Statistikat, të dish apo të kesh

Gjergj Erebara

Kryeministri i zgjedhur Edi Rama, me dëshirën për të prodhuar një lajm më të madh nga sa duhet të jetë, deklaroi pak ditë më parë se ka ndër mend ta vendosë INSTAT nën varësinë e zyrës statistikore të ndonjë vendi Europian. Kjo nuk është aspak e nevojshme dhe as nuk zgjidh ndonjë punë

Instituti i Statistikave është një nga të paktat institucione cilësore në Shqipëri. Falë fondeve të bollshme nga Bashkimi Europian, OKB, Suedia etj, ky institucion ka krijuar kapacitete me të vërtetë cilësore nga pikëpamja shkencore. Natyrisht, fondet e bollshme nga jashtë kanë krijuar edhe një farë varësie parazitare nga to. Kur nuk ka fonde, nuk ka as punë. Por kjo mund të zgjidhet. Një problem tjetër me asistencën e BE-së është se metodologjitë janë konceptuar për të shërbyer për mbledhje informacioni në vende si Gjermania, Franca apo Italia. Këto metodologji rezultojnë shpesh të pavlefshme pasi Shqipëria është një shtet dhjetë herë më i varfër se sa Europa dhe një indikator që ka rëndësi në Europë, këtu te ne nuk ka asnjë kuptim.

INSTAT është një institucion gjithashtu që përgjatë dy dekadave të fundit ka qenë nën varësinë dhe presionin e kryeministrave, dhe rrjedhimisht ka shërbyer si mjet propagande.

Megjithatë është e rëndësishme të dallojmë cilësinë e institucionit nga pasojat e keqpërdorimit politik.

Gjëja e dytë që duhet të dallojmë është cilësia e INSTAT nga cilësia e institucioneve të tjera që furnizojnë të dhëna te INSTAT. INSTAT ka dy lloje produktesh, burimet parësore, të cilat përbëhen nga statistika të mbledhura nga vetë INSTAT përmes vrojtimeve të ndryshme, të cilat kanë cilësi shumë të mirë dhe burimet dytësore, statistika të mbledhura nga institucionet e tjera dhe që përpunohen apo thjeshtë publikohen nga INSTAT. Kjo kategoria e dytë e informacionit në fakt reflekton cilësinë e institucioneve të tjera.

Kryeministri i zgjedhur Edi Rama, me dëshirën për të prodhuar një lajm më të madh nga sa duhet të jetë, deklaroi pak ditë më parë se ka ndër mend ta vendosë INSTAT nën varësinë e zyrës statistikore të ndonjë vendi Europian. Kjo nuk është aspak e nevojshme dhe as nuk zgjidh ndonjë punë. INSTAT është sakaq nën programet e ndihmës së Eurostat. Rrjedhimisht, ajo që Rama dëshiron të bëjë, sakaq është bërë.

INSTAT përbëhet gjithashtu nga njerëz dhe si të tillë, kur ndonjë kryeministër merr në telefon dhe kërkon që fjala vjen, shifrat e Prodhimit të Brendshëm Bruto apo punësimit të manipulohen në mënyrë që ai të duket bukur, natyrisht që do të impresionohen. Nuk është kollaj të imagjinosh një punonjës shteti të përballet me presionin e një kryeministri apo një ministri. Rrjedhimisht, problemi nuk qëndron te varësia institucionale, por te fakti nëse kryeministri e bën telefonatën apo jo. Pra Rama duhet të garantojë që ai vetë nuk do të bëjë presion për prodhimin e statistikave që i bëjnë fresk si dhe të garantojë se as vartësit e tij të mos e bëjnë diçka të tillë.

Problemi tjetër është që INSTAT nuk ka shans të japë ndonjë statistikë të vlefshme për sa kohë institucionet e tjera nuk bëjnë punën e vet. Fjala vjen, INSTAT nuk ka nevojë të mbledhë të dhënat e të vrarëve nëpër aksidente rrugore. Nevojitet që Ministria e Brendshme përmes policisë rrugore t’i mbledhë ato të dhëna.

INSTAT nuk mund të mbledhë as të dhënat për lindjet dhe vdekjet. Ato i mbledh sistemi i Gjendjes Civile. INSTAT nuk i prodhon vetë të dhënat e punësimit dhe papunësisë, i mbledh ministria e Punës, ose e Mirëqënies, siç do të quhet në katër vitet e ardhëshme.

Edhe të dhënat e Prodhimit të Brendshëm Bruto, të cilat nxirren nga INSTAT, bazohen në fakt te të dhënat e tatimeve, doganave, e institucioneve të tjera. Pra nuk mund të presësh cilësi nga INSTAT për sa kohë nuk ke cilësi te institucionet e tjera.

Statistikat në fund të fundit janë një lloj informacioni dhe kanë arsye se pse mblidhen. Ato mblidhen në mënyrë që zyrtarët, përfshirë kryeministrin, t’i lexojnë ato e të ngrenë politika bazuar në statistika.

Këtu mbërrijmë te thelbi i çështjes. Nuk të hyjnë në punë statistikat për sa kohë nuk ke kapacitete të analizimit të tyre dhe të ndërtimit të politikave publike bazuar te statistikat. Pra është procesi i politikëbërjes në Shqipëri problemi dhe jo vetë statistikat. A di ndokush ndonjë rast kur statistikat janë përdorur qoftë për argumentim, qoftë për hartim politikash publike? E kam të vështirë të kujtoj ndonjë rast të tillë. Përkundrazi, di se statistikat janë përdorur me bollëk për propagandë politike, për t’i bërë lajka qeverisë ose për ta sharë atë, por kurrë për të gjetur një problem e për të ngritur politika për zhbërjen e problemit.

INSTAT është një institucion në dispozicion të politikbërjes. Politikbërja, nëse ka kohë të lirë dhe nëse ka vullnet politik, mund të kërkojë informacion. Një informacion i tillë psh, që mund t’i hyjë në punë Ministrisë së Shëndetësisë, janë të dhënat e popullsisë në komuna dhe bashki të ndryshme të vendit. Kjo ministri mund t’i përdorë këto të dhëna për të parë se sa mjekë nevojiten në një qytet të caktuar. Rrjedhimisht, atje ku popullsia ka rënë, mund të ketë shkurtim stafi ndërsa atje ku është rritur, të ketë shtim stafi. Një politikë e tillë nuk krijon një lajm të bujshëm dhe nuk ka nevojë për të prerë shirita, por rrit eficencën e përdorimit të burimeve dhe rrjedhimisht cilësinë e shërbimit shëndetësor. Por Ministria e Shëndetësisë ka një shqetësim më të madh se sa eficenca e përdorimit të burimeve. Është sistemi “vende pune në këmbim të votave”. Ka shumë raste kur njerëz që jetojnë në Tiranë, rezultojnë të punësuar si mjekë në ndonjë fshat 100 kilometra larg. Spitalet e qendrave të vogla të banuara si Tepelena, punësojnë qindra vetë. Shkurt, sido që ta vërvitësh problemin, është vullneti politik ai që përcakton të ardhmen e vendit dhe jo ndonjë lajm bombastik. Nuk është e rëndësishme vetëm të kesh statistika të mira, është gjithashtu e rëndësishme edhe të dish t’i përdorësh ato.

You may also like...