Simulakra shqiptare
Largimi i Milot Rashicës nga kombëtarja e Shqipërisë në drejtim të kombëtares së re të Kosovës ka ngjallur një debat që ka fjetur përherë mes dy shteteve. Jo të pakta kanë qenë përpjekjet që ky debat i fjetur, që përgjumej edhe më shumë hem nga kampionati evropian, hem nga patriotizmi panshqiptar, të kapërcehej një herë e mirë duke theksuar një vëllazëri më të madhe sesa ndarja. Kësisoj hidheshin parullat e tipit “Lum si ne, tani kemi dy kombëtare, forca Shqipëria, forca Kosova”.
Mirëpo, pavarësisht parullave dhe vullnetit të mirë, një betejë e heshtur duket sikur po bëhet edhe më e zëshme midis dy shteteve, veçanërisht pasi Kosova përditë e më shumë vazhdon të njihet në arenën ndërkombëtare. Fakti që delegacioni i Shqipërisë në Lojërat Olimpike të Rio de Zhaneiros ishte mbushur (si përherë?) me një grusht sportistësh dhe me një mori delegatësh, si dhe një ministre që kishte shkuar për turizëm, ndërsa ai i Kosovës ishte mbushur me sportistë dhe medalje e rëndoi këtë debat edhe më tej. Majlinda Kelmendi nuk kishte kushte aspak më të mira stërvitje se sa ndonjë xhudiste nga Shqipëria, por ajo përpos talentit të saj dhe mbështetjes së trajnerit, pati një vendosmëri të spikatur e cila e bëri të dalë fituese.
Duket se kjo vendosmëri Shqipërisë i mungon. Duket se në kulturën e këtij vendi me 28 mijë dëshmorë dhe po aq kilometra katrorë që ende numëron veteranët e luftës antifashiste, ende nuk ka një trim sypetrit që të ngrihet dhe të fitojë. Si ka mundësi?
Në 24 qershor 2014, në mesin e kampionatit botëror të futbollit, në emisionin Opinion u shfaq dokumentari i regjisorit, analistit dhe ish-vokalistit të grupit Gjurmët, Migjen Kelmendi, me titull “Shqipëria 93”. Dokumentari është mjaft interesant për të kuptuar mënyrën se si shqiptarët e Kosovës e shihnin Shqipërinë -një atdhe i mohuar dhe gjithmonë më i dashur, vecanerisht i krahasuar me një pushtim që në atë periudhë (pas vdekjes së Titos) po shndërrohej në gjithnjë e më gjakatar dhe të padurueshëm. Dokumentari tregonte pelegrinazhin e Kelmendit drejt këtij vendi që priste t’i sillte shpëtimin e shpresuar.
Shumica e shqiptarëve të Kosovës e shihte Shqipërinë pikërisht ashtu si e përshkruante Kelmendi në dokumentarin e tij. Ndonëse të rritur në kultura dhe ndikime nga më të shumëllojshmet, ata ishin përherë të gatshëm ta hidhnin mënjanë supremacinë e tyre në emër të dashurisë për atdheun. Kjo vazhdon edhe sot. Shumica e kosovarëve, pse gjatë pushimeve shqiptarët vllazën ua çojnë çmimet në stratosferë, apo u mbivendosin nofka apo epitete diskriminuese, vazhdojnë të konsumojnë turizmin patriotik.
Por kjo duket se nuk do zgjasë përgjithmonë. Dhe natyrisht jo në çdo fushë. Largimi i Rashicës drejt një kombëtareje tjetër që ka gjasa të jetë ndoshta më e zonja sesa kombëtarja jonë i ka tmerruar jo pak sportdashësit shqiptarë. Autoritetet shqiptare të sportit, të cilët, pasi ia kanë dalë të shkatërrojnë çdo fushë sportive dhe pasi kanë keqmanaxhuar me padi dhe babëzi gjithçka ç’mund të bëhej mirë (shihni rastin e stadiumit Qemal Stafa), kanë vendosur që paaftësinë e tyre ta mbulojnë me flamurin kombëtar.\
Nuk është hera e parë.
Ndryshe nga perceptimi që rëndom përpiqet të hidhet në treg, Shqipëria enveriste nuk ka qenë më e zhvilluar, as nga ana sportive, as nga ajo kulturore, (dhe aq më pak institucionale) sesa Jugosllavia titiste. Mjafton të sjellim në vëmendje faktin që ndërsa shqiptarët rriteshin me revista qesharake partie, në ish Jugosllavi kishte një stil evropian jetese, madje atje ekzistonte një revistë ala Rolling Stones. Nëse në Shqipëri aktorët ishin të detyruar të luanin filma me partizanë nën influencën e soc-realizmit, në kinemanë jugosllave, Kusturica bëhej i famshëm me Underground, film të cilin në Shqipëri vetëm nipat e bllokut kishin mundësinë (dhe kënaqësinë) ta shihnin.
Ky disnivel zhvillimi nuk përjashtonte as sportin. Të vetmin kampionat evropian Italia e ka fituar kundër përfaqësueses të Jugosllavisë, ndërkohë që ekipet jugosllave fitonin përherë medalje në lojërat olimpike apo ishin pretendente serioze qoftë edhe në kampionate botërore. Sot, në Kosovë (siç edhe në ish republikat Jugosllave) sheh një sistem të ngritur që nga ajo kohë në sporte si volejbolli, basketbolli apo edhe futbolli (që ka një nivel dytësor në krahasim me basketbollin).
Në këtë panoramikë shqiptarët e Kosovës nuk ishin ndoshta liderët apo udhëheqësit e Jugosllavisë, por pjesëmarrja dhe kontributi i tyre në asnjë mënyrë nuk mund të mohohet. Mjafton të kujtojmë Bekim Fehmiun, një ndër figurat më emblematike të artit në ish-Jugosllavi –një shqiptar i Kosovës. Pa harruar as presidentin aktual të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, i cili ishte një ndër lojtarët më të mirë të Partizanit të Beogradit.
Përballë këtyre figurave gjigande të së shkuarës sporti dhe kultura e sotme e Shqipërisë duket se ka rënë në duart e disa dallkaukëve të gatshëm ta privatizojnë dhe menaxhojnë atë si të ishte një kompani vezësh.
Ishte pikërisht ajo liri, që u dha mundësinë shqiptarëve të Kosovës të ishin më pak të shtirë dhe shumë më të hapur dhe rezultativë sesa ne në lidhje me artin dhe sportin. Në Shqipëri ende nuk kemi një përplasje mes të djeshmes dhe të ardhmes, një përplasje që sipas Arendt duhet të prodhojë një rezultante shpëtimi përballë mungesës së një tradite. Pikërisht kjo traditë e munguar si dhe mungesa e përplasjes mes të djeshmes dhe të ardhmes ka prodhuar një gjendje kaotike ku kopjimi rezulton ose në kitsch ose në një kopje pa asnjë origjinalitet dhe ndjesi.
Janë këto arsyet pse shqiptarët e Shqipërisë sot janë të shqetësuar nga largimi i sportistëve të Kosovës në shtetin e tyre të ri. Janë të shqetësuar pasi druhen me shumë të drejtë se, me tu larguar elementët e përdorur pa asnjë meritë, sistemi i tyre nuk do prodhojë veçse ca butafori apo në rastin më të mirë disa kopje pa origjinalitet.
Me pak fjalë ata që ankohen sot për tradhëtinë e Rashicës kanë vetëm frikën se mos u del në pah fakti se Shqipëria është një shtet që prej më shumë se 25 vjetësh vazhdon të prodhojë vetëm kopje të topitura të një realiteti që nuk ekziston më.