Si t’i zëmë me gurë politikanët

Gjergj Erebara

Poster kortezi e Haxhi Konit

Poster kortezi e Haxhi Konit

Nja tetë muaj më parë, duke marrë leksionet e Gene Sharp Nga Diktatura në Demokraci, pata bërë një si tip udhërrëfyesi se si të organizojmë protesta të suksesshme. Nën eksperiencën e protestave të fundit kundër importimit të armëve kimike të Sirisë në Shqipërisë, po kuptoj se kam bërë një gabim të rëndë, të cilin shpresoj ta korrigjoj tani.

Në pikën 8, pata thënë: Mbajini larg politikanët sepse interesi i tyre është që të ketë problem, jo të zgjidhen problemet. E pra, e paskam shtruar çështjen gabim. Më mirë do të qe: Si t’i zëmë me gurë politikanët, si t’ia bëjmë që t’i shporrim nga protestat tona, pa dallim nëse i përkasin maxhorancës apo opozitës.

Ja pra që jemi në situatën kur Mesila Doda, deputete e Partisë Demokratike, e zgjedhur në mënyrën jodemokratike të listave të mbyllura (si të gjithë deputetët) dhe e njohur për varje te palmat, dhe rrjedhimisht për mungesën e sensitivitetit njerëzor për katër jetë të humbura në mënyrë krejtësisht të panevojshme më 21 janar 2011, shprehu sensitivitetin e saj për kauzën e ndalimit të importimit të armëve kimike.

Ajo thotë se ka ardhur në protestë individualisht, si qytetare, (nënkupto, ka shkelur vijën e partisë). Por për njerëzit që e shohin në televizor, kjo ka pak rëndësi. Ajo është përfaqësuese e Partisë Demokratike, e cila ka historinë e vet përplot me plehra në Shqipëri.

Është gjithmonë gjë e mirë të pendohesh për qëndrimet e të shkuarës, por është akoma më mirë që kjo pendesë të bëhet kur je në maxhorancë, jo në opozitë. Natyrisht, çdokush është i mikpritur në protestë, përfshirë edhe zonjën Doda, por për hir të së shkuarës dhe për hir të kauzës që ne kemi dalë në shesh, bën po aq mirë të qëndrojë larg mikrofonit.

Për ne të tjerët pyetja është se si ta imponojmë këtë, pra si ta ndalojmë. Natyrisht, na takon ne të gjithëve si protestues, t’i themi se nuk besojmë se ka ndonjë gjë të vlefshme për të thënë dhe që kurrsesi, nuk ndjejmë se përfaqëson vlerat për të cilat ne kemi dalë.

—-

8.       Mbani larg politikanët. Në shumë raste, protestat në Shqipëri tërheqin vëmendjen e politikanëve, veçanërisht atyre të opozitës, të cilët bëhen menjëherë udhëheqës. Problemi është se politikanët nuk kanë për synim që të zgjidhin halle. Biznesi i tyre është që të ketë probleme. Nëse nuk keni drita dhe një politikan dëshiron t’ju udhëheqë në protestë, kini parasysh se politikanit i intereson pikërisht që ju të mbeteni pa drita, sepse po të mos ketë halle, nuk do të ketë as politikanë. Angazhimi i një politikani, megjithëse këta të fundit kanë akses në media dhe mund të bëjnë zhurmë, më shumë do t’ju dëmtojë se sa do të ndihmojë qëllimin tuaj.

You may also like...