Të bërit shtet me hekur dhe gjak

Britania ndërtoi një perandori mbi tregtinë e skllevërve. Gjermania kreu gjenocidin më të madh në historinë e njerëzimit. E kush mund të thotë që Shteti Islamik nuk do të jetë një aleat i SHBA-ve një ditë? Historia na siguron se kryerja e krimeve në masë nuk përbën pengesë për sukses në të ardhmen.

Rosa Brooksaugust, Foreign Policy

Foto ilustruese

Foto ilustruese

I vetëdeklaruari Shteti Islamik ka vrarë mijëra njerëz në Irak, Siri dhe gjithkund tjetër dhe shtete si dhe media në të gjithë botën po qahen për taktikat brutale të ISIS, të cilat përfshijnë prerje kokash në publik, masakrimet masive të të burgosurve të paarmatosur dhe skllavërimin seksual të grave dhe vajzave.

Megjithatë, nëse historia e Perëndimit mund të na shërbejë për diçka, atëherë mund të themi se Shteti Islamik ndoshta është rrugës drejt ligjshmërisë botërore.

Historia na siguron se kryerja e krimeve në masë nuk përbën pengesë për sukses në të ardhmen. Gjatë “sundimit të terrorit” që pasoi Revolucionin Francez, qeveria revolucionare e Francës i preu kokat publikisht rreth 30 mijë apo 40 mijë njerëzve – që të gjithëve në emër të liberté, égalité, dhe fraternité. Në fillim të viteve 1790, së paku 150 mijë qytetarë francezë të pafat u ekzekutuan me armë zjarri, u dogjën deri në vdekje, u prenë në copa apo qëllimisht u mbytën në rajonin Vendée të Francës. “Unë shtypa fëmijët nën këmbët e kuajve,” thuhet se shkroi më vonë gjenerali francez François Joseph Westermann pas një fushate veçanërisht brutale. “Unë masakrova gratë të cilat, së paku për këtë arsye, nuk do të lindin më banditë… i shfarosa të tëra. Rrugët u mbollën me kufoma.”

E pra, tant pis! “Mercy,” Westermann konkludoi, “nuk është një ndjesi revolucionare.”

Kjo nuk është diçka që lexohet për qejf dhe për më tepër, ka ndodhur kaq shumë kohë më parë. Sot. Franca është një fuqi e konsiderueshme Europiane dhe një aleate e madhe e SHBA-ve.

A mos po flasim për gjëra tepër të vjetra? Në rregull, mendoni pak për Turqinë. Mes viteve 1915 dhe 1918, autoritetet Osmane vranë më shumë se një milionë armenë në atë që pak a shumë të gjithë, me përjashtim të shtetit turk, e quajnë gjenocid. Por njëqind vjet kanë kaluar dhe sot, Turqia është një aleat kyç në NATO.

Histori e vjetër? Ecni më përpara në vitet 1940. Vdekjet nga Holokausti qenë rreth 11 milionë civilë, më së shumti, hebrenj. Por sot, Gjermania është ‘bester Freund’ i yni në Bashkimin Europian. Mos u shqetëso, Angela Merkel, gjithçka është harruar!

Krijimi i shtetit – dhe në përgjithësi konsolidimi i pushtetit – ka qenë gjithmonë një punë e përgjakshme. Historianë, sociologë, antropologë dhe shkencëtarë politikë e dinë këtë shumë mirë, por pjesa tjetër e jona kanë tendencën ta injorojnë – ose thjeshtë të redaktojnë librat e historisë. Megjithatë, nëse merr një shtet modern kombëtar “të iluminuar” dhe gërmon pak në histori, do të mbërrish shumë shpejt te kufomat.

Lufta e Tridhjetë Viteve, e cila shkatërroi një pjesë të madhe të Europës dhe vrau pothuajse një të tretën e popullsisë në shumë rajone, shpesh shihet nga studiuesit si ngjarja që solli ngritjen e shtetit komb në Europë. Në katër shekujt që kanë kaluar që nga ajo kohë, konsolidimi i shtetit Europian ka vrarë shumë miliona njerëz të tjerë. “Çështjet e mëdha të kohës nuk vendosen me fjalime apo me rezoluta të shumicës… por me hekur dhe gjak,” vërejti arkitekti i bashkimit të Gjermanisë Otto von Bismarck në vitin 1862.

