Si të bësh kreun e opozitës në Ballkan

Kur je në opozitë në një vend ku zgjedhjet nuk janë të lira dhe nuk sundon ligji por kryeministri apo presidenti, atëherë mund ta konsiderosh veten kot fare. Por pikërisht te kjo kotësi mund të gjesh vlerat që të duhen për të kapur pushtet.

MakiaveliDiaryofTirana

Zgjedhjet kanë mbaruar. Sapo ke rënë në opozitë! Ky është një lajm sa i keq, aq edhe i mirë. Kur je në opozitë, je si të thuash, i vdekur. Si i vdekur, asgjë nuk mund të të dëmtojë.

Kur bie në opozitë, dy janë punët kryesore që duhet të kryhen me ngut: të shpallësh zgjedhjet e manipuluara dhe të godasësh elementët armiqësorë brenda partisë tënde. Zgjedhjet duhet të shpallen të manipuluara sepse, në fund të fundit, ti e di se të gjitha zgjedhjet të manipuluara janë dhe diferenca është se fituesi ka rezultuar manipulator më i zoti ose humbësi ka mbërritur në pikën kur manipulimi i zgjedhjeve mund ta ngrejë në statusin e diktatorit, një gjë e rrezikshme që mund të kapërcejë nivelin e të keqes aktualisht të pranueshme në Ballkan.

Nga ana tjetër, elementët armiqësorë brenda partisë janë të tillë që e kryejnë shërbimin e tyre ndaj teje pikërisht duke u djegur. Një ose disa prej udhëheqësve më të lartë duhet të mënjanohen ose eliminohen politikisht, nuk ka rëndësi se çfarë kanë bërë apo nuk kanë bërë. Të tjerët duhet të kuptojnë se në fund të fundit, ti dhe vetëm ti je pronari i partisë.

Pasi t’i mbarosh këto punë urgjente, relaksohu. Asgjë nuk është më problem. Gjatë të gjitha viteve që je në opozitë, nuk të mbetet ndonjë punë tjetër veçse të sigurohesh për nja dy detaje që të ndihmojnë të vish sërish në pushtet kur t’i vijë koha.

E para, gjatë kohës që je në opozitë, si je zotëria “jo!” Kjo është shumë e rëndësishme! Për çdo gjë që qeveria kërkon, ti duhet të thuash vetëm jo. Nëse qeveria dëshiron të ndryshojë kushtetutën, p.sh., dhe për këtë të fton ta votosh në emër të të mirës së kombit, ti thua jo. Nëse qeveria thotë se ka nevojë për unitet kombëtar, fjala vjen, për axhendën e integrimit europian të vendit, ti thua sërish jo! Nëse thua po, bie në grackë. Shfaqesh i dobët dhe i tregon popullit se, në fund të fundit, vendi mund të ecë njësoj keq, si me qeverinë aktuale, si me ty në pushtet. Duhet t’i tregosh popullit se vendi mund të eci keq, por ai duhet gjithsesi të të ketë ty në pushtet.

E dyta, gjatë kohës që je në opozitë, kujdesu që qeveria t’i marrë të gjitha pushtetet. Nëse ke nën kontroll ndonjë bashki apo komunë, p.sh, përpiqu me të gjitha mënyrat që ta humbasësh. Nëse qeveria ka shumicë të thjeshtë, kujdesu që të të blejë ca deputetë dhe të bëjë shumicë të cilësuar. Kjo puna e blerjes së deputetëve është më mirë të të ndodhë shpejt se sa vonë. Më mirë në mënyrë të dukshme se sa të padukshme. Nëse nuk ndodh menjëherë pas zgjedhjeve, deputetët mund të të shiten në pika kritike. Jo se kjo ka rëndësi, por në çastin që të shiten në pika kritike, si fjala vjen, kur po zgjidhet një president i ri apo po miratohet një ligj i rëndësishëm, blerja të nxjerr ty të dobët dhe të paaftë për të kontrolluar njerëzit e tu. Kështu që, shpreso që qeveria do të kryejë blerjen e deputetëve të tu pa shkaqe të dukshme. Qeveria mund të mendojë se përfiton, por në fakt, duke blerë deputetë, humbet.

Nëse ti kontrollon ndonjë pjesë të atyre që konvencionalisht njihen si “institucione të pavarura”, sigurohu që qeveria t’i marrë edhe ato. Kjo mund të duket kundërintuitive, por është e domosdoshme për shkak se qeveria është si puna e majmunit në pemë. Sa më lartë të ngjitet, sa më shumë pushtet të akumulojë, aq më shumë do t’i duket prapanica. Dhe ti e ke fare të lehtë që ta lësh qeverinë të ngjitet sa më lartë në pemë. Në fund të fundit, pasja e pushtetit kur je në opozitë në vendet ku nuk ka sundim të ligjit, është një ushtrim i kotë. Ai pak pushtet që mund të kesh ti dhe që nuk të hyn në punë për asgjë, shërben si alibi për të të goditur, ose për të të hedhur fajin për telashet që vetë qeveria i bën.

