SUKSESI I RILINDJES DHE RILINDJA E DËSHTIMIT

Problemi i Ramës nuk janë shqiptarët. As kanë qenë ndonjëherë. As kanë për të qenë kurrë

Rilindja dhe suksesi kanë një raport jo fort të këndshëm.

Nuk ndihmon këtu as fakti se suksesi shihet si vëllai binjak i Rilindjes.

Për suksesin Rilindja dhe kryetari i qeverisë kanë një përkushtim dhe një adhurim special. Por tashmë dihet se fati shpesh i rezervon Rilindjes një dështim akoma më të rëndë se i mëparshmi pikërisht atëherë kur ajo trumbeton suksesin e rradhës.

Fati (apo domosdoshmëria?) gjithmonë e më shpesh po e kthen timonin nga krahu i kundërt i dëshirave të Kapitenit.

Në çastin kur Rama erdhi nga SHBA duke përgatitur daullet e festës bashkë me Di-Xhejt e tij mediatikë për të festuar foton korruptive me Obamën në Shtëpinë e Bardhë, prokuroria arrestoi komandantin e Tiranës, i cili jo pak herë është atashuar me Ramën dhe Tahirin. Të gjithëve na kujtohet dështimi i bujshëm i Reformës në Drejtësi sipas variantit Rama, që zbehu totalisht një festë të mirëmenduar për të poshtëruar kundërshtarin.

Sikur të gjitha këto të mos mjaftonin, në ditën më të bukur të shtatorit prokonsulli Rama hyri triumfues një seancë parlamentare ku do të parakalonte si një gjeneral romak që kish marrë fitoren dhe dafinat e Dibrës nga duart e kundërshtarëve barbarë. Por, paevitueshmërisht në të njëjtën mënyrë si në triumfet e mëparshme edhe kësaj radhe Rama u zhgënjye… një tjetër mushkonjë ishte rrëzuar, duke i dhënë zë të gjitha aludimeve të opozitës dhe gazetarëve. Në Shqipëri ka drogë! Nga Shqipëria transportohet drogë me avion drejt Italisë!

“Jozefin, tundja atë fotografi ambasadorit amerikan” iu drejtua Rama Topallit në parlament, duke ironizuar dyfish fotografinë e avionit, piloti i të cilit fillimisht kishte pohuar se po vizitonte Shqipërinë për turizëm, por që në mbrëmje pranoi se kish ardhur për të provuar pistën përpara transportit të drogës.

Guido Guidi është rilindja e përsëritur e italianit të formatit “riformato” të rradhës që duket se ka një lidhje speciale sa me Shqipërinë, aq edhe me malin e shenjtë të kanabisit që të gjithë e dimë që ekziston, por që mbahet sekret ashtu si mbretëria mistike e Tibetit, përgjithmonë e fshehur në kufinjtë e mosnjohjes të derës së saj të hyrjes.

Por piloti bombardues Guidi, megjithëse i dyti në listën e turistëve ajrorë italianë të rrëzuar në Shqipëri, duket se ka nxjerrë një tjetër aludim (që ka gjasa të vërtetohet) në skenë. Emrin e ministrit të brendshëm, i cili kësaj radhe sipas disa burimeve mediatike është përpjekur të dekonspirojë hetimet duke u përkujdesur vetë për të përhapur lajmin e vërtetë të dëshmisë që Guidi ka kryer. Kështu, beteja e Dibrës në të cilën Rama krekosej se kish mundur “Hajredin” P(b)ashën po shkon në një trajektore që ai kurrë nuk do të ta kishte dëshiruar. Ndërkaq emisarët e huaj në Shqipëri, që për muaj të tërë vendosën nën një darë fallco shqiptarët, sot ende nuk kanë thënë asnjë fjalë të vetme për ri-përsëritjen skandaloze të kësaj ngjarjeje skandaloze.

Aq më pak shoqëria civile, e cila si me buton vazhdon të prodhojë protesta në dukje civile por në thelb 100% politike.

Përtej kësaj skene të pastër krimi dhe bashkëpunimi me të, qeveria është zhytur më thellë në llumin e skandaleve për të cilat ka vetëm një frikë. Ulërimën ndërkombëtare! Për njëmijë e një arsye, kjo mazhorancë e ka gjetur çelësin e suksesit elektoral (ndonëse po aq të deformuar sa ç’ishte Riformato një pilot i reformuar apo po aq të mirëdrejtuar sa ç’ishte Guido një pilot i ndershëm) për ta nxjerrë veten në krye të listës, qoftë sikur edhe shukritë, tomët, prengët e kështu me radhë të ringrihen dhe t’i bien. Por frika e Ramës nuk është konsensusi i shqiptarëve. Është prestigji fals ndërkombëtar, është prestigji fals i një kryeministri artist që shkel rigorozisht pikërisht atë që premton. Problemi i Ramës sot me Guidin nuk është se ai do nxirrte emrin e Tahirit apo policëve apo edhe kryebashkiakëve, problemi me të është mediatizimi ndërkombëtar dhe përfshirja e një grupi më të gjerë trafiku që ku i dihet ku e ka fundin. 

Problemi i Ramës nuk janë shqiptarët. As kanë qenë ndonjëherë. As kanë për të qenë kurrë.

Atashimi i Ramës me mafien dhe narkotrafikun para ndërkombëtarëve është vdekja e tij e sigurt politike. Ai është njeriu që ka punuar pambarimisht për të jetuar nën dritat e projektorëve ndërkombëtarë, duke qeverisur me kërbaç poshtë qirinjve të dobët të ndërgjegjes kombëtare.

Lajmet e kobshme që errësojnë shpalosjen e sukseseve të mëdha, por njëkohësisht edhe të rreme, rrezikojnë ta shndërrojnë liderin botëror të Ballkanit në një dordolec të cilin mund ta kenë frikë vetëm dordolecët e partisë së tij. Mbi të gjitha, do t’u japin krahë atyre kundërshtarëve politikë dhe personalë të cilët Rama i ka denigruar në sytë e ndërkombëtarëve, të cilëve me shumë mundësi nuk do t’u ketë mbetur pikë mëshire për të!

Është kjo përsëritja biblike dhe shekspiriane e rikthimit të së njëjtës. Pikërisht kur një palaço ka kapur kulmin e pushtetit, ky i fundit e zë atë përfund! Ndoshta Rama do të ketë fatin e atyre xhaketave të kthyera që departamenti amerikan i shtetit kujdeset ti marrë në helikopter… ndoshta ai do të fatin e dikujt që del në pension para kohe … ndoshta do të ketë fatin e Berishës që të shohë partinë e tij të shkërmoqet përpara syve, pikërisht siç Rama po sheh të vdesë për të disatën herë Rilindjen e tij.

You may also like...