Pikërisht në këtë kohë, Shtetet e Bashkuara po mësonin – apo po rimësonin – të njëjtin leksion ndërsa Bismarku mbajti këtë fjalim të famshëm. Mes viteve 1861 dhe 1865, qindramijëra amerikanë luftuan për “të drejtën” për të skllavëruar 4 milionë amerikanë të tjerë dhe qindramijëra prej tyre vdiqën para se kjo çështje të zgjidhej, duke e bërë qeverinë qendrore të SHBA-ve më të fuqishme se kurrë më parë.

Deri tani kemi folur vetëm për Perëndimin dhe vetëm për pak ngjarje nga pak qindra vitet e fundit. Shiko pjesën tjetër të botës dhe do të gjesh më shumë nga e njëjta gjë. Prerje kokash? Po. Tortuta? Po. Masakra mbi civilë të paarmatosur? Po, Po, Po.

Asgjë nga këto nuk është justifikim për krimet e ditëve tona të kryera nga Shteti Islamik dhe as nuk i bën këto krime më pak të llagtarshme, veçanërisht në këtë epokë, kur të drejtat themelore të njeriut pranohen pothuajse nga të gjithë. Por nëse ne injorojmë vijimësitë historike mes sjelljes aktuale të Shtetit Islamik dhe sjelljes së të shkuarës së dhjetëra shteteve të tjera, atëherë ne rrezikojmë të mos kuptojmë logjikën pas dhunës në dukje të pakuptimtë të këtij grupi – dhe ne rrezikojmë të rrisim shanset që përpjekjet aktuale të SHBA-së për t’i dhënë fund sundimit të terrorit të ISIS të dështojnë.

E para, nëse ne nuk i shohim veprimet e Shtetit Islamik në kontekst historik, ne ushqejmë një iluzion rehatues por të falsifikuar që thotë se Shteti Islamik është thjeshtë “i çmendur” – ose, siç e tha Presidenti i SHBA-ve Barack Obama më 2014, ai “nuk ka vizion tjetër veç… therrjes” dhe, më 2015, “ai nuk mund të fitojë kurrë ndaj dikujt përmes ideve apo ideologjisë – për shkak se nuk ofron asgjë.”

Mos e bëj gabimin ta besosh këtë. Udhëheqësi i Shtetit Islamik Abu Bakr al-Baghdadi mund të jetë përgjegjës për mijëra krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, por ai nuk është i çmendur. Siç e theksojnë në librin e tyre të kohëve të fundit mbi Shtetin Islamik Jessica Stern dhe J.M. Berger, të menduarit e tij është ndikuar shumë nga libri i Abu Bakr Naji, një libër i shkurtër me titullin, “Menaxhimi i Barbarisë”, ku bëhet thirrje për përdorim të llogaritur, të ritualizuar dhe të mirëreklamuar të brutalitetit si mjet për të mbjellë respekt dhe frikë si ndaj armiqve ashtu edhe ndaj mbështetësve të Islamit radikal.

Po, Shteti Islamik është brutal, por dukshëm ai ka një vizion që shkon shumë përtej masakrës – dhe pavarësisht fjalëve refuzuese të Obamës, është një vizion që ka demonstruar fuqi të madhe për të fituar mijëra rekrutë të rinj nga e gjithë bota.

Ka gjasa që ne bëjmë mirë të supozojmë që udhëheqësia e Shtetit Islamik i kupton leksionet e pamëshirshme të historisë. Koha zbut jehonën edhe për krimet më të tmerrshme: sapo të kalojnë disa dekada, çdo mizori mund të harrohet nga bashkësia ndërkombëtare. Siç e demonstron rasti i Turqisë, nuk ke nevojë as të thuash që je penduar (në çdo rast, mund të presësh 100 vjet para se të kërkosh ndjesë dhe një ngushëllim me gjysmë zëri duket sikur mjafton).

Shtetet e Bashkuara janë veçanërisht famëkeqe për kujtesë të shkurtër dhe paaftësi për të parë larg: Ne jemi një komb i fiksuar te e tashmja dhe gjithnjë e më të paaftë për të zhvilluar apo ruajtur një vizion të qëndrueshëm strategjik që zgjat për më shumë se pak vjet. Unë nuk vë dot bast që Shteti Islamik janë e njëjta gjë. Udhëheqësit e tij ka gjasa kuptojnë më së miri se niveli i tyre aktual i brutalitetit garanton armiqësinë ndërkombëtare – por ata mund të jenë duke luajtur në bixhoz këtë gjë në rast se kjo i ndihmon të konsolidojnë kontrollin e Shtetit Islamik mbi fusha të mjaftueshme nafte, porte apo burime të tjera pasurie si dhe mund të pakësojnë mizoritë e të presin që ndërkombëtarët t’i falin.

