Stalini vrau miliona. Një historian i Stanford i përgjigjet pyetjes, a qe kjo gjenocid?

Kur vjen puna te përdorimi i fjalës “Gjenocid,” opinioni publik ka qenë më i  butë me Stalinin se sa me Hitlerin. Por një historian analizon vrasjet në masë të Stalinit dhe kërkon që përkufizimi i gjenocidit të zgjerohet.

CYNTHIA HAVEN, Stanford

Një kulak dhe familja e tij para shtëpisë së shpronësuar në Donetsk më 1930.

Një kulak dhe familja e tij para shtëpisë së shpronësuar në Donetsk më 1930.

Në librin e tij të ri, historiani Norma Naimark argumenton se përkufizimi i gjenocidit duhet të përfshijë vrasjet brenda një kombi të klasave shoqërore dhe grupimeve politike.

Vrasja në masë është ende mënyra se si shumë qeveri punojnë.

Përgjatë dekadave të fundit janë parë shembuj të tmerrshëm në Ruanda, Kamborxhia, Darfur, Bosnjë.

Vrasje në shkallë kombëtare, po – por a kemi të bëjmë me gjenocid?” Fjala mbart një grusht të fuqishëm,” thotë profesori i historisë në Stanford Norman Naimark. “Në gjykatat ndërkombëtare konsiderohet si krimi i krimeve.”

Kombet kanë mosmarrëveshje mbi përkufizimin zyrtar të fjalës “gjenocid” – e cila aktualisht mbaron te vrasja në masë e grupeve kombëtare, etnike racore apo fetare. Përkufizimi, në fund të fundit, mund të përcaktojë marrëdhëniet ndërkombëtare, ndihmën ndërkombëtare dhe moralin kombëtar. Shikoni psh sherrin e përvitshëm mbi pyetjen nëse masakrat e turqve ndaj armenëve dhe depërtimi i tyre më 1915 qe gjenocid apo jo.

Naimark, autor i një libri të ri të debatuar Gjenocidet e Stalinit, argumenton se ne kemi nevojë për një përkufizim shumë më të gjerë të gjenocidit, një përkufizim që përfshin vrasjen e një klase shoqërore apo një grupimi politik. Në rastin e tij bëhet fjalë për Stalinin.

Titulli i librit është në shumës për një arsye. Ai argumenton se eliminimi i sovjetikëve të një klase shoqërore, kukalët (të cilët qenë fshatarë me të ardhura të larta), si dhe uria vrasëse mes fshatarëve të Ukrainës më vonë, si dhe urdhëri famëkeq 00447 i vitit 1937, i cili urdhëronte ekzekutimin në masë dhe dëbimin e “elementëve të dëmshëm të shoqërosë” si “armiq të popullit” – në fakt qenë, gjenocid.

 

“Unë kam një argument se këto çështje nuk duhet të shihen si episode të ndara por duhen të shihen sëbashku,” thotë Naimark, profesor i Historisë së Europës Lindore. “Është një rast gjenocidi të tmerrshëm – eliminimi me qëllim në tërësi apo pjesshëm i një grupi shoqëror, i një grupi politik.”

Stalini ekzekutoi gati gjysmë milioni nga nënshtetasit e vet, duke filluar nga vitet 1930. Miliona të tjerë vdiqën si pasojë e punës së detyruar, depërtimit, urisë, masakrave, arrestimit dhe torturimit nga ekzekutorët e Stalinit.

“Në disa raste, një kuotë u vendos për numrin e njerëzve që duhej të ekzekutoheshin, numrin e atyre që duhej të arrestoheshin,” thotë Naimark. “Disa zyrtarë e tejkaluan planin për të treguar besnikërinë ndaj regjimit.”

Termi “gjenocid” u përkufizua nga Konventa e Kombeve të Bashkuara mbi Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit në vitin 1948. Puna e konventës qe rezultat i Holokaustit – “i cili konsiderohej gjenocid,” thotë Naimark.

“Një katastrofë që sapo kishte ndodhur dhe çdokush ende po mendonte për luftën që sapo kishte përfunduar. Kjo ndodh gjithmonë në ligjin ndërkombëtar – ata nxjerrin jashtë ligjit atë që ka ndodhur në të shkuarën e afërt, jo atë çfarë mund të ndodhë në të ardhmen.”

Në librin e tij, ai del në përfundimin se ka më shumë ngjashmëri mes Hitlerit dhe Stalinit nga sa pranohet në përgjithësi. “Që të dy shkatërruan jetët e njerëzve në emër të një vizioni transformues Utopie. Që të dy shkatërruan vendet dhe shoqëritë e tyre si dhe një pjesë të madhe të popullsisë brenda dhe jashtë shteteve të tyre. Që të dy kanë kryer gjenocid.”

Transportimi i grurit nga një kooperativë në Kiev më 1032. Tabela shkruan “Bukë Socialiste në vend të Bukës së Kulakëve.”

Transportimi i grurit nga një kooperativë në Kiev më 1032. Tabela shkruan “Bukë Socialiste në vend të Bukës së Kulakëve.”

