Si u prit vdekja e ekonomistit të madh në një provincë të humbur të globit si Tirana
Liberalizmi shqiptar duket se ka vdekur para Friedman-it
Idetë pa dhunë, duket se jetojnë pak në një vend si Shqipëria
“Qeveritë nuk mësojnë kurrë, vetëm njerëzit mësojnë”, – tha Friedman. Teoritë e tij joshëse ndihmuan të djathtën shqiptare të kthehej në pushtet, por liberalizmi duket se vdiq në politikën e Tiranës shumë kohë para se frymëzuesi të ndërronte jetë
Gjergj Erebara
Liberalët në të gjithë botën vajtuan dje (dt.16/11) ndarjen nga jeta të gjenialit Milton Friedman, frymëzuesit të shumë politikanëve, aktivistëve dhe natyrisht, ekonomistëve, në të katër anët e botës. Vajtuan thashë?! Termi nuk mund të jetë fort i saktë, përballë faktit se disa prej profesorëve të Fakultetit Ekonomik të Tiranës, nuk e dinin se ishte ende gjallë dhe vend për ndonjë ndjesi nuk ka. Por një grup aktivistësh të shoqërisë civile, të njohur si grupi i liberalëve në Tiranë, e përkujtuan humbjen e njeriut që përbëri frymëzimin e tyre kryesor, frymëzim deri diku i pafat për nga produkti që solli në jetën politike shqiptare.
Fjala “vuajtje”, në fakt edhe mund të përdoret, po të kemi parasysh konkluzionin legjendar të historianit Eric Hobsbawm se “teoritë ekonomike kalojnë shpejt nga mjete të nevojshme për të zgjidhur probleme, në parime fetare të pandryshueshme”. (Ose në parime që pengojnë zgjidhjen e problemeve).
Ky mistifikim i teorive ekonomike ndodh në të gjithë botën, natyrisht edhe në Shqipëri.
Vitin e kaluar, një grupim i ri i shoqërisë civile, i vetëshpallur si Komiteti i Orientimit të Politikave, KOP, paraqiti në Shqipëri teoritë liberale, frymëzuar veçanërisht nga Milton Friedman. Teoritë liberale u propaganduan për herë të parë me forcë në këtë vend. Pas kësaj, u kuptua se faktikisht, në Shqipëri nuk kishte patur parime udhëheqëse që nga koha e rrëzimit të parimeve socialiste. Nën konkurencën e krijuar nga KOP, u përhap thashethemi se PS po krijon një organizatë të ngjashme të quajtur KOS , por gjë konkrete nuk pati. Revanshi i teorive liberale, pati një ndikim të konsiderueshëm në një popullatë tepër të irrituar nga kontrolli i politikës deri në çështjet më banale të jetës shqiptare, si psh, festivalet e këngës. Ana tjetër e politikës nuk mori mundimin t’i përgjigjej. Disa politikanë të kualifikuar të majtë, nxituan të vetëshpallen kejsianistë.
Për politikanët e së djathtës shqiptare, teoritë ekonomike duket se mbarojnë te kurba Laffer, e cila thotë se të djathtët i ulin taksat për të nxitur punën ndërsa të majtët i mbajnë taksat e larta për të patur mundësi të rishpërndajnë të ardhurat kombëtare në ndihmë të të ardhurave.
Krerët e së djathtës mbështetën fillimisht grupin e liberalëve, kryesisht për imazh publik. Problemi qe se grupi i liberalëve e mori tepër teorikisht problemin, dhe për këtë morën ironinë e kryeministrit Berisha. Një nga frymëzuesit shqiptarë të “laissez-faire capitalism”, qe i njohur veçanërisht për faktin se kishte kaluar gjysmën e periudhës së tranzicionit shqiptar duke jetuar në një shtëpi private me qera të paliberalizuar.
Liberalët dështuan në përfaqësimin e tyre politik. Pasi morën poste këshilltarësh në kabinetin “Berisha”, humbën shpejt terren derisa dolën të papunë. Ata vazhduan të mbeten aktivë në jetën publike, por jo më në atë politike, aq më pak, të politikave ekonomike. Vetë Berisha, kuptoi shpejt se idetë liberale dilnin kundër dëshirës së tij për të qenë një udhëheqës popullor, i dashur nga masat dhe i shqetësuar gjithmonë për problemet e popullit. Berisha i hoqi qafe liberalët, duke i ironizuar për teorinë më ekstreme liberale, atë të heqjes të pagës minimale ligjore në emër të tregut të lirë. Kryeministri shiti rritjen e pagës minimale, (një vendim që rrit automatikisht taksimin mbi pagën), si një xhest human që do të ndihmojë punonjësit që kanë paga të ulëta, edhe pse “liberalët do ta kritikonin për këtë”.
Pas kësaj, Berisha u kthye në origjinë. Ai shpalli “skemën e kafshatës”, të cilën nuk e sqaroi shumë se çfarë do të sillte, por që u mjaftua të thoshte se “nuk mund të shkojë që disa të lahen në vaska floriri, ndërsa të tjerët të vuajnë për bukën e gojës”.
Krijuesit e KOP u frymwzuan nga “djemtë e Çikagos”, grupit të ekonomistwve kilenë që ndihmuan diktaturën ushtarake të Pinoçetit të rriste ekonominë kilene me politika liberale.
Mjeshtri i vjetër i politikës dukej se kishte një axhendë të ndryshme. Ai synoi të përdorte KOP si një fasadë shumëngjyrëshe ku mund të legalizonte, ose të çertifikonte premtimet e veta elektorale. Berisha përdori një liberal tjetër “De Soto”-n, për të cilin zorr se mund të përmendet titulli “ekonomist”, për të legalizuar planin e vet për të pajisur me tokë ato që e kishin mbështetur.
Në shumë drejtime, sjellja e Berishës gjatë këtij viti plotëson pikë për pikë shprehjen legjendare të Friedman: “Qeveritë nuk mësojnë kurrë, vetëm njerëzit mësojnë”.
Zgjidhjet (ose më saktë, moszgjidhjet) që Berisha i ofroi shqiptarëve, fillimisht me uljen e taksave, pastaj me fushata kozmetike si “Shqipëria një euro”, apo lufta rastësore kundër korrupsionit, plotësojnë njëqind përqind shprehjen tjetër të Friedman: “Zgjidhja që qeveria zakonisht i jep një problemi, është po aq e keqe sa vetë problemi”.
Ndërsa eksperienca shqiptare me kapitalizmin, plotëson përgjithësisht shprehjen se: “Historia na sugjeron se kapitalizmi është një kusht i domosdoshëm për lirinë politike, por është e sigurtë se nuk është një kusht i mjaftueshëm”.
Botuar fillimisht me 17 nentor 2006 ne gazeten ABC