Si të organizojmë protesta të suksesshme, disa rregulla bazë shoqëruar me shembuj
Përmbledhje e përgjithshme
Gjergj Erebara
Çdo protestë lind nga pakënaqësitë e momentit. Për pasojë, shumica dërrmuese e protestave janë të paorganizuara ose të keqorganizuara. Rrjedhimisht dështojnë. Çdo protestë synon të zgjidhë një problem, i cili në vetvete është pasojë dhe jo shkak. Nëse nuk keni drita dhe dëshironi të protestoni, kini parasysh se mungesa e dritave është pasoja e një problemi tjetër, që është makutëria e politikanëve dhe vjedhja e korporatës, në rastin konkret. Në rast se ju kërkoni drita, nuk e zgjidhni thelbin e problemit sepse dritat janë diçka që ju takon. Përveç kërkesës për drita, duhet të kërkoni të zgjidhni në thelb problemin, duhet të kërkoni zhdëmtim, pra ndëshkim të përgjegjësve. Përndryshe, do të hyni në bisedime për atë që ju takon dhe do të detyroheni të paguani më shtrenjtë se më parë.
Ky është një manual i shkurtër që synon t’ju mësojë se si të organizoni në mënyrën e duhur protestën, si të mobilizoni njerëzit, si të menaxhoni situatën për ta çuar atë drejt synimit final.
1. Protesta është mjet, jo qëllim. Për shkak se protestat lindin nga zemërimi i momentit, shumë shpesh ato kthehen në qëllim në vetvete, rrjedhimisht nuk e zgjidhin problemin. Konceptojini protestat si një mjet. Organizojini ato në përputhje me synimin final, zgjidhjen e problemit.
2. Çdo protestë ka nevojë për të udhëheqës. Nuk mund të ketë protestë pa një lider, i cili duhet të ketë aftësinë të prezantojë shkaqet që kanë sjellë organizimin e protestës dhe, më e rëndësishmja, duhet të ketë aftësinë për të prezantuar dhe arritur synimet finale. Jepini njerëzve pjesëmarrës në protestë një shpresë. Shpresa është zgjidhja e problemit dhe jo thjeshtë shprehja e zemërimit përmes protestës.
3. Çdo protestë ka nevojë për përgatitje paraprake. Mos reagoni kurrë menjëherë ndaj një problemi. Përgatituni paraprakisht, merrni kohën e nevojshme për këtë punë. Dikush mund të thotë se duhet të kapet zemërimi i çastit, kur njerëzit janë të revoltuar, por në një protestë të tillë, rezultati i lihet rastësisë. Një strateg i mirë nuk duhet t’ia lërë gjërat rastësisë.
4. Protesta duhet të jetë si një reklamë e bukur. Ajo duhet të përmbajë ngjyra, mesazh të komunikuar, batuta dhe interpretim gati artistik. Shikoni reklamat e korporatave për të parë se si duhet të prezantohet një thirrje për protestë.
5. Identifiko një armik. Çdo protestë shkaktohet nga një problem dhe çdo problem shkaktohet nga një individ. Identifikoje jo si institucion, por si individ. Mos thuaj “gjykata”, thuaj ky gjykatës a gjykatëse.
6. Besoji komunikimit të drejtpërdrejtë. Me përhapjen e internetit, disa kanë filluar të besojnë se mund të mjaftojë një mesazh i qarkulluar në facebook. Nuk është kështu. Njerëzit duhet të kontaktohen drejtpërsëdrejti. Shpërndani fletëpalosje, trakte. Komunikoni ballë për ballë dhe shpjegojani situatën, arsyet e protestës dhe më e rëndësishmja, qëllimin final.
7. Përballuni dhe mëshironi. Duhet të përballeni me armikun e identifikuar si përgjegjës për problemin, por mos harroni kurrë se synimi final është hapja e bisedimeve dhe zgjidhja e problemit. Armiku, kur është një person publik, duhet të trajtohet si fëmijë. T’i lihet një rrugë tërheqjeje me dinjitet, përndryshe do të jetë i gatshëm të luftojë deri në vdekje. Vetëm në rastin kur keni për synim eliminimin tërësor të armikut, atëhere mund të mos i lini rrugë tërheqjeje, por në këtë rast, shanset për dështim shtohen.
8. Mbani larg politikanët. Në shumë raste, protestat në Shqipëri tërheqin vëmendjen e politikanëve, veçanërisht atyre të opozitës, të cilët bëhen menjëherë udhëheqës. Problemi është se politikanët nuk kanë për synim që të zgjidhin halle. Biznesi i tyre është që të ketë probleme. Nëse nuk keni drita dhe një politikan dëshiron t’ju udhëheqë në protestë, kini parasysh se politikanit i intereson pikërisht që ju të mbeteni pa drita, sepse po të mos ketë halle, nuk do të ketë as politikanë. Angazhimi i një politikani, megjithëse këta të fundit kanë akses në media dhe mund të bëjnë zhurmë, më shumë do t’ju dëmtojë se sa do të ndihmojë qëllimin tuaj.