Alternativa, mbajtja e atij pak pushteti që mund të të ketë mbetur, fjala vjen, kontrolli i ndonjë bashkie, për shkak të mungesës së sundimit të ligjit mund të të bëhet barrë në vend që të të bëhet ndihmë. Qeveria mund të të sabotojë në mënyrë të paligjshme, por që të hysh në një debat të stërholluar ligjor mbi rrënjët e sabotimit, kjo është një punë e lodhshme dhe e kotë. Askujt mes publikut nuk i intereson të dijë se se sabotojnë dy horra njëri-tjetrin.

Menaxhimi i shantazhit

Kur ti je në opozitë, shumë njerëz nga administrata apo vetë qeveria, qofshin naivë, qofshin inatçinj, fillojnë të flasin. Filan zyrtar vodhi kët, filan ministër vodhi atë. Dëgjoji me vëmendje këto informacione dhe gjej mënyrën që të bësh të ditur te zyrtarët përkatës se ti e di që ata kanë vjedhur. Por mos denonco kurrë publikisht gjëra të tilla. Informacionet e vërteta përdori për shantazh. Në publik denonco vetëm me fjalë të përgjithshme, me çështje të kota apo të pavlefshme. Me raste, kur të mbetesh keq për lekë, mund ta përdorësh këtë informacion për të vënë gjoba te klientët e qeverisë. Denoncoje korrupsionin ditë për ditë, por pa folur kurrë për korrupsion real. Dhe kur të zgjedhësh se për çfarë teme do ta denoncosh korrupsionin, kjo duhet të bazohet se parimi se sa shumë trembet populli nga pasojat e korrupsionit, jo se sa realisht është vjedhja. Denoncimi për çështje të tilla si siguria ushqimore, kushtet higjenike nëpër plazhe etj., janë të rëndësishme për t’i shkaktuar telashe pa fund qeverisë, duke e tërhequr zvarrë atë që të merret me përgënjeshtrime të asaj që thua ti, por kjo nuk ka rëndësi. Nga eksperienca jote në qeverisje ti e di se sa herë që qeveria flet, aq herë populli mendon se ka diçka të vërtetë aty.

Menaxhimi i aspirantëve për shërbëtorë

Telashi më i madh që ke kur je në opozitë, është pamundësia për të zgjedhur se kë duhet të takosh e kë jo. Kur je në qeveri, të gjithë duan të të takojnë dhe ti mund t’i thuash “ik pirdhu” secilit prej tyre. Kur je në opozitë, jo të gjithë, por shumë njerëz mund të të duan të të takojnë, dhe ti nuk i thua dot askujt ‘ik pirdhu’.

Të duhet të ulesh në zyrë nga mëngjesi në darkë dhe të dëgjosh njerëz kot njëri pas tjetrit, secili më delirant se tjetri, që të gjithë duke të rekomanduar se si mund të rrëzohet qeveria. Ty të duhet të tundësh kokën në mënyrë miratimi për çdo ide idiote që ata mund të të rekomandojnë, pavarësisht se ti e di se në të vërtetë, nuk je ti që do të rrëzosh qeverinë, por është vetë qeveria që do të rrëzojë veten për të të falur pushtetin ty.

Për ta bërë këtë punë të bezdisshme dhe të domosdoshme nevojitet që të krijosh një sistem për të mbyllur veshët ndërkohë që tjetri flet, pa harruar të tundësh kokën në mënyrë miratuese për atë që folësi po thotë.

Të gjithë këta njerëz që vijnë të takohen me ty për shkak se qeveria nuk i takon dot të gjithë, ëndërrojnë që një ditë ti të vish në pushtet dhe t’i japësh ndonjë kockë.

Procesi, sido që i bezdisshëm, është gjithashtu edhe ndihmës. Pushteti krijon marrëdhënie interesi jopersonale, ndërsa të qenit të opozitë, të bën sërish njerëzor. Mund të dalësh p.sh që të pish kafe si njeri normal, nuk ka nevojë më të rrethohesh me roje.

Pasi t’i bësh të gjitha këto, mos e vrit mendjen për asgjë tjetër. Nuk ka rëndësi se sa njeri kot je ti. Fati të ka bërë kryetar të opozitës. Herët a vonë, qeveria do të vijë të të dorëzojë pushtetin dhe do ta bëjë këtë me kënaqësi të madhe, pikërisht për faktin se ti je kot.

Lexo gjithashtu: Si të qeverisësh në Ballkan në shekullin e 21

You may also like...