herë rrugën e Greqisë në këmbë. Shumica e tyre kanë arritur të marrin dokumente greke në disa valë legalizimesh. Një pjesë vijon të kalojë nga mali.

Nga Konispoli në Igumenicë

Vendi ku gjendemi quhet Konispol. Data 7 prill 2010, ora 09.00 e mbrëmjes. Një fshat i madh vetëm pak qindra metra larg kufirit me Greqinë. Kjo është pika më me pak vuajtje për emigrantët ilegalë drejt Greqisë. “Kufiri është vetëm 20 minuta larg në këmbë dhe nëse ke fat, brenda gjashtë apo shtatë orësh ecje mund të mbërrish në Igumenicë,” tregon Fazlliu nga rrethinat e Vlorës, i cili e ka bërë shumë herë këtë rrugë. “E gjithë familja ime gjendet në Greqi. Vajza ime e madhe shkoi 14 vjeç, por mësoi shpejt Greqisht dhe arriti të mbajë flamurin në gjimnaz. (Flamurin në 17 prill, festa kombëtare e Greqisë, e mbajnë nxënësit më të mirë të shkollës).

Në hyrje të një fjetoreje pa emër, por që njihet nga të gjithë nga emri i pronares, gjendet një foto e Mekës mbushur me haxhilerë. Që prej njëzet vjetësh, kjo është kthyer në pikën kufitare më të rrahur nga emigrantët e paligjshëm. Vendësit thonë se pronarja e hostelit është bërë shumë e pasur. I mban emigrantëve të paligjshëm 500 lekë për natë dhe ka dy dhoma me nga pesë krevatë secila. Emigrantët vijnë orë pa orë. Disa qëndrojnë aty vetëm për dy-tre orë, sa për të ngrënë dhe për të fjetur para se të nisen për të kaluar malin. Kur mbërrita unë, në dhomë gjendeshin dy burra, njëri me emrin Koli, 48 vjeç nga Vllahina, dhe tjetri me emrin Fazlli, 56 vjeç nga Llakatundi. Koli zotëron dokumente të rregullta për të udhëtuar në Greqi, por kësaj here duhet të kalojë nga mali. “Gruaja ime nuk ka dokumente, kështu që do të kalojë nga mali dhe unë do ta shoqëroj,” thotë Koli. Gruaja është shtrirë te dhoma ngjitur.

“Me çfarë ke ardhur nga Saranda deri këtu?” – pyes Fazlliun. “Me tapodhja,” më thotë, dmth më këmbë.

Pas pak në dhomë mbërrijnë dy të rinj nga Lushnja dhe një nga Berati. “Na detyruan të vijmë më këmbë që nga ura,” tregon njëri prej tyre, ndërsa hap një qese për të nxjerrë bukë, djathë e sallam. Po thonë se kanë bërë dhjetë kilometra në këmbë për të mbërritur në Konispol.

“Na ndaloi policia shqiptare,” shton vizitori i paidentifikuar.

“I dhatë ndonjë dhjetë mijë lekësh dhe ju lanë të vazhdoni?” pyet Fazlliu.

“Jo, doli që njëri prej policëve ishte nga anët tona, kështu që e pyetëm, e njeh këtë apo atë dhe dolëm të njohur. Kështu na la të vazhdonim.”

Pas pak erdhën dy të rinj nga Peshkopia. Dukeshin shumë mirë të larë për të qenë emigrantë. Njëri prej tyre qe veshur me kostum e me këmishë. Kopsat e sipërme i mbante të hapura. Panë dhomën dhe pronarja e fjetores pas tyre i kërkoi paratë. Të rinjve iu duk shtrenjtë 500 lekë krevati.

“Ne kemi në plan të rrimë vetëm tre orë dhe të nisemi,” – tha njëri prej tyre. Filluan të bëjnë pazar me pronaren, por ajo nuk lëshoi pe. Kështu, u nisën menjëherë drejt kufirit pa pushuar.

Emigrantët e paligjshëm janë aq të shumtë, sa kanë krijuar jo vetëm nevojën për ndërtimin e fjetoreve. Dyqanet e mallrave të përzjera qëndrojnë në Konispol hapur deri pas mesnate për të shitur ushqime për emigrantët e panumërt.

Fazlliu e pa ndeshjen Barcelona – Arsenal 4 me 1 atë mbrëmje. Në mëngjes u çua më 4 dhe sëbashku me Kolin e gruan e tij, shkuan të pinin kafenë e mëngjesit para se te merrnin malin. Kur i thashë Fazlliut se kisha ndër mend të bashkohesha me të për të kaluar malin, më tha: nuk ma mbush mendjen se ti ke takat për ta ngjitur.

Mua më erdhi turp nga viza shengen që kam në pasaportë.

