“Sistemi” dhe Taulant Muka

Zv/ministri i dorëhequr Taulant Muka mund të jetë njeriu më i zgjuar në Shqipëri ose naivi më i madh në planet.

Taulant Muka, një akademik i ri por me kredenciale të mëdha, [link], i habiti shqiptarët tre herë. Herën e parë ai denoncoi publikisht një zëvendësministër për plagjaturë akademike, një shkelje shumë e rëndë nëpër botë, por aq e rëndomtë në Shqipëri sa askush nuk denjon të revoltohet. Ne që kemi bërë sikur kemi bërë universitet në Shqipëri e dimë fort mirë se profesorët i kanë ngarkuar studentët e vitit të parë të përkthejnë gjëra nga një gjuhë e huaj, i kanë bërë bashkë gjërat e përkthyera nga studentët dhe i kanë vënë emrin sipër, madje me raste, duke marrë edhe titull akademik me përkthime që as vetë nuk i kanë bërë. Breza të tërë studentësh janë masakruar duke u përpjekur të kuptojnë se çfarë ka dash autori i huaj të thotë nën përkthimin e keq të studentëve. Po nejse! Muka e bëri të tijën për aq sa mund të bënte.

Herën e dytë ai habiti edhe më shumë kur pranoi ofertën e Ramës për ta bërë zëvendësministër si zëvendësues të zëvendësministrit që dha dorëheqjen për shkak të akuzave të tij për plagjaturë.

Herën e tretë, vetëm pesëmbëdhjetë ditë më pas, kur dha dorëheqjen pasi, sipas tij, zbuloi atë që shqiptarët e dinë mirë: administrata publike shqiptare është ndoshta edhe më keq se sa e ashtuquajtura akademi. [Link letra e dorëheqjes]. Ndryshe nga akademia, ku ka ndonjë plagjaturë ose ndonjë studim të dobët që shitet për doktoraturë, në administratën publike shqiptare nuk ka nevojë për plagjaturë. Të vetmet kredenciale janë ato të dhëna nga partia.

Emërimi i tij prej Ramës si zëvendësministër dhe pranimi këtij propozimi nga Muka krijoi një shije të hidhur për ata që gjerësisht njihen si kritikë të qeverisjes. Rama u duk sikur dha mesazhin se të gjithë kritikët e tij nuk i kanë seriozisht kritikat, por janë të pakënaqur sepse po vdesin të bëhen një çik magazinier.

Muka me dorëheqjen e tij ia la në dorë Ramës dopjogjashtën. Me shpjegimin e tij se si funksionon administrata publike në Shqipëri, [link], ai duket sikur dha mesazhin se sistemi qeverisës në Shqipëri nuk është se ka një problem që mund të zgjidhet, ai sistem duhet rrëzuar. Megjithatë fleta e dorëheqjes nuk e thoshte këtë. Përkundrazi: urimi që Muka i bëri kryeministrit “për suksese në detyrën e tij” në fletën e dorëheqjes tregon jo ndonjë plan të mirëmenduar për denoncimin e gjendjes se sa një gatishmëri për t’u dorëzuar përballë gjendjes.

Formulimi i shkresës së dorëheqjes nga Muka është në fakt për të të ardhur keq. Muka uron kryeministrin që të ketë sukses në drejtimin e qeverisë që funksionon pa protokoll, pa përshkrime pune, pa autoritet por me sekretar partie.

Ai vetë tha se sekretari i Ministrisë ishte zoti që kontrollonte çdo shkresë. Sekretari i Përgjithshëm është teorikisht funksionari më i lartë jopolitik në çdo ministri shqiptare. Në ligjet e shumta të shtetit shqiptar ai është konceptuar si një pozicion që duhet të ruajë memorien institucionale dhe të mbikëqyrë funksionimin e dikasterit jashtë vullnetit politik dhe anash posteve politike si ministri apo zëvendësministrat. Dhe këtu është çudia tjetër. Muka, akademiku pa lidhje me partinë, merr një post që është kryekëput politik, por ai prezantohet si profesionist jopartiak që mbikëqyret nga Sekretari i Përgjithshëm i emëruar nga partia për të menaxhuar pushtetin e partisë në Ministrinë e Arsimit. Dhe kur themi partia, natyrisht që nënkuptojmë Ramën, ashtu si edhe anasjelltas. Dhe Muka i uron suksese Ramës dhe rrjedhimisht, partisë, ministres dhe sekretarit të partisë në dikasterin që duhet të merret me arsim dhe me shkencë. Rama duket se është lodhur shumë që sekretarët e përgjithshëm t’i zgjedhë me sa më pak lidhje që të jetë e mundur. Në Ministrinë e Arsimit p.sh., fillimisht kishte një person me emrin Plarent Ndreca, i cili menjëherë pas arsimit u bë ekspert mjedisi. Pastaj më 2017 vuri Koli Bele, një zyrtar socialist që nga CV-ja e vet ka më pak lidhje me arsimin se sa ka Muka me politikën  e Ramës.

Në këtë kontekst, Muka nuk ngjan as naiv dhe as i mençur, ai ngjan më shumë me një turist.

You may also like...