Nëse kjo është logjika pas veprimeve aktuale të Shtetit Islamik (dhe me të vërtetë ka një “nëse” të madhe – shih më poshtë), bashkësia ndërkombëtare mund të jetë në gjendje të nxisë Shtetin Islamik të braktisë format më skandaloze të dhunës së vet më shpejt – përmes mekanizmit të shpejtë të lënies së paprekur të Shtetit Islamik.

Deri tani, fushata ushtarake e udhëhequr nga SHBA kundër Shtetit Islamik duket se ka arritur shumë pak rezultate pozitive: megjithëse zyrtarët e SHBA-së thonë se fushata ka vrarë më shumë se 10 mijë luftëtarë të Shtetit Islamik, burime nga shërbimet sekrete raportohet se kanë dalë në konkluzionin se Shteti Islamik nuk është dobësuar në mënyrë themelore. Në rastin më të mirë, ne ka gjasa që thjeshtë po zgjasim status quo-në. Fushata ajrore e udhëhequr nga SHBA kundër Shtetit Islamik nuk është e mjaftueshme për të mposhtur apo shkatërruar këtë grup xhihadist, por dukshëm është e mjaftueshme për të rritur armiqësinë e Shtetit Islamik kundër Perëndimit (Në fakt, ka disa arsye për të besuar se fushata ushtarake e ka rritur praninë globale të Shtetit Islamik dhe ka fuqizuar përpjekjet e tij për rekrutime.)

Por udhëheqësit e Shtetit Islamik aspirojnë në fund të krijojnë një shtet “real”, i njohur si i tillë – sido që pa dëshirë – nga fuqitë e tjera globale, dhe ne mund të bëjmë mirë që të zhvendosemi qe një strategji për kufizimin e grupimit në vend që të vijojmë me strategjinë aktuale të paefekshme që synon “ta degradojë dhe në fund ta shkatërrojë” atë.

Po, është një mendim që të fut në depresion – por nëse ne ndalojmë së bombarduari Shtetin Islamik, ka gjasa që ai zbusë veten më shpejt nga sa ne mund ta zbusim atë. Ose, më pak depresive, ndoshta udhëheqësit e Shtetit Islamik do të zbulojnë, si kaq shumë regjime mizore para tyre, që mizoritë në fund gjenerojnë destabilitet të brendshëm dhe rebelim.

Natyrisht, ndoshta Baghdadi dhe rrethi i tij i ngushtë mund të mos kenë për qëllim të pakësojnë nivelin e dhunës. Ndoshta ata synojnë të vijojnë me nivelin aktual të brutalitetit deri në pafundësi – dhe ndoshta mund të mos kenë interes të ushtrojnë kontroll të përhershëm mbi një territor fizik.

E pse duhet ta bëjnë? Për shumicën e historisë së njerëzimit, besnikëria fetare apo e lidhjes së gjakut ka qenë më e rëndësishme se sa organizimi politik me parimin e kontrollit të territoreve fiske (mendoni për Perandorinë Osmane dhe për Perandorinë e Shenjtë Romake), dhe ndryshimet e fundit gjeostrategjike po i bëjnë format joterritoriale të besnikërisë, pushtetit dhe kontrollit, politikisht të mundshme. Udhëheqësit e Shtetit Islamik mund të mos e vrasin mendjen nëse ata në fund do të përzihen nga Iraku apo nga Siria për sa kohë janë në gjendje të fitojnë rekrutë të rinj – dhe burime të reja pasurie dhe pushteti – në vende të tjera, edhe nëse këto vende janë të ndryshueshme dhe jo në vijimësi me njëra-tjetrën. Për më tepër, retorika e Shtetit Islamik sugjeron pikërisht këtë.

Gjithësesi, ngjarjet e kohëve të fundit sugjerojnë që Shteti Islamik nuk do të ketë për nevojë të braktisë taktikat e veta brutale në mënyrë që të vijojë dhe të fitojë ligjshmëri.

Mendoni për Talebanët. Nga viti 1996 deri më 2001, Afganistani i kontrolluar nga Talebanët qe i izoluar si nga pikëpamja diplomatike ashtu edhe nga pikëpamja ekonomike; nga viti 2001 deri më sot, Talebanët janë shënjestruar për t’u shkatërruar nga ushtria e SHBA-ve dhe shërbimet sekrete. Por megjithëse zyrtarët e SHBA-ve kanë dënuar prej kohësh brutalitetin e talebanëve pak a shumë me të njëjtat fjalë që sot përdoren për të dënuar Shtetin Islamik, Uashingtoni është aktualisht duke ofruar së paku mbështetje të heshtur për bisedimet me udhëheqësit e talebanëve. Thashetheme të vazhdueshme sugjerojnë që zyrtarët e SHBA-së në fakt mund të jenë duke marrë pjesë drejtpërsëdrejti në bisedime.