Shtegu i emigrimit ilegal nga Konispoli është vështirësuar shumë për emigrantët gjatë dy viteve të fundit. Qeveria shqiptare ka fuqizuar strukturat e veta të Policisë Kufitare me shpresë se do të plotësojë kushtet për heqjen e vizave me zonën Shengen. Megjithatë, kjo është rruga më e lehtë. Mjafton të ecësh gjashtë apo shtatë orë më këmbë, të kapërcesh dy male dhe një lum dhe… mbërrin në Igumenicë, një qytet me 12 mijë banorë dhe shumë i rrahur nga trafiku i anijeve e autobuzëve. Në çdo kohë, nga porti i Igumenicës ka tragetë që të çojnë në Korfuz apo porte të ndryshme të Italisë.

Nga Saranda për në Konispol janë 50 kilometra. Pasi kalon trapin mbi kanalin e Vivarit dhe ecën edhe 10 kilometra të tjera, një postobllok i policisë ndalon pothuajse çdo makinë.

“Ne nuk i marrim dot emigrantët e paligjshëm për t’i çuar në Konispol sepse policia mund të na shoqërojë në komisariat për një natë, në rast se na gjen pasagjerë pa dokumente identifikimi,” – thotë taksisti i moshuar dhe me eksperiencë Fatmiri nga Saranda. “Për këtë shkak, emigrantët detyrohen të përshkruajnë 10-15 kilometrat e fundit më këmbë,” – shton ai. “Kjo është e neveritshme. Mirë që ecin orë të tëra nëpër malet e Greqisë, por detyrohen të ecin maleve edhe në Shqipëri.

Kur mbërritëm në Shkallë, vendi ku tre rrugët drejt Konispolit bashkohen, policia na ndaloi. “A keni dokument identifikimi?” pyeti polici. I nxorra kartën e identitetit. E pa dhe pyeti kolegun e vet nëse duhej të kryenin verifikimin. Verifikimi është një procedurë që synon të dallojë nëse personi që kalon aty është identifikuar ndonjëherë si i riatdhesuar nga policia greke. “Jemi të detyruar t’ju bëjmë disa pyetje,” – vijoi polici. Ku po shkoni dhe për çfarë arsyeje,” – shtoi ai.

“Po shkoj në Konispol për femra,” qe përgjigjja që i pati dhënë Fazlliu. “Nuk jemi më në kohën e Enver Hoxhës kur nuk lëviznim dot as brenda vendit.”

Praktikisht të gjithë ndalohen, pyeten dhe për ata që dalin “emigrantë ilegalë përsëritës,” u thuhet se duhet të kthehen. Policia shqiptare mban statistika për numrin e njerëzve që ka ndaluar, duke i klasifikuar si: “përpjekje për kalim ilegal kufiri të parandaluara.”

“E kisha autobuzin përplot me emigrantë sot,” – tregon shoferi i autobuzit Sarandë-Konispol. “M’i zbriti policia që të gjithë.”

Kjo strategji e policisë shqiptare nuk është se ka ndonjë rezultat tjetër veç rraskapitjes së mëtejshme të emigrantëve.

“Mos e tentoni te stacioni i autobuzit të Igumenicës,” – këshillon Fazlliu dy lushnjarët dhe një beratasin. “Sot në mëngjes mua atje më kapën. Qe një polic i veshur me zhele, që sorollatej dhe zuri plot.” “Çfarë të jetë e shkruar do të ndodhë. Secili ka riskun e vet,” përgjigjet njëri ndërsa vijon të ushqehet i pashqetësuar.

Atë ditë, (7 prill), 70 emigrantë të paligjshëm të kapur nga policia greke në Igumenicë dhe zonat përreth u kthyen në Qafë-Botë. Policia ia mbajti emrat shënim dhe i la të lirë. Pjesa dërrmuese e tyre shkoi në Konispol për të pushuar dhe për t’u përgatitur për të kaluar sërish.

Strategjia e Fazlliut është që të niset në të gdhirë, me qëllim që të mos arrijë në Igumenicë as shumë herët, as shumë vonë. Ai vetë punon në Igumenicë bashkë me familjen, katër fëmijët dhe gruan. Dy nga fëmijët kanë dokumente, dy të tjerët janë ilegalë. “Djali i vogël është mjeshtër i vërtetë. Punon me pllaka si ndihmës i një mjeshtri dhe mjeshtri që është burrë i vjetër, i jep 60 euro dita, nga 40 që paguhen zakonisht ndihmësit,” tregon ai. “Unë vetë jam në gjendje që për pesë orë të dal te pishat mbi Igumenicë.

Fazlliu është i pakënaqur me pastërtinë relative të krevatëve, ku mund të shtrihen disa njerëz brenda një dite. Mua më duken të pranueshëm.

“Ky krevati im më ngjan se mban era m…,” – thotë Fazlliu, i cili i kushton kujdes të veçantë paraqitjes dhe qëndron vazhdimisht me një bojë këpucësh në dorë. Pas pak, kuptohet se pse. “Kur dal në Igumenicë, lyej këpucët dhe pastroj pantallonat,” – thotë ai. “Një herë, një polic grek më kapi dhe më tha: ‘ti me këtë veshje të pastër nuk ka mundësi të kesh ardhur nga mali.’ Kështu më la të vazhdoja.”

