TË JETOSH VETËM NË TIRANË (Blog)

Nga Alma Koçi

Nuk e kuptoj këtë dëshirën e madhe për të jetuar në kryeqytet. Kur tregoj se jetoj në Tiranë dhe jetoj vetëm, përgjigja vjen rrufe “Lum si ti”. Të bombardojnë menjëherë me gjëra të tipit: “çfarë ore kthehesh në shtëpi? Del në bllok ti? Kush e di sa qejf bën vetëm…”

Pas “legjendave” të treguara nga miqtë ose të afërmit e tyre për “namin” që bëhet në bllok, lirinë e pakufizuar këtu, pub-et, jetën e shfrenuar (nuk e di ku i gjejnë këto), pothuajse të gjithë kanë një dëshirë në sirtar: “Kur të rriten, duan të shkojnë të jetojnë në Tiranë.”

Edhe unë jam një nga ata njerëz që Tiranën e dashuroja, por jo për jetën “e shfrenuar” që të gjithë mendojnë se të ofron ajo. E dashuroja për lirinë që më ofronte, lirinë ekonomike, jo atë fizike, sepse kjo e fundit s’më ka munguar kurrë. Adhuroja faktin që ajo të ofron shumë mundësi pune dhe isha e bindur se me shumë punë, do të kisha mundësinë të arrija të isha dikush dhe t’i tregoja të gjithëve se unë mundem.

Kam bërë goxha sakrifica për të mos u larguar që këtu pas mbarimit të studimeve. Kam punuar në dyqan lulesh, call center (ishte luks në kohën time, sepse pjesa më e madhe e studentëve punonin kamerierë) derisa dalëngadalë u stabilizova në profilin tim.

Por ja që edhe Tirana të lodhka. Të jetuarit vetëm në Tiranë, nuk është aq mrekulli sa mund ta fantazojnë apo mendojnë shumë njerëz. Ka sakrificat e saj dhe më besoni që janë shumë të të mëdha sa ç‘mendoni. Çdo fillim muaji, është data e qirasë. Sa herë që takoj pronaren e shtëpisë për t’ia dhënë, murmuris nëpër dhëmbë “Mos m’i hëngsh ishalla!” Se ç‘faj ka ajo e shkreta, ec e merre vesh.

Pas saj vjen fatura e dritave. Sa herë që vjen kjo faturë, shqyen sytë dhe fillon e vret mendjen si mund të ketë arritur kaq shumë? Në fund dorëzohesh dhe nuk vazhdon të bësh më llogari se sa më pak do të vinte kjo faturë po të hiqje dushin, mos përdorje tharësen, hekurin apo nëse në darkë do të mbështilleshe me batanije dhe nuk do të përdorje ngrohje.

Duhet të falënderoj politikanët për këtë ligjin e fundit të duhanit. Po na bën të kursejmë goxha në muaj me këtë punën e ndalimit të duhanit. Tani pimë duhan pothuajse vetëm në shtëpi, meqë është edhe dimër. Megjithatë, po me energjinë elektrike ç‘pate o vëlla? Apo duhej patjetër “t’i fusnim në përdorim” ato pak monedha që na ngelin nëpër xhepa nga duhani? Varja, po hë. Jemi mësuar ne tani.

Ai Blloku i famshëm që ju e adhuroni aq shumë o njerëz, do para në portofol! Këtë e kam për ato femra që kanë sadopak sedër dhe e fusin dorën në xhep, sepse ato që rrinë këmbë përmbi këmbë dhe s’e prekin ndonjëherë faturën atje… Bravo ju qoftë, motrani! Sa zili ju kam!

Pra, me një llogari të vogël dhe bazuar te rrogat mesatare që ofrohen këtu, të duhet një rrogë për qira e drita, një rrogë për kafe, cigare e të dala dhe një tjetër për të ngrënë. Po të ngeli ndonjë kacidhe në xhep në fund të muajit, mund të blesh ndonjë rrobë për vete. Më parë kishe më shumë mundësi, se dilje te treni. Po tani që s’kemi më as “shokët” te treni është pakëz më e vështirë.

Vjen një pikë që të lodh rutina: punë, shtëpi, punë në shtëpi, pak gjumë dhe të nesërmen prapë nga e para. Sepse të keni të qartë një gjë. Nëse doni Tiranën, ju paralajmëroj që ajo nuk njeh ditë të shtunë apo të diel. Tirana të bën skllavin e saj. Duhet të kesh hap të madh, nëse dëshiron të ndjekësh ritmin e “metropordhës”.

You may also like...