Tashmë askush nuk mund ta mohojë, jemi ca të neveritur!!!

Asnjë shqiptari, sado naiv që të jetë, nuk i lejohet të shpresojë apo të besojë se administrata publike në Shqipëri është një institucion karriere.

Pavarësisht se kjo është kaq e qartë dhe se është vërtetuar nga eksperienca katërcipërisht përgjatë njëzet vjetëve të fundit, disa mijëra shqiptarë qenë aq naivë sa të “dorëzonin CV-të”.

Karikaturë nga Thomas Nast në gazetën Harper’s Weekly më 28 prill 1877 e titulluar: Në përkujtim të shërbimit tonë civil siç ai qe. Andrew Jackson kalëron një derr i cili gjendet mbi kocka ku shkruhet “mashtrime”, “ryshfete”, “plaçkitje”. Derri po ushqehet me plaçkitje. Memoriali shkruan: “Fituesit i takon plaçka e luftës”, A. Jackson.

Karikaturë nga Thomas Nast në gazetën Harper’s Weekly më 28 prill 1877 e titulluar: Në përkujtim të shërbimit tonë civil siç ai qe. Andrew Jackson kalëron një derr i cili gjendet mbi kocka ku shkruhet “mashtrime”, “ryshfete”, “plaçkitje”. Derri po ushqehet me plaçkitje. Memoriali shkruan: “Fituesit i takon plaçka e luftës”, A. Jackson.

Vetë socialistët na thanë se mbi 5 mijë shqiptarë u gënjyen me këtë mënyrë. Dorëzuan CV-të! Pastaj erdhën bombat e para! Shqiptarët filluan të diskutojnë mes njëri-tjetrit. Një i ri pa kurrfarë eksperience u bë drejtor këtu dhe aty, por ai qe kandidat/kushëri i Ilir Metës. Media konvencionale u mjaftua duke publikuar emrin e drejtorit apo drejtoreshës.

Pastaj erdhi bomba më e madhe në formën e drejtoreshës së përgjithshme të tatimeve. Ajo u debatua më gjerësisht, për shkak se asgjë që mund të ketë bërë në jetë, nuk ka lidhje me një post kaq të lartë. Shto këtu drejtoreshën e Doganave apo atë të Lojrave të Fatit. Lista është e gjatë.

Kam përshtypjen, dhe shpresoj që ta kem gabim, që shqiptarët i janë nënshtruar fatit të vet duke e pranuar si të zakonshme dhe pothuajse normale emërimin e drejtorëve pa lidhje me asgjë nga ana e LSI. Pritshmëritë i patën disi më të larta nga Rilindja dhe rrjedhimisht u trishtuan më shumë.

Në thelb, nuk mund të thuhet se në administratën publike ka rënie në cilësinë e emërimeve. Në shumë kuptime, në krahasim me kriminelët që kishin në dorë postet kyçe gjatë viteve të fundit, vajzat e reja janë një zgjedhje më pozitive.

Ajo që i vuri vulën shpresave, qe emërimi i fundit i një kryetari partie si Drejtor i Arkivave të Shtetit. Gjet Ndoj vetëprezantohet si historian. Ai ka shkruar disa libra për Mirditën, por është edhe kryetar i një partie nga ato të shumtat kristian/demokrat/kristian me 3500 vota. Ai zëvendëson në këtë post Nevila Nikën, një grua e njohur dhe e gjithëditur si demokrate, por që ka punuar në 40 vitet e fundit në Arkivën e Shtetit ku ka bërë një karrierë normale deri sa është gritur në postin drejtues disa vite më parë. Nuk është se nuk dihej që drejtorët do të shkarkoheshin.

Zonja Nika nuk është shkarkuar pse është demokrate, por sepse është drejtoreshë dhe se karrigia e saj nevojitet për t’ia dhënë njërit që po e merr jo pse ka shkruar libra për Mirditën dhe se vetëprezantohet si historian, por sepse ka sjellë disa mijëra vota.

Por ajo që më acaroi edhe më shumë qe një lajm i Agjencisë AMA me titullin: “Ikën militantja Nika, vjen historiani Ndoj”. Ky pra është kulmi. Profesionistja e arkivave konsiderohet militante, ndërsa politikani ish-polic konsiderohet historian.

Sikur socialistët të mos na hapeshin bythësh me premtime për administratë publike në shërbim të qytetarit e përralla të tilla, gjërat do të qenë më të pranueshme. Kështu ka qenë, kështu do të jetë. Por premtimet për administratë publike “sipas meritës” vijuan edhe pas përfundimit të zgjedhjeve dhe kjo është paksa e tepërt për t’u tretur.

Personalisht shpresa nuk më ka verbuar ende dhe as që jam i habitur nga këto emërimet që kanë ndodhur. Gjithsesi, nuk mund ta mohoj: Mungesa e respektit të treguar deri tani për njerëzit që kanë arritur një karrierë në jetë, më neverit, sido që nuk më habit.

You may also like...