Shqiptari në peshoren ujk apo dele

Na pëlqen ta quajmë veten ujqër, por ujërat e plasura të Shqipërisë dëshmojnë edhe një herë se kemi shkuar për dele, pra për lesh!

Shprehja popullore thotë se njerëzit janë bërë si ujqër. Ka edhe nga ata që e zbusin këtë duke thënë se njerëzit janë si qentë, për dy kuptime: nga njëra anë kafshojnë e nga tjetra edhe lehin me kërcënim duke treguar dhëmbët sa herë të munden. Mund të jetë e vërtetë. Nuk kemi sesi ta themi me plot gojën, që ja njeriu për njeriu, siç e tha edhe John Lock na qenka ujk.

Le ta zëmë se ne të gjithë qenkemi ujqër. Nëse është kështu, atëherë përse durojmë mbi kokë lloj-lloj poshtërsish dhe nënshtrohemi, e bëjmë sikur nuk e njohim dorën që na rrahu sapo kthyem kokën e që tani na jep një të përkëdhelur djallëzore si ato që maten mirë përpara se të bien pas qafe?

Nëse ne të gjithë do të ishim ujqër, do të kishim ngelur fare pak akoma, sepse ujqërit me ujqërit hahen e copëtohen. Ne jo vetëm që nuk jemi shqyer, por jemi shëndoshur. Kjo sepse përveçse pimë bar, kemi filluar edhe të hamë bar. Por ndryshe nga bari i halucinacioneve që pimë për t’u ngritur lart, bari që hamë është i stërshkelur dhe përbën realitetin që gëlltisim çdo ditë e na ngel shuk në stomak.

wolfsheep

Dele apo ujk?

Meqë qenkemi barngrënës, veçse barpirës, atëherë jemi dele. Por jo dele të bardha,  të urta, paqësore dhe që bëjnë ‘beee’ kur u teket. Ne jemi nga ato delet e zeza që shëtisim në këtë Shqipëri, që s’i ka ngelur më as bar e as tokë, veshur ca me kostume, ca me fustane, ca pispillosen në televizione e ca të tjerë e dinë vendin e pranojnë të strehohen në kasolle.

Deri këtu, do të ishte më mirë të ishim qen, sepse qentë, mor ti, dinë të paktën të notojnë kur vjen puna për t’u përmbytur.

Për sa kohë e kemi bërë Shqipërinë lesh dhe e kemi lënë të na zërë sytë, jemi dele…

Sa për ujqërit, atyre s’ua lidh njeri sytë me bishtin e vet. Por s’ka ujqër mbi këtë dhe.

You may also like...