Të ardhurat (aspak) zhgënjyese të janarit

te ardhuratQeveria Shqiptare ka premtuar rritje të të ardhurave buxhetore me mbi 17 për qind këtë vit, ku një pjesë do të vijë nga rritja e tatimeve dhe taksave dhe një pjesë më e vogël nga përforcimi i administratës tatimore e doganore. Por të dhënat për janarin 2014 japin shumë pak shpresa se një rritje e tillë të ardhurash do të realizohet me të vërtetë. Rritja e të ardhurave duket se është e domosdoshme për të shmangur ndonjë katastrofë të mundshme financiare në vend.

Gjatë muajit janar, qeveria mblodhi 27.3 miliardë lekë të ardhura, 1.5 për qind më pak se në janar 2013. Të ardhurat tatimore qenë në të njëjtin nivel me një vit më parë ndërsa të ardhurat nga pushteti vendor dhe të ardhurat jotatimore qenë më të ulëta.

Çdo gjë qe e pritshme. Pas batërdisë me importe në mallra të fortë në muajt para hyrjes në fuqi të paketës së re fiskale, qe lehtësisht e parashikueshme nga të gjithë që importet dhe të ardhurat e qeverisë në janar të ishin më të ulëta. Të ardhurat në dogana psh, të cilat gjatë muajve të fundit u mburrën shumë me “rritjen historike të të ardhurave”, në janar qenë në të njëjtin nivel me një vit më parë. Qe shumë e kuptueshme për shkak se nga cigaret, malli më i prekur nga rritja e akcizës, u importuan në janar vetëm 66 tonë. Një vit më parë qenë iomportuar 176 tonë, gati tri herë më shumë.

Por ndërsa të ardhurat nuk kanë ndryshuar në krahasim me një vit më parë, shpenzimet kanë rënë me 9 për qind. Nga këto, shpenzimet korrente kanë vijuar të rriten, investimet publike thjeshtë janë ndërprerë. Në janar qenë 678 milionë lekë, 80 për qind më të ulëta se një vit më parë.

Tani, problemi është se çfarë do të ndodhë pjesën tjetër të vitit. Rritja e të ardhurave me mbi 17 për qind e parashikuar në buxhetin e shtetit po del sakaq shumë e vështirë për t’u realizuar. Në varësi të faktit se si do të ecë shkurti e marsi, do të shohim nëse qeveria do të duhet të rrisë më tej deficitin apo jo. Sa i përket premtimit për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura ndaj biznesit, për të cilat duhej që këtë vit të shpenzoheshin 35 miliardë lekë, për janari është paguar zero lekë detyrime të prapambetura.

You may also like...