TË NGOPUR ME RRENA

GJERGJ EREBARA

Çdokush me të drejtë mund të arsyetojë se po humbas kohë kot. Politikanët gënjejnë hapur, organizojnë faktet gabimisht, thonë të vërteta gjysmake etj. Kjo është ditur në të gjithë historinë e njerëzimit. Megjithatë, sasia e stërmadhe e rrenave që po na jepen në këtë fushatë elektorale nga të gjitha palët politike, na acarojnë aq sa për të ulëritur. Dhe meqë nuk është mirë që të humbasësh gjakftohtësinë në rrugë e të mallkosh si budalla nga të katër anët, po përpiqem të ekspozoj në gazetë disa nga gënjeshtrat më të trasha që më kanë zënë veshët këtë kohë.

PD: Kemi hapur 200 mijë vende pune – Rrenë me bisht.

Shqipëria as që mund t’i ëndërrojë 200 mijë vende të reja pune, siç deklaron Partia Demokratike se ka bërë gjatë viteve të fundit. Sido që t’i vërtisësh shifrat që mbledh ajo ministria me emrin më ironik në Shqipëri, “e Punës dhe Shanseve të Barabarta”, këto 200 mijë vende pune nuk duken gjëkundi. Dhe duke pasur parasysh se korporatat më të mëdha në vend punësojnë 300 apo 500 punonjës secila, për të hapur 200 mijë vende pune, do të duhej të kishim së paku 400 korporata të mëdha. Dhe po t’i kishim këto korporata të mëdha, do t’ua kishim dëgjuar emrin.

PS: Janë mbyllur 52 mijë vende pune – një spekulim banal.

Ndërsa PD na ngop me vende pune që nuk mund të ëndërrohen as nga më ëndërrimtari, PS na thotë se vendi ynë ka humbur 52 mijë vende pune. Fakti i parë që duhet thënë për këtë është që kur një vend pune nuk ekziston, ai nuk mund të humbet. Na falni për këtë shprehje të tipit Nard Ndoka në “Demotivational”, por nuk e mbajta dot.

Ato statistikat e ministrisë me emrin ironik, na japin të dhëna për dy lloje vendesh pune: punësim në sektorin urban (shtet apo privat) dhe vetëpunësim në bujqësi. Ky punësimi në sektorin urban është aktualisht 442 mijë vetë. Katër vjet më parë qe 400 mijë vetë. Pjesa tjetër, rreth 600 mijë, janë “të vetëpunësuarit” në bujqësi. Edhe ky term është gjithashtu shumë ironik. Çdokush që ka një copë tokë, klasifikohet i vetëpunësuar. Në thelb, çdokush, burrë apo grua, në moshë madhore, që jeton në fshat, është “i vetëpunësuar”. Në fshatin shqiptar zyrtarisht nuk ka të papunë. Të gjithë e dinë se shumica dërrmuese e këtyre të “vetëpunësuarve” nuk janë të tillë. Kanë shumë pak tokë, e kanë tokën me rendiment shumë të ulët, ose nuk kanë kapital për të blerë farëra e plehra kimikë për ta punuar e për të marrë rendiment. Qeveria bën sikur nuk e di. Megjithatë, llogaritjet e pakuptimta, mbi numrin e të vetëpunësuarve, tregojnë se ato janë në rënie. Opozita e gjen këtë statistikë të pakuptimtë dhe e merr për fakt; e kthen në një armë të fuqishme propagandistike kundër qeverisë. Shqetësimi im naiv është se mos opozita vjen në pushtet, i bën llogaritë sërish, i dalin 7 milionë fshatarë dhe deklaron se ka krijuar 6.4 milionë vende të reja pune.

PD – Telefonia celulare, 75 për qind më lirë – Gënjeshtër e trashë.

Duket se PD-së i nevojitet shumë një makinë llogaritëse. Por nëse nuk e ka një të tillë, le të hyjë tek Instituti i Statistikave, të klikojë tek Indeksi i Çmimeve të Konsumit dhe të shohë zërin: Komunikim. Aty thuhet se çmimet kanë rënë me 20 për qind.

Çmimi i bukës është rritur shumë, bashkë me vajin etj., na thonë socialistët. Është shumë e vërtetë. Në Shqipëri dhe në të gjithë botën, çmimet e ushqimeve janë rritur. Pyetja është nëse këto çmime do të ulen në rast se vjen PS në pushtet! Përgjigjja është jo!

10 mijë kilometra rrugë – një gënjeshtër që e fyen makinën llogaritëse. Nëse Berisha dëshiron të na mbrojë këtë tezë, le të na japë një listë me segmente rrugore dhe kilometrat përkatëse. Le ta nisë p.sh. me rrugët e mëdha: 60 kilometra Rrëshen-Kalimash, 40 kilometra, Kalimash-Kukës, u bënë 100. 40 kilometra, Tiranë-Elbasan, u bënë 140. Diagonalja e TEG-ut, 4 kilometra etj.

Taksim i ndershëm! Por kush do të paguajë? Një tjetër shprehje e tipit demotivational, do të qe: shteti jeton me taksa! Por kjo teoria e taksimit të ndershëm që na thotë se do të ulen taksat për 95 për qind të shqiptarëve, nuk na thotë se kush janë këto 5 për qind që do të paguajnë më shumë.

PD, ju lutem koordinojini rrenat!

Një zyshë, nga shkolla “Bajram Curri” në Durrës, na është bërë anëtare e familjes këto ditë në një reklamë që thoshte se dikur ka marrë 16 mijë lekë rrogë, ndërsa sot merr 38 mijë. Shpresoj që të mos jetë zyshë aritmetike, pasi përndryshe, mund të shërbejë si qasje për të zbuluar shkakun e analfabetëve funksionalë mes nxënësve të shkollave. Hera e fundit që paga mesatare në sektorin publik ka qenë 16 mijë lekë është viti 2001. Por kjo zysha me deklaratën e saj përgënjeshtron edhe Kryeministrin, i cili, në të njëjtën shkollë, na tha se pagat e mësuesve të shkollave fillore janë aktualisht “500 mijë lekë”. Pra ju lutemi, na jepni të paktën të njëjtën gënjeshtër që të mos hutohemi kaq shumë.

Por për këtë koordinimin e gënjeshtrave, ka nevojë edhe Partia Socialiste. Disa muaj më parë, një zyrtar socialist na tha se çmimi i dritave është rritur me 200 për qind. Pak më vonë, një tjetër na tha se është rritur me 90 për qind. A mundet që ta ndajnë mendjen se sa është rritur?!

I sigurt se nuk po them asgjë të re, dhe asgjë që nuk e dini, po i shkruaj këto rreshta me shpresë që nipërit tanë, kur t’i shohin këto rrena, nuk do të mendojnë se ne ishim aq budallenj sa i besuam.

Botuar te Gazeta Shqip me 30 maj 2013

You may also like...