Të lexosh Ciceronin për të kuptuar të tashmen

Xhabyni

Robert Harris ka qenë një nga këshilltarët edhe mbështetësit e flaktë të Tony Blair, në vitet e tij të para si Kryeministër i Anglisë. Mbështetja e tij ndaj këtij të fundit filloi të zbehej në çastet kur Blair u shndërrua nga puritani që mendonte për popullin dhe shoqërinë në një oligark që në interes të tij kishte pushtetin personal.imperium-robert_harris.img_assist_custom-150x234

Ndoshta do ketë qenë ky zhgënjimi që gazetarin e politikës dhe njëkohësisht një njohës i mirë i historisë, do ta katapultonte në shkrimin e romaneve historik.

Në fakt Evropa ka qindra vite që përpiqet të gjejë shpjegimin e dekadencës së saj (jo vetëm në fushën politike) në historinë e saj të lashtë. Mjafton të kujtojmë që shumica e shkrimtarëve gjermanë, austriakë e kështu me radhë kanë shkruar romane duke i vendosur personazhet e tyre në kontekstin e Perandorisë Romake. Herman Broch, një nga shkrimtarët më të fuqishëm të fundit të Perandorisë Austro-Hungareze, një nga veprat e tij më të arrira (Death of Virgil) e vendos në sfondin e Perandorisë Romake.

Për të vazhduar më pas me kinematografinë ku fjala vjen filmi Caligula, paraqet dekadencën e pushtetit dhe shoqërisë së Perandorisë Romake e në këtë mënyrë përpiqet që t’i gjejë një krahasim të vlefshëm dekadencës së Evropës jo vetëm në politikë por edhe në jetën sociale.

Natyrisht që shtrohet pyetja, se përse artistëve shpesh herë u është dashur të kthehen në periudhën e Perandorisë Romake për të hulumtuar apo gjurmuar krizën identitare të Evropës?

Së pari, Evropa e këtyre ditëve është ndërtuar mbi atë të Rilindjes, Iluminizmit e kështu me radhë. Jo pak herë anëtarët e BE e kanë ngritur qendrimin e tyre rreth figurave përbashkuese të kulturës Evropiane, pikërisht kjo kulturë është pasuesja e kulturës Greko-Romake. Pra, kemi një numër figurash mbi të cilat qëndrimi dhe trashëgimia kanë një dakordësi të madhe. Kështu figura si Ciceroni, Virgjili, Dante, Makiaveli e kështu me radhë kanë një vend të veçantë në panteonin e vlerave shoqërore.RobertHarris_Lustrum

Së dyti, fuqia më e madhe që Evropa dhe Perëndimi ka patur ka qenë Roma. Dekadenca e Romës solli në fund zhdukjen e periudhës Klasike dhe kështu hyrjen në periudhën e Mesjetës, të gjitha fuqitë e botës në të gjitha periudhat e saj kanë patur si etalon Romën e lashtë. Jo vetëm për nga mënyra e qeverisjes por edhe për nga fuqia dhe shtrirja e saj.

Duke patur parasysh këto dy elementë, që unë mendoj se ishin të domosdoshëm për vazhdimin e shtjellimit, mendoj t’i hedhim një sy të shpejtë asaj çka Harris përpiqet të na përcjellë në librin e tij të ndarë në një triptik (Imperium dhe Lustrum. Pjesa e tretë është e pabotuar nga autori).

Megjithëse Robert Harris nuk ka penën e shkrimtarëve të famshëm të Evropës ekzistencialiste, sërishmi ajo që e bren ndërgjegjien e tij është pikërisht dekadenca dhe degjenerimi i politikës në Britaninë e Madhe e jo vetëm. Ndaj edhe romani i tij (apo edhe romanet) kam përshtypjen që duhet të shihen në këtë prizëm dhe me këtë lupë.

