Stabiliteti i çmimeve
Objektivi kryesor dhe më i rëndësishëm i politikës monetare në shumicën dërmuese të vendeve të botës që nga vitet 1980, kur falë ndikimit të Milton Friedman në politikëbërjen ekonomike, zëvendësoi Punësimin e Plotë si objektivin kryesor të shteteve.
Nënkupton mbajtjen e inflacionit mbi një nivel të caktuar përgjithmonë, si dhe ndërhyrje korrektuese për të mos lejuar rritjen përtej objektivit apo rënien e çmimeve. Sipas Bankës Qendrore Europiane, stabiliteti i çmimeve kontribuon në arritjen e aktivitetit ekonomik dhe punësimit në nivel të lartë përmes përmirësimit të transparencës së mekanizmit të çmimeve. Nën regjimin e stabilitetit të çmimeve, njerëzit mund të dallojnë ndryshimet në çmime dhe të parashikojnë me saktësinë e duhur fitimet nominale dhe reale të investimeve apo kursimeve të tyre afatgjata.
Ligji Për Bankën e Shqipërisë i vitit 1997 sanksionoi që Banka e Shqipërisë të funksiononte si një institucion i pavarur nga qeveria apo parlamenti, (i pavarur nga interesat politike) dhe që të kishte për objektiv kryesor “arritjen dhe ruajtjen e stabilitetit të çmimeve”. Ky objektiv është theksuar shumë herë në këtë ligj, duke argumentuar njëkohësisht se objektivat e tjera të BSH janë thjeshtë një funksion i arritjes dhe ruajtjes së objektivit të parë.
Aktualisht, stabiliteti i çmimeve sipas Bankës së Shqipërisë nënkupton objektivin për inflacion të shënjestruar prej 3 për qind në vit, me një bandë luhatjeje plus ose minus 1 për qind. Banka Qendrore Europiane ka për objektiv inflacion “më të ulët por pranë 2 për qind” në vit.
Objektivi i inflacionit përcaktohet në përgjithësi në varësi të potencialit për rritje ekonomike. Në rastin e Shqipërisë, nënkuptohet se objektivi i inflacionit prej 3 për qind është nënprodukt i potencialit për rritje ekonomike prej 6 për qind në vit. Lexo më Fjalorthi Ekonomik