Nga kjo, udhëheqësit e Shtetit Islamik mund të nxjerrin një konkluzion të qartë: siç e kanë thënë të gjithë, nga Mao te Kissinger, kryengritësit nuk kanë nevojë të “fitojnë” në mënyrë që të kenë sukses; ata kanë nevojë vetëm të mos humbasin. Të mbeten vërdallë mjaftueshëm gjatë, si talebanët dhe nuk ka rëndësi se sa brutal je; në fund kundërshtarët do të lodhen nga luftimet dhe ose do të heqin dorë dhe do të largohen, ose do të heqin dorë dhe do të bisedojnë. Nëse zgjedhin negociatat, ata do të kënaqin nevojën e vet për të shpëtuar fytyrën duke pretenduar se i kanë harruar krimet ose duke pretenduar se po kryejnë bisedime vetëm me “të moderuarit” apo “të pajtueshmit.” (Për aq sa unë kuptoj, përkufizimi i një “të pajtueshmi” mes udhëheqësve talebanë është “një udhëhqës taleban me të cilin ne ndjejmë se kemi nevojë për të biseduar.”)

Me fjalë të tjera: Shteti Islamik mund të vijojë të presë koka njerëzish dhe nëse n nuk e shkatërrojmë dot, ka gjasa që do të lodhemi nga luftimet dhe do të vendosim të arrijmë marrëveshje me ta. Dhe pastaj, pasi të kalojnë disa dekada, do të vijë dita! Shteti Islamik do të ketë në vend në Organizatën e Kombeve të Bashkuara – Nëse OKB do të vijojë të ekzistojë – ose si një shtet i ri ose si një joshtet i njohur në nivel global ose si diçka tjetër, dhe të gjitha ato krime të tmerrshme do të injorohen me politesë.

Nuk ka nevojë të themi se megjithë se histuria sugjeron se kryerja e krimeve të tmerrshme në shkallë të gjerë nuk përbën pengesë për hyrjen në shoqërinë e edukuar botërore, historia sugjeron gjithashtu se asgjë nuk është e pashmangshme. Shumë kryengritje të përgjakshme apo regjime kanë jetuar për të parë krimet e tyre të shplara dhe të harruara por shumë të tjera kanë ikur të shkatërruar.

Kur vjen puna për të parashikuar të ardhmen e Shtetit Islamik, natyrisht që ka shumë faktorë të paparashikueshëm. Media botërore 24 orëshe është goxha e re dhe është e pamundur të thuash se si kjo media – apo universalizimi i të drejtave të njeriut – do të ndikohë mbi aftësinë afatgjatë të Shtetit Islamik për të mbajtur veten apo për të ruajtur vendosmërinë e bashkësisë ndërkombëtare për ta shkatërruar këtë grup. Sovraniteti shtetëror po ndryshon në mënyra shumë komplekse dhe është e vështirë të dish se cilat forma globale, politike apo ushtarake do të ketë fuqia pas 10,20 apo 50 vjetësh.

Zgjedhjet në SHBA mund të ndryshojnë dinamikën e ushtrisë amerikane; ina apo Rusia apo secili nga një dyzinë shtetesh të tjera mund të vendosin të arrijnë marrëveshje të veçanta me Shtetin Islamik. Në fund, ky grup mbetet relativisht opak ndaj të jashtmëve; dinamiket e brendshme mund të ndryshojnë gjithashtu shumë gjëra.

Gjithsesi: Nëse do të isha bastexhi, do të vendosja koeficient të lartë në mundësinë e mposhtjes së Shtetit Islamik nga Shtetet e Bashkuara. Shtëpia e Bardhë mund të publikojë aq deklarata sa dëshiron duke pretenduar se “ka bërë progres të konsiderueshëm në përpjekjet për ta degraduar dhe në fund, shkatërruar,” Shtetin Islamik, por unë dyshoj që ky grupim do të mbetet i fortë për pesë apo dhjetë vjet nga tani. (Unë nuk jam shumë e sigurtë mbi çështjen e karrikes në OKB, por nëse kalojnë edhe disa dekada, askush nuk e di.)

Shpresoj që ta kem gabim.

You may also like...