Steka fiskale

426957_384994651530226_165845033445190_1305749_1464590414_nKur një vend ka një krizë buxhetore, një deficit për të mbushur, nuk është se ka ndonjë rrugë tjetër veç rritjes së taksave ose uljes së shpenzimeve. Në Shqipëri ka një rrugë të tretë, vjelja e taksave ekzistuese me korrektesë, pra lufta kundër evazionit fiskal, por kjo rrugë hë për hë nuk është e mundshme sepse ne nuk kemi një qeveri revolucionare të gatshme të dalë kundër konjukturës korruptive evazion fiskal plus vjedhje të hapur.

Duke pranuar pra realitetin ashtu siç është, që biznesnemët do të dalin hapur edhe në emisione televizive e të thonë se bëjnë “herë pas here” evazion fiskal ndërsa jashtë emisioneneve mburren me krenari për “aftësinë’ e tyre për të fshehur taksat pa u ndëshkuar, nuk mbetet ndonjë rrugë tjetër veç atyre të parave, ulja e shpenzimeve, ose rritja e të ardhurave.

Ulja e shpenzimeve nuk është e mundshme për momentin. Të ardhurat aktuale të qeverisë nuk mjaftojnë as për të mbuluar shpenzimet jetike të shtetit, paga, pensione, interesa borxhi, ndihmë ekonomike. Ulja e shpenzimeve mund të bëhet vetëm nëse ulen pagat e administratës. Kjo është diçka që nuk ka shans të ndodhë politikisht dhe as nuk është e rekomanduar nga pikëpamja ekonomike. Inflacioni përmes rritjes së taksave ose rritjes së parasë në qarkullim është formula e gjithërekomanduar e botës së sotme. Duke shpresuar që Shqipëria nuk do të ketë nevojë për të prodhuar para si rrugë e daljes nga deficiti dhe borxhi i stërmadh publik, rritja e taksave mbetet shtegu i vetëm. Dhe qeveria aktuale ka ndërmarrë pikërisht këtë shteg. Kërkon minimalisht 200 milionë dollarë e maksimalisht 300 milionë taksa shtesë. Një të tretën e kërkon nga konsumatori në formën e rritjes së tatimeve mbi naftë, cigare e mallra të tjera. Një të tretën e kërkon nga fitimet e kompanive; një të tretën dëshiron ta marrë nga Bankers Petroleum dhe Stream Oil, por më së shumti nga Bankers Petroleum.

Deri këtu gjithçka duket në rregull. Një formulë deri diku, por jo mjaftueshëm korrekte për të dalë nga kriza. Por pikërisht këtu qeveria nis një fushatë të gjerë propagande që dëshiron të na shpëlajë trurin duke na argumentuar se nuk po na i rrit taksat, në fakt, po na i ul. Se nuk po na fut dorën në xhep, por përkundrazi, po na mbron shëndetin.

Gjatë këtyre ditëve, më shumë se sa taksat shtesë që do të më duhet të paguaj, më ka bërë të hidhem përpjetë propaganda qeveritare. Një propagandë bajate, për të cilën vendi nuk ka nevojë dhe që nuk mashtron dot askënd përveç atyre që e sajojnë këtë propagandë.

Kryeministri na tha se “nuk bëhet nami se çmimi i naftës rritet me 10 lekë”. Për të nuk ndodh ndonjë gjë e madhe se ne të gjithëve na merr 60 milionë dollarë në vit nga vetëm kjo taksë. Faleminderit shumë! Ne të tjerët kemi vlerësim të lartë për 12 lekëshin. Por ne të tjerët, sido të mund të mbyllim sytë nga masakra fiskale e kompanive që nuk paguajnë asnjë lek tatim fitimi, nuk kemi se si të mos ulërasim. Të themi se nuk po na dhemb.

Kur them “ne të tjerët” e kam fjalën për çdo shqiptar me përjashtim të opozitës, e cila kur qe në pushtet, na e mbrojti shëndetin në sa e sa raste duke na rritur taksat mbi naftën e duhanin, duke na imponuar një taksim regresiv mbi makinat e të varfërve  e duke rritur shpenzimet buxhetore dhe deficitin publik përtej çdo lloj imagjinate. Ajo opozitë na e bëri buxhetin e shtetit skemë piramidale. Përgjatë viteve të fundit, buxheti i shtetit është bërë një derr i panginjur. Së paku tashmë të mos na llapë si e shqetësuar për taksat.

You may also like...