9. Vlerësoni përmasat e problemit. Njerëzit dalin në protestë praktikisht për tri arsye: a) është interesi i tyre i drejtpërdrejtë në lojë; b) solidarizohen me popullatën e prekur nga problemi; c) kurreshtja, ose njerëzit që dalin në protestë për qejf, ose për të shtyrë kohën. Shqipëria e sotme përbëhet nga njerëz që kanë shumë halle për vete dhe shumë shpesh, edhe vetë të prekurit nga një problem, refuzojnë të dalin në protestë. Frika është e lartë për shkak të peshës së rëndë të politikës në jetën e gjithësecilit. Vlerësimi i përmasave të një problemi si dhe numrit të njerëzve që preken nga ai problem apo rëndesa që u ka rënë mbi supe, ju shërben për të kuptuar se sa mund të shpresoni për angazhim publik.
10. Krijoni një argument të bazuar në fakte. Bota e sotme konsiderohet nga disa si një botë ku sundon relativizmi. Çdo gjë konsiderohet relativisht e mirë ose e keqe. Fryma e protestës kërkon të kundërtën e kësaj, kërkon absolutizëm. Për të mbërritur te e vërteta absolute, duhet të organizohet një argument, i cili duhet të bazohet në kërkim të detajuar mbi problemin. Në fund, argumenti duhet të thjeshtëzohet në mënyrë që të përshtatet për publikun e gjerë.
11. Ekzagjeroni, por me masë. Në rast se protesta bëhet kundër shkatërrimit të një ndërtese historike, atëhere mos thoni thjeshtë se një ndërtesë e vjetër është e mirë. Thoni se ajo ndërtesë është identiteti i qytetit dhe se me shkatërrimin e saj qyteti po mbetet pa ditëlindje dhe pa emër.
12. Përdorni simbolikë. Nëse dëshironki të sulmoni një kundërshtar, mund të përdorni fjalë të drejtpërdrejta ose simbole. Psh, nëse protesta është kundër korrupsionit, mos i thoni thjeshtë hajdut të denoncuarit, pikturoni një derr dhe vendosni emrin e tij sipër.
13. Zgjidhni metodën më të përshtatshme të protestës. Format e shprehjes së protestës janë të shumëllojshme dhe dalja në rrugë me pankarta ose me fjalime është vetëm një prej tyre. Në shumë raste, një gjë e tillë nuk është e mundur. Njerëzit nuk duan të identifikohen si pjesëmarrës në një protestë apo kanë frikë. Ka raste kur njeriu ndaj të cilit protestohet, do të ketë marrëdhënie me protestuesit edhe pas protestës. Kështu, nëse një dekan merr një vendim të dëmshëm për studentët, protesta ndaj tij sipas të gjitha gjasave nuk do ta shkarkojë nga posti ndërsa studentët do të përballen me të edhe për shumë vite. Në këtë rast, protesta e fshehtë mund të ketë efekt më të madh se sa protesta e hapur. Prodhoni një trakt dhe shpërndajeni nëpër shkollë, shkruani fshehtas parrulla nëpër mure. Këto forma protestash ndoshta do ta shtyjnë dekanin të mendohet dy herë për vendimin e tij.
14. Sindikalizmi i fshehtë. Sindikalizmi nëpër kompanitë e ndryshme shqiptare është një punë shumë e vështirë dhe e rrezikshme në Shqipërinë e sotme. Për shkak të papunësisë së lartë, një grevë e hapur kundër punëdhënësit mund të përfundojë menjëherë me pushimin nga puna të të gjithë grevistëve. Lehtësia e zgjidhjes në këtë mënyrë vjen nga fakti se në Shqipëri ka shumë të papunë dhe punëmarrësit nuk kanë fuqi negociuese, siç kanë në vendet e zhvilluara. Kjo nuk mund t’i pengojë punonjësit të mbrojnë të drejtat e tyre dhe mund ta bëjnë një gjë të tillë fshehtazi, pa rënë në sy të punëdhënësit dhe pa rrezikuar. Një metodë është letra anonime, një tjetër, ngadalësimi i qëllimshëm i punës pa u vënë re. Në entet shtetërore mund të ekspozohet korrupsioni, në entet private mund të ekspozohet evazioni fiskal.
15. Bllokimi i rrugëve është kundërprodhues. Shumë njerëz, për shkak të vështirësive që kanë për të tërhequr vëmendjen te halli/protesta e tyre, tentojnë të bllokojnë rrugët. Në këtë rast shpresojnë se zëri i tyre do të dëgjohet domodsoshmërisht. Ka shumë arsye për të besuar se një teknikë e tillë më shumë dëmton se sa bën mirë. Njerëzit nuk mund të detyrohen të marrin pjesë në protestë duke bllokuar rrugën. Duhen bindur. Bllokimi i rrugës i jep një argument kundërshtarit për ta injoruar protestën, duke e hequr vëmendjen nga problemi.
Shënim: Këtë shkrim mund ta kopjoni dhe shpërndani pa të drejtë autori. Nëse vendosni linkun e shkrimit, atëhere faleminderit!
Përmirësime apo shtesa të këtij shkrimi do të bëhen herë pas here.