Si ndihmoi Kipling shtypjen e një kryengritjeje indiane në llogoret e Luftës së Parë Botërore

Shërbimi sekret britanik përdori autorin e Libri i Xhunglës për të kundërshtuar propagandën Gjermane përmes rishkrimit të letrave që ushtarët shkruanin për familjet në Indi.

Ushtare indiane

Ushtarë indianë në shërbim në Francë gjatë Luftës së Parë Botërore. Foto: Rex/Shutterstock

Ai ishte një nga shkrimtarët më të lavdëruar britanikë të shekullit të njëzetë, fitues i Çmimit Nobel dhe autor i Libri i Xhunglës. Por puna e Rudyard Kipling për shërbimin sekret britanik gjatë Luftës së Parë Botërore nuk është studiuar gjatë.

Tashmë një kërkim i ri ka vënë në dukje rolin e jashtëzakonisht të autorit të Kim dhe opemës If (Nëse) në përhapjen e propagandës pro-perandorisë britanike, propagandë që synonte të shmangte rrezikun e një kryengritjeje mes ushtarëve indianë që luftonin në Francë.

Dr. Gajendra Singh, një historian në Universitetin Exeter ka gërmuar në arkivat e shërbimit sekret Britanik për librin e tij të ardhshëm, Pasqyrat e Dhunës. Ai ka zbuluar se si, në dekadën e dytë të shekullit të njëzetë, rreth 14 mijë indianë që jetonin në SHBA po bëheshin shqetësim i përhershëm i shërbimeve sekrete britanike. Të zhytur në idealet para-bolshevike, shumë prej tyre po kërkonin një kryengritje për të rrëzuar perandorinë britanike në Indi. Një njësi klandestine gjermane – e njohur si Qendra e Informacionit për Lindjen – e pa këtë grupim si një aset të vlefshëm dhe filloi t’i manipulojë ata me propagandë anti-Britanike.

“Rreth gjysma e emigrantëve u kthyen në Indi më 1914 me synimin për të ushqyer kryengritjen, për të trafikuar armë e eksplozivë dhe për të zhvilluar një rrjet bazash,” thotë Singh. “Ata ishin përgjegjës për një ngjarje që për pak përfundoi në kryengritje më 1915. Shqetësimi më i madh për britanikët ishte se këta ishin ushtarë në pension dhe e dinin se çfarë po bënin. Ata e quanin veten lëvizja Ghadar – në gjuhën urdu, kryengritje apo rebelim – dhe që ishin organizuar që në vitin 1847.” Ky ishte viti i një kryengritjeje të përgjakshme por të pasuksesshme kundër Kompanisë së Indive Lindore – një ngjarje që autoritetet britanike punuan dëshpërimisht që të mos përsëritej.

Shërbimi sekret britanik ishte gjithashtu i shqetësuar se mijëra trupa indiane i kishte dërguar të luftonin në Francë. Agjentët po monitoronin letrat që ata dërgonin në shtëpi për të mbajtur shënim çdo shfaqje të ndjenjave anti-britanike të cilat mund të përktheheshin në kryengritje. Në të njëjtën kohë kishte një bashkëpunim në rritje mes revolucionarëve irlandezë dhe atyre indianë, të ushqyer nga shërbimi sekret gjerman, i cili përhapte thashesheme se sa keq po trajtoheshin ushtarët indianë.

“Kipling u rekturua nga shërbimi sekret britanik në Luftën e Parë Botërore për të shkruar për gazetat Amerikane me emrin e vet, për të treguar britanikët në një dritë pozitive dhe për të penguar nacionalistët indianë,” tha Singh.

“Më 1917 atij iu kërkua nga një degë e shërbimit sekret britanik të shkruane një shembull të korrespondencës së hamendësuar të indianëve. Atij i dhanë letra reale që dërgoheshin në shtëpi nga ushtarët indianë dhe iu kërkua të shkruante versione të reja në mënyrë që të përhapte propagandë probritanike.”

Njëkohësisht, Kipling bënte vizita të shpeshta në Irlandë për të rekrutuar trupa për luftën. I shkatërruar nga vdekja e djalit të tij të vetëm, 19 vjeçarit John, në betejën e Loos më 1915, Kipling veproi për patriotizëm.

“Në këtë fazë ai ishte një figurë madhore letrare,” thotë Singh. “Djali i tij sapo pati vdekur dhe ai u angazhua në këto ture për të nxitur rekrutimet në Irlandë. Ai e bëri këtë për të shpëtuar kujtimin e djalit të vet, të bënte çfarë mundej për luftën”.

Ushtare indiane1

Një ilustrim mbi përfaqësuesit e regjimenteve indiane që luftonin për britanikët në Luftën e Parë Botërore. Foto: Getty Images

Kjo ishte epoka e lajmeve të pabaza, kur revistat e përjavshme ishin popullore dhe letrat e Kipling lexoheshin me ëndje nga lexuesit në të gjithë botën. Letrat u përpoqën të kapnin esencën e ushtarit indian që gjendej në luftë jashtë vendit dhe e trajtuan marrëdhënien e këtij ushtari me Britaninë në terma lavdërues dhe paternalistë.

“Ai i shkruan ato për të treguar se sa përplot me besnikëri dhe bindje ishin ushtarët indianë ndaj britanikëve,” thotë Singh. Një pjesë e madhe është sajesë e Kipling që paraqet ushtarin indian si naiv dhe të magjepsur nga arritjet e Britanisë.

Një ushtar që po shërohet në Hempshair tregon se si Kur perandori më udhëhoqi te pallati i tij për të marrë një medalje, unë pashë të gjitha mrekullitë dhe dëfrimet e qytetit të Londrës”.

Ai thotë se ka vizituar një “pallat të mbushur me qilima, mobilje të arta, mermer, mëndafsh, pasqyra dhe perde”, dhe që kishte “ujë të ngrohtë që rridhte nga tuba të argjendtë”.

“Ideja e kësaj pune ishte të hamendësohej një indian i mirë përballë një të keqi,” thotë Singh. “Britania dëshiron të tregojë se shumica e opinioneve të indianëve janë në anën tonë dhe se ata indianë që po komplotonin për kryengritje nuk ishin përfaqësues.”

Roli i Kipling në mbështetjen e perandorisë nuk pritet t’i habisë kritikët e tij. George Orëell e përshkruan atë si një “imperialist nacionalist”. Gjatë viteve të fundit, për shkak se kolonializmi britanik është bërë temë e pakëndshme, vepra e Kipling ka humbur pëlqyeshmërinë.

Por Singh sugjeron se Kipling është i hapur për revizionizëm. “Ai nuk është shumë në modë sot,” tha Singh. “Por është paksa e padrejtë për shkak se vepra e tij është shumë më e larmishme nga se si po lexohet sot.”

You may also like...