Të përkthesh Gollsuorthin

Ndërsa presim që të marrim në dorë vazhdimin  e shumëpritur të “Sagës së Forsajtëve”, vendosëm të pyesim përkthyesen e librit, Anxhela Çikopano se ç’do të thotë të përkthesh Gollsuorthin.

Saga“Saga e Forsajtëve” është një libër mjaft i dashur për shqiptarët. Ç’do të thotë kjo për ju që keni përkthyer vijimin e tij?

Sfida është shumëfish më e madhe se me libra të tjerë, natyrisht. Dhe kjo për disa arsye: e para, “Saga e Forsajtëve” në shqip fillimisht është përkthyer nga Vedat Kokona, i cili, natyrisht që ka caktuar një standard të lartë dhe kjo e bën detyrën e përkthyesit edhe më të vështirë, pasi jo vetëm që i duhet ndenjur atij standardi, por duhet pasuruar edhe më tej. E dyta, saga është një libër mjaft i dashur për shqiptarët dhe vijimi i saj natyrisht që duhet të kalojë edhe provën e kësaj dashurie, duke mos e zhgënjyer lexuesin. E treta, si letërsi klasike, kërkon një stil të caktuar dhe ruajtjen e frymës së autorit, mbi të gjitha, edhe kontekstet historike të tij.

Me gjithë këto që po thoni, sa e vështirë ishte faktikisht përkthimi i tij?

I lehtë nuk ishte, por Gollsuorthi është një autor me shumë shije e larmi në gjuhën e tij. Një prej vështirësive kryesore mbeteshin ngjarjet e kohës. Shpeshmë është dashur të hulumtoj thellë për të kuptuar se ç’kuptim kishte filan a fistek fjali, pasi vareshin krejtësisht nga koha në të cilën shkruante autori, por jo vetëm. Për kuriozitet po ju sjell një rast për të cilin kam kërkuar me ditë të tëra. Në një fragment të librit thuhet: “Dini tani po ecte nëpër udhën që të çonte drejt kishës së Shën Agostinit të Lëndinave … dhe ndërsa po sodiste një riprodhim të dela Françeskës së Kastelfrankos…”Pasi u mundova të gjeja se për cilën pikturë bëhej fjalë, zbulova se i referohej një riprodhimi të Shën Agostinit, të pikturuar nga Piero dela Françeska, i cili ka lindur në Valtiberina në veri të Arecos, Itali dhe e ka portretizuar shenjtorin në një poliptik për kishën e Sansepolkros (sot kisha e Shën Klarës). Pas shumë kërkimesh zbulova se me sa duket, Gollusuorthi e quantepiktorin “dela Françeska i Kastelfrankos”, pse piktori ka lindur në Areco, ku gjendet edhe Kastelfranko e Sipërme, mirëpo kjo do të ishte pasaktësi, sepse Kastelfranko ndodhet në veriperëndim të Arecos, kurse vendlindja e autorit është në verilindje të krahinës. Një mundësi tjetër është që ta quajë kështu, për shkak të punëve që mjeshtri ka kryer në Venecia për familjen Amadi, ku mund ta kenë konsideruar si piktori që vinte nga Kastelfranko Veneto, e cila do të ishte sërish një pasaktësi nga ana e Gollsuorthit, pasi dela Françeska vinte nga Areco e jo nga Venecia. Raste të tilla nuk mungonin, megjithatë, sfidat që kanë përkthyesit sot kapërcehen shumë më lehtë me mundësitë e pafundme që të ofron për kërkime interneti dhe forumet e përkthyesve. Duhetpak këmbëngulje, vullnet, dëshirë e mirë dhe shumë dashuri për veprën.

A ju tërhiqte një vepër e tillë në ditët e sotme?

Mendimi se letërsia klasike nuk vdes kurrë, nuk është mit. Për shkak të jetës së shpejtë që bëjmë, është e vështirë të marrim në dorë një vepër që ecën ngadalë, por ajo të provon gjithmonë se, paçka mënyrës se si jeton e mendon, një libër i shkruar mirë nuk zhgënjen kurrë. Gollsuorthi shkruan për histori, marrëdhënie e ndjenja njerëzore dhe këto e shoqërojnë njeriun thuajse të pandryshuara në mbarë rrjedhën e historisë.

Çfarë mund të veçoni diçka specifike në gjuhën e autorit?

Mbi të gjitha ironinë. Unë jam edhe vetë ithtare e ironisë së fisme dhe ironia e tij në stil, në gjuhë, por edhe në imazhe më ka shijuar shumë. Një tjetër gjë, që më bënte përshtypje kur rilexoja përkthimin e Kokonës, para se të nisja punën, ishte se përdorte emra shumë të veçantë e të panjohur lulesh dhe kur kapa origjinalin e kuptova se llojet e  veçanta të luleve ishin pikë e dobët e autorit. Nuk ishte gjithmonë e lehtë t’i gjeje emrat e tyre.

Si ndodhi që libri erdhi në dorën tuaj?

Në fakt, fillimisht librin e kishte zgjedhur përkthyesi i nderuar, i ndjeri Amik Kasoruho, i cili fatkeqësisht u nda nga jeta pa e përfunduar atë. Mua nuk më mbetet gjë tjetër veçse të falënderoj botimet Pegi që ma besuan, sidomos pse më kanë prekur një pikë të dobët: mua më pret shpata fort nga letërsia klasike si përkthyese. Tani që e kam përfunduar, ndihem vërtet me fat që Loreta dhe Aida e lanë në dorën time.

Çfarë do t’ju thoni lexuesve?

Se nëse deri tani kishin lënë kokën pas Irenës, tani pa dyshim që do të lënë kokën pas Dinit. Unë vetë mezi po pres të gjej pak kohë dhe të ulem të lexoj librin e dytë të kësaj trilogjie.

 

You may also like...