Jo më kot Harris ka përzgjedhur figurën e Marcus Tullius Cicero për të përçuar mesazhin e tij. Ciceroni, për shkencat politike moderne, konsiderohet si fillesa e politikës. Megjithëse përpara tij kemi orator dhe politikanë të famshëm të antikitetit, sërishmi Ciceroni është etaloni përmes të cilit Makiaveli ravijëzoi jo pak Princin e tij. Impakti që ai ka patur në politikën moderne është i madh. Oratoria, zgjuarsia dhe të qenurit të tij një kafshë politike i dhanë atij famë edhe emër jo vetëm në Romën republikane por edhe për shekuj me radhë.

Kështu Ciceroni, është jo vetëm senatori më i njohur në Romë por edhe një nga bashkëkohësit e figurës me të cilën identifikohet Roma, Julius Çezari. Në këtë sfond Harris përpiqet që të ndërtojë jetën e Ciceroni përmes disa të dhënave që kanë mbetur nga kujtimet e skllavit më të famshëm të Romës, Tiros që ishte njëkohësisht dhe skllavi e miku i personazhit kryesor.

Duke e zhvilluar narrativën në vetën e parë në formën e kujtimeve të skllavit Tiro, Harris, arrin të kapë frymën dhe esencën e kohës së tij. Gjithashtu, i jep brendësi dhe shtresa të caktuara personazheve të tij kryesorë.

Përmes personazhit të Ciceronit, Pompeit, Çezarit, Krasit e të tjerëve autori  përpiqet që të na paraqesë personazhet e politikës së sotme. Përmes intrigave pas kuintave, politikave populiste, përdorimit të turmës, mbrojtjes së paprinciptë e kështu me radhë autori në fakt zbulon mënyrat dhe mekanizmat se si sot e kësaj dite këto strategji riprodhohen për tu dhënë pushtet diktatorëve të ardhshëm.

Periudha në të cilën personazhi kryesor jetoi ishte pikërisht fundi i Republikës së Senatit Romak (SPQR) dhe ndërtimit të Triumviatit të parë që do të pasohej me diktaturën e Jul Çezarit. Kështu mesazhi që përpiqet të japë Harris është përtej personazheve historik të cilëve ne tanimë ua dimë fundit dhe jetën. Shqetësimi i autorit është përtej ngjarjes historike se si ka rrjedhur, sepse ai nuk ndryshon asgjë në atë që dihet se ka ndodhur. Hulumtimi i tij mbi marrëdhëniet që individi ka me pushtetin dhe me ruajtjen e tij hera herës ngjasojnë me ato që politikanët e sotëm kanë me pushtetin.

Fjala vjen, nëse në Romën e lashtë duhet të ishe aristrokat për të qenë një senator (kështu që ti të mos abuzoje më pushtetin) nuk qe e rrallë të shihje abuzues të pushtetit. Krasi ishte njeri më i pasur në Romë, por kjo nuk e ndaloi që ai të ishte një nga figurat më ogurzeza të republikës dhe demokracisë së senatit. Ai “edhe pak ccaste përpara se të vriste të buzëqeshte si miku më i mirë” shprehet Harris në një pasazh.

Nën këtë prizëm, libri merr një tjetër sfond dhe perceptim sikundër dhe mesazhi i tij tejkalon shekujt e mijëvjeçarët për të na ardhur përpara syve tanë si një veprim e një ligjërim aktual. Gjithsecili prej nesh mundet fare mirë të gjejë një personazh politik në “Romën” tonë të vogël. Gjithsecili prej nesh ndërsa lexon rreshtat e këtij romani historik mund të ndërtojë personazhin e tij politik brenda kontureve të senatorëve, matrapazëve, hajdutëve, spekulantëve dhe spitullaqeve të faqeve të romanit.

Ajo që duhet bërë është thjeshtë leximi i tij dhe përfytirimi i të tashmes në të shkuarën dhe anasjellas. Në fund të fundit ky është edhe mesazhi i koduar i romanit historik.

You may also like...