Koli duket edhe më i përgatitur. “Një herë, më morën në telefon dhe më thanë të garoja për kryetar komune për Partinë Demokratike,” tregon ai.

“Ti duhet të kesh mbaruar shkollën e mesme përderisa ke mbërritur deri këtu,” komenton Fazlliu. “Kam të lartën me korrespondencë,” shton Koli. Kandidimi i tij për kandidat doli i pafat.

“Kryetari i PD-së më mori në telefon pak pasi më kishte bërë propozimin dhe më tha: nuk e bëj dot. Më ka ofruar një parelli 6 mijë euro për postin e kandidatit. Kështu nuk u bë. U ktheva në Shqipëri në vitin 2007 me shpresë se do të gjeja njerëzit që njihja. Por në postet drejtuese gjeta gangsterë dhe ish-skafistë,” shton ai. Pasi punoi disa kohë te posta shqiptare sh.a, vendosi të kthehej si punëtor krahu në Greqi.

“Unë kam marrë kollare me vete,” – tregon ai duke na indikuar mënyrat e maskimit përballë policisë greke.

Policia greke duket se përdor antropologjinë për të identifikimin e emigrantëve potencialë dhe me shqiptarët duket se u ecën.

Për Memin dhe Fatmirin, problemi më i madh është konkurrenca që u vjen nga policët taksistë.

“Janë ata që mbajnë makina me targa të huaja. Punojnë paradite në polici dhe pasdite taksisë. Ata i marrin emigrantët duke i zhvatur. U marrin nga 100 euro për kokë për t’i çuar deri në Konispol, ndërsa me ne mund të udhëtojnë për vetëm 40 mijë lekë rruga, (dmth 10 mijë lekë secili). Në këtë mënyrë, taksistët policë, jo vetëm që zhvasin emigrantët, por edhe na marrin punën ne, që paguajmë taksat,” – thotë Izeti, i cili mburret se ka mercedezin taksi më të mirë në Sarandë.

Memi tregon se si kishte kërcënuar njërin prej policëve taksisë për konkurrencën e pandershme, ndërsa ai i qe përgjigjur se nuk e vriste mendjen pasi qe kushëri i Berishës.

Janë gjithsej tre rrugë që të çojnë në Konispol. Ajo më e rëndësishmja kalon me trap kanalin e Vivarit pranë Butrintit. Aty është një postobllok natyral që mund të përdoret nga policia, e cila me ndërgjegje nuk e përdor më, por e ka bazuar punën e vet te parimi i postobllokut të lëvizshëm. “Mbajtja e postobllokut në Kanalin e Vivarit u kritikua ashpër nga ne, kur në vitin 2009, disa njerëz u mbytën pasi tentuan ta shmangnin postobllokun duke kaluar liqenin e Butrintit me varkë,” tregon Thoma Nika, gazetar në Sarandë.

“Ajo tragjedi qe pasojë e babëzisë,” komenton Telnis Skuqi, gazetar në Gjirokastër. Emigrantëve u kërkojnë 50 euro për një udhëtim me varkë prej vetëm 300 metrash.”

E njëjta situatë strategjike gjendet edhe në anën greke. Një lumë me ujëra të ftohtë e të rrëmbyer, lumi Kalamas, kalohet nga vetëm një urë e cila lehtësisht mund të bllokohet nga policia. Por askush nuk dëshiron të mbajë në ndërgjegje njerëzit e mbytur, kështu që edhe policia shqiptare edhe ajo greke, përpiqen të bëjnë punën e vet pa shkaktuar viktima, pavarësisht se kjo do të thotë që dhjetëra njerëz të kalojnë çdo ditë ilegalisht nga Shqipëria në Greqi.

Çdo ditë, në stacionin e autobusit në Igumenicë, turmat e emigrantëve të paligjshëm që kanë kaluar kufirin në këmbë një natë më parë grumbullohen për t’u nisur për në qytetet e mëdha greke. Disa prej tyre ndërrojnë rrobat para se të hyjnë në qytet dhe përpiqen të maskohen. Që të gjithë dallohen që janë emigrantë, por edhe policia greke nuk e ka objektiv në vetvete ndalimin e tyre. Kur u flet shqip, të marrin për provokator. Njëri iku me vrap. Një çift nga veriu u ulën të pinin kafe në një lokal ngjitur.

Në fund, përpjekjet e policisë shqiptare dhe asaj greke për të ndaluar emigrimin ekonomik në rrugë ilegale duken si një lojë. Një lojë që shpesh kushton jetë njerëzish në të dy anët e kufirit dhe akoma më shpesh shkakton vuajtje të kota për turmat e të përvuajturve.

Në rast se vizat me zonën Shengen hiqen vitin e ardhshëm, siç janë edhe shpresat, problemi pritet të mbetet pothuajse i njëjtë për këtë pjesë të shqiptarëve, të cilët janë kapur dhe riatdhesuar shumë herë deri tani. Secili prej tyre ka marrë edhe vendimin e moslejimit të hyrjes në territorin e Greqisë për pesë vjet.

You may also like...