Projekti fillestar i konventës së OKB-së për dënimin e gjenocidit përfshinte në përkufizimin e vet edhe vrasjet e grupimeve shoqërore dhe politike. Por një dorë që nuk qe në atë dhomë udhëhiqte penën. Delegacioni sovjetik vuri veton ndaj çdo përkufizimi të gjenocidit që mund të përfshinte veprimet e udhëheqësit të tyre, Stalinit. Aleatët, të rraskapitur nga lufta, qenë besnikë ndaj aleatëve të tyre sovjektikë, ndryshe nga gjeneratat e mëpasme.

Naimark argumengon se përkufizimi i ngushtë i gjenocidit është gjithashtu edhe trashëgimia jo shumë e njohur që Stalini na ka lënë ne sot.

Historia “anon në tiparin gjenocidal të regjimit sovjetik në vitet 1930, i cili vrau në mënyrë sistematike dhe jo episodike,” thotë Naimark. Në procesin e kolektivizimit, për shembull, 30 mijë kulakë u vranë drejtpërsëdrejti, më së shumti të ekzekutuar aty për aty. Rreth 2 milionë u depërtuan me dhunë në Veriun e Largët dhe Siberi.

Ata u quajtën “armik të popullit,” si dhe derra, qen, batakçinj, llum, vemie, ndyrësira, plehra, gjysmë kafshë, majmunë. Aktivistët promovuan slloganë vrasës: “Ne do t’i përzëmë kulakët me mijëra nëse është e nevojshme – vrite farën e kulakut.” “Ne do të bëjmë sapun me kulakët.” “Armiqtë e klasës duhet të zhduken nga sipërfaqja e tokës.”

Një raport sovjetik vërejti se bandat “i nxorrën kulakët e rrëzuar të zhveshur në rrugë, i rrahën ata, organizuan festa me pije në shtëpitë e tyre, qëlluan mbi kokat e tyre, i detyruan të hapin varret e tyre, i zhveshën gratë dhe i kontrolluan, vodhën bizhuteritë, paratë e të tjera.”

Shkatërrimi i klasës së kulakëve shkaktoi urinë në Ukrainë, e cila vrau 3 deri në 5 milionë fshatarë.

“Ka shumë prova se qe dora e qeverisë në rrethanat që sollën mungesën e grurit dhe të korra të këqija dhe që e bëri të pamundur për ukrainasit të gjenin ushqim për mbijetesën e tyre”, shkruan Naimark.

Ne nuk do ta mësojmë kurrë se sa shumë milionë njerëz vrau Stalini. “Dhe pavarësisht kësaj në një farë mënyre Stalini kalon,” shkruan Ian Frazier në një artikull të kohëve të fundit ne Neë Yorker mbi gulagët. “Njerëzit e dinë se ai qe i tmerrshëm, por nuk është shpallur ende i tmerrshëm zyrtarisht.”

Revista Time e ka vendosur Stalinin në kopertinën e vet 11 herë. Vrojtimet e opinionit publik në Rusi e rendisin atë pothuajse në majë të udhëheqësve më të mëdhenj të historisë së Rusisë, a thua se qe thjeshtë cari gjakatar i rradhës.

Ka një arsye për verbërinë e rusëve. Çdo familje kishte jo vetëm viktima por edhe vrasës. “Një rrjet i gjerë organizatash shtetërore qe mobilizuar për të kapur dhe vrarë aq shumë njerëz,” shkroi Naimark, duke vlerësuar se dhjetëramijëra njerëz qenë bashkëpunëtorë.

“A mund ta kapërcesh ti atë? A mund ta lësh pas? Si mund të krijohet një identitet kombëtar kur pjesa qendrore e identitetit është një krim?” pyet Naimark. “Gjermanët shkuan në rrugën e drejtë,” tha ai duke vërejtur se Gjermania qe pionjere në kërkimin mbi Holokaustin dhe krimet e Nazizmit. “Përmes mohimit dhe mistifikimit, turqit ecën në rrugën e gabuar.”

Pa një ekzaminim të plotë të së shkuarës, vërejti Naimark, është tepër e lehtë që historia të përsëritet.

Nga fundi i jetës së tij, Stalini ndoshta ka pasur gati edhe një gjenocid tjetër. Ne nuk do ta dimë kurrë nëse konspiracioni i sajuar i mjekëve hebrenj të Kremlinit më 1952 do të kishte sjellë apo jo deportimin e të gjithë popullsisë hebraike të vendit. Çfarëdolloj plani që ishte, ai përfundoi papritur me vdekjen e Stalinit në mars 1953, ndërkohë që thashethemet për internim të hebrenjve po përhapeshin.

Një nga kolegët e Stalinit rikujtoi fjalët e diktatorit ndërsa po rishikonte një listë arrestimesh (në të vërtetë një listë dënimesh me vdekje) dhe i murmuriti vetes: “Kush do t’u mbajë mend gjithë këta fundërrina në dhjetë apo njëzet vjet? Askush… Kush i mban mend sot emrat e bujarëve që hoqi qave Ivani i Tmerrshëm? Askush…. Njerëzit duhej ta dinin se ai po hiqte qafe të gjithë armiqtë e tij. Në fund, të gjithë ata morën çfarë meritonin.”

Kush mban mend? Nëse Naimark ia del, ndoshta ne të gjithë do ta mbajmë mend: “Çdo familje kishte njerëz që vdiqën. Unë jam i bindur se ata kanë nevojë të mësojnë për të shkuarën e vet. Nuk do të ketë kurrë mbarim, por do të ketë një përballje me të shkuarën.